Skip to content
Menu
Monitori
  • Home
  • Art
  • Histori
  • Kulture
  • Personalitete
  • Sport
  • Thenie
  • Kuriozitete
Monitori

Lejla Agolli: Artistët jetojnë me pension minimal, është fyese kur institucionet nuk kujtohen për ne

Posted on February 17, 2022 by Monitor

NGA JULIA VRAPI

Lejla Agolli ka studiuar kompozim dhe orkestrim. Kompozimet e Agollit përfshijnë muzikë kantata, simfoni, koncerte, etj. Por ajo shpreh keqardhjen për sa po bëhet sot jo vetëm në ndihmë të artistëve, por edhe të digjitalizimit të veprave që janë shkruar dekada më parë. Në intervistën për gazetën “SOT” Lejla Agolli tregon se sot merr një pension minimal, ndërsa shprehet se institucionet nuk po kujtohen për të apo dhe të artistë të tjerë që janë në këto kushte dhe kanë një kontribut jo të vogël në artin tonë. Agolli thotë se ka mbi një dekadë që pret të ketë një vlerësim si duhet, por ka munguar deri tani. Sa i takon krijimtarisë sot në këngë, Agolli shpreh shqetësimin dhe te tekstet, që sipas saj nëse përsërit të njëjtat fjalë nuk thotë asgjë, por shpreh dhe me kritika ndaj turbo-folkut. Në krijimtarinë e saj përmendim dhe In Memoriam për klarinetë solo dhe orkestër të vargut, kushtuar Nënë Terezës. Ishte fituese e Festivalit të Këngës Qytetare për këngën “Ah ky mall” kënduar nga Frederik Ndoci. Agolli ka qenë disa vite drejtore artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve. Për veprimtarinë dhe kontributin ndër vite është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.

-Në fushën e aktivitetit tuaj në muzikë, cila ka qenë baza e krijimtarisë suaj?

Baza e krijimtarisë sime muzikore ndër vite kanë qenë vepra të mëdha instrumentale, simfonike. Diplomën e kam mbrojtur me një simfoni në 3 kohë luajtur nga orkestra e RTSH. Në vijim kam shkruar koncerte për piano, rapsodi, por kryesisht krijimtaria ime ka qenë orkestra simfonike dhe solistët. Jam krenare, sepse pjesët e mia muzikore i kanë ekzekutuar profesionistët më të mirë që ne kemi pasur, si Margarita Kristidhi, vëllezërit Pandush dhe Pirro Gjezi, etj. Kam shkruar vepra për orkestrën e Liceut Artistik “Jordan Misja”, që megjithëse ka qenë një orkestër me nxënës ishte shumë e mirë, me dirigjent Eno Koço, Fiqiri Kraja, etj. Kanë luajtur nxënësit e liceut tanë më të mirë si Klodiana Skënderi, Arben Spahiu, Armand Priftuli, etj. Kam shkruar muzikë në të gjitha gjinitë, duke filluar nga muzika e dhomës, kuintete, kuartete, albume pianistike, vegla fryme dhe piano, albume muzikore violinë piano. Por më pak kam qenë tek muzika në këngë. Por dhe aty aq sa kam shkruar kam marrë vlerësime. Më e fundit në krijimtarinë time në nëntor të vitit që lamë pas më ishte një pjesë muzikore me motive shqiptare për kuartet fagot dhe violinë piano, violinë e dytë dhe violë.

-Temat shqiptare në muzikë ju i keni tuajat…

Temat shqiptare në fushën e muzikës i kam të miat, sepse dua të identifikohem shqiptare. Por më pas flet dhe mjeshtëria, se sa e zonja je që të tingëllosh bukur dhe pëlqyeshëm, por që të ndjehet që unë jam shqiptare, sepse ndryshe dal imituese e rëndomtë e veprave të tjera. U luajt kjo pjesë në Zvicër për festat e nëntorit dhe u prit shumë mirë. Më parë ishte dhe një aktivitet në Serbi, ku pjesëmarrësit luajnë vepra të autorëve të shteteve përkatëse dhe programin e përzgjedhin organizatorët. Drejtuesja serbe kishte përzgjedhur një nga veprat e mia për violinë dhe orkestër që e ka pas luajtur Pirro Gjezi, dhe këtë vepër do ta luante violinistja e re shumë e talentuar Laura Llozi. Nuk ndodhesha në Shqipëri kur mua mu kërkua vepra e koncertit, që e kam shkruar në 3 kohë dhe nuk e kisha të digjitalizuar. Ndaj i ofrova të luante një nga kohët e koncertit dhe përzgjodhën kohën e tretë, u luajt nga Laura Llozi me orkestrën e harqeve të Ballkanit.

-Jeni fituese e çmimeve në festivale, për ju sa kanë rëndësi aktivitetet që janë për këngën qytetare?

Janë aktivitete që kanë rëndësi për krijimtarinë. Kënga për mua është gjinia direkt për spektatorin. Ndërsa veprat simfonike kanë një publik pak më të zgjedhur, ndaj dhe kënga mua më duket një gjini e jo e lehtë. Dua që kënga të tingëllojë shqiptare dhe të jetë e bukur, të jetë sa më profesionale, të ketë një tekst domethënës dhe ti bashkosh të gjitha këto nuk është kollaj në 3 a 4 minuta. Në këtë vështrim aq sa këngë unë kam shkruar jam munduar ti realizoj mirë.

-Sa ka rëndësi për ju teksti në këngë?

Teksti është frymëzimi, që do të ketë kompozitori për të shkruar. Por një tekst, që përsërit të njëjtat fjalë dhe ka shumë tekste të tilla nuk thotë asgjë. Atëherë po muzika çfarë do të thotë? Nuk kam qenë kurrë as për rrymat turbo-folk, etj, sepse kënga folk është krijuar në një moment të caktuar nga populli dhe nuk ke të drejtën ta ndryshosh. Ka këngë që bukur mund të përshtaten, riorkestrohen, por të mos dalë nga thelbi si ide në tekst apo dhe në muzikë, sepse autori që e ka shkruar është frymëzuar dhe nuk ke drejtë ta ndryshosh.

-Në fushën e muzikës, veprat tuaja kanë qenë të kërkuara dhe jashtë vendit…

Në vijim të krijimtarisë sime, kam shkruar një vepër për klarinetë dhe orkestër harqesh, të cilën ma kërkuan në Itali nga një fondacion, që kryesisht kërkonte gratë kompozitore. Në vitin 2000 që ishte dhe vit jubilar më bënë porosi për këtë vepër që u luajt nga orkestra në Napoli me një solist, që ishte mjaft i zoti klarinetist. Ajo vepër me sa di është luajtur vazhdimisht në Itali. U vlerësua maksimalisht si vepër, sa nga 500 krijime të grave kompozitore në të gjithë botën u përzgjodhën në atë jubile 5 vepra dhe një ndër to ishte dhe e imja. Kam marrë vlerësime dhe nga shtete të ndryshme në botë dhe është përzgjedhur dhe lozur dhe në Vatikan, në prani të Papës në vitin 2000.

-Keni qenë nxënëse e kompozitorit Tish Daija, për të cilin u zhvillua dhe një koncerte së fundmi. Çfarë kujtoni nga puna në ato vite?

Profesor Tish Daija vlerësonte talentin tim. Ka pasur një natyrë, që ka qenë i dashur dhe ishte një person për tu admiruar. Kujtoj që në vitin e dytë të shkollës kam pas shkruar një pjesë rapsodi për piano dhe orkestër, që u luajt atë kohë me Orkestrën e Institutit të Lartë të Arteve. Aty pata disa kritika si vepër moderne, etj, në kohën tonë ka qenë e vështirë kur kemi shkruar. Kur erdh koha që u paraqita dhe në provim, një nga pedagogët foli pak me kritikë, dhe kujtoj profesor Tish Dainë që i tha: është një moment frymëzimi. Nuk la asnjë kritikë që të binte tek unë. Por kam pas pedagog dhe Feim Ibrahimin, etj, dhe qenë një brez pedagogësh për tu admiruar.

-Për ju është shumë problem, që veprat shqiptare nuk digjitalizohen. Çfarë sjell kjo?

Një koncert timin e kam digjitalizuar me paratë e mia dhe ka kushtuar diku mbi 2 milionë lekë për ta bërë dhe më mori gjysmën e çmimit. Është një punë kolosale të digjitalizosh një vepër për orkestër. Por kur shkova mora veprat e mia në RTSH, sepse atje janë luajtur të gjitha me dirigjentin e njohur Ferdinand Deda përveç atyre të Liceut Artistik, pashë atje në një dhomë partitura të tëra të kompozitorëve shqiptarë, që kanë shkruar shumë vepra, pedagogë të mi, apo koncerte që kanë qenë “Dekadat e Majit”. Janë vepra që duhen të digjitalizohen. Dikur është shkruar me laps dhe gomë dhe kur mora partiturat e mia ka disa vite, pashë që lapsi ka filluar të fshihet. Unë jam përpjekur për veprat e mia që ato që kam të digjitalizohen, por nuk kam mundur ta bëj. Ajo që kërkoj me urgjencë nga institucionet, të bëhet digjitalizimi i veprave muzikore sepse po humbasin. Mua më vjen keq, që ato vepra muzikore që janë shkruar nga profesorët tanë ndër vite po kalben dhe po vjetrohen.

-Pse ju më parë jeni shprehur se nga institucionet nuk ka qenë sa duhet vlerësimi ndaj jush si kompozitore?

Këto vite edhe pasi dola në pension veprat e mia kanë qenë të kërkuara edhe jashtë shtetit, madje deri në Amerikë dhe i jam mirënjohëse. Por në Shqipëri unë kam dashur të bëj dhe një koncert recital me veprat e mia dhe nuk u realizua dot. Kam qenë e vetmja krijuese femër që kam shkruar muzikë instrumentale simfonike për vite me radhë, më ka rënë që të konkurroj dhe pedagogë të mi e me emra të mëdhenj instrumentistësh. Unë jetoj sot me një pension minimal pasi më kanë munguar disa vite pune, sepse kam pasur një shkëputje. Nga 2003 deri në 2010 isha edhe drejtuese artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Sot kam një pension më pak se 200 mijë lekë të vjetra në muaj. Në 2010 kur dola në pension siç ishte ligji u bë një komision në ministri të kulturës dhe është përcjellë në kryeministri për pension të posaçëm. Tani i bie 12 vite që unë se kam marrë pensionin e posaçëm me gjithë këto vepra që kam shkruar ndër vite dhe vijoj. Mund të ketë shumë artistë që meritojnë dhe e kanë marrë, por jam e fyer si nuk i bie mendja dikujt për mua në një kohë që veprat e mia vazhdojë dhe luhen. Më vjen keq që sot ka artistë që nuk po vlerësohen si duhet, jetojnë me pensione minimale dhe nuk kujtohen në institucione./Sot.com.al/

©2022 Monitori | Powered by WordPress & Superb Themes