Bjenë telat venë-e vinë,
Po na tundin Shqipërinë,
Toskërinë, Gegërinë,
Më çdo vënd, më çdo krahinë:
Që në Shkodër në Janinë,
Që në Vlorë-e në Prishtinë:
Opopo! ç’ fitoj lirinë!
Opopo! ç’ u ngrit rremeti!
Seç u tund si valë deti:
Posi det që vjen me valë,
Po vjen rëndë-e me-nga-dalë
E po ndjek Smail Qemalë:
Smail-burri-i shpje në Vlorë
Me flamur të kuq në dorë,
Me flamurin e lirisë,
Mun në thelb të Shqipërisë!
Shqipëri! moj Shqipëri!
Hidhe larg atë shami
Që të mbajti në të zi,
Në vajtim e robëri!
Se që sot e paskëtaj
Më s’ke breng e më s’ke vaj!
Se që sot e kësaj dite
Ti m’u ndrite-e vetëtite
Posi yll me reze drite!
Se që sot e që tashi
Po të ndrin një yll i ri
Mun në zemr’ e mun në gji!
Pa ke nder e madhëri!
Ke gëzim e lumtëri!
Ke flamur të-kuq-të-zi!
Ke liri! liri! liri!
Rrofsh! e lira Shqipëri! –
Rroftë! tha Smail Qemali
Me zembrim si zërë mali;
Rroftë! j-u përgjiq rremeti,
Pa u tund si valë deti;
Rroftë! fusha ushëtiu,
Rroftë! pylli uturiu,
Rroftë-e deti j-a buçiti!
Rroftë-e pushka j-a kërciti!
E sakaq një vall’ e madhe
U përhap n’ ato luadhe:
Ishte vall’ e dashurisë,
Në luadhet e lirisë,
Mun në thelb të Shqipërisë!
…………………………..
…………………………..
Dh’ atëhere… nënë mal…
Nisi kënga me-nga-dal…;
Nisi këng’ e shentëruar,
E j-a mori më të shtruar…;
E j-a drodhi më të qarë…
E j-a zjeu… j-a hoqi zvarë…; –
E pastaj si më s’u ndje,
Zu të ngrihet që përdhé
Gjith më nge… e gjith më nge…;
E pastaj filloj të ritet…
E të ngjitet… e të ngjitet…
Më me sulm… e më me jetë…
Më përpjetë… e më përpjetë…
Dh’ aq dëshirë-e aqe gas,
Aqe mall lëshovi pas,
Aq me zë të parpalitur
Pat kënduar dyke ngjitur,
Sa… që lart ku fluturoj,
Heshti pak edhe rënkoj
Dh’ u këput posi përroj…
Pa prej kulmit qielluar,
Ra përposh me t’ ulëruar,
Posi breshër i thërmuar,
Posi lot i përvëluar…
…………………………..
…………………………..
E si ra në qetësi,
Si shkoj kënga per liri,
Passi shkoj e zë me s’ kishte
Ajo kënga pleqërishte:
Asnjë zë më s’ doli fare
Përmi tokën shqipëtare,
Përmi tokën e qetuar
Si një zemr’ e ngushëlluar…
Dh’ atëhere – o! çudi:
Ç’far u ndje në Shqipëri?
Qjelli! qjelli! ç’ushëtoj!
Bot’ e tërë ç’e dëgjoj!
Zot’ i math seç kuvendoj!
Q’ atje lart ku ndezen retë
Kuvëndoj me zë të vetë
Zot’ i math e i vërtetë:
” RROFSH! MOJ SHQIPËRI PËRJETË! “