Categories
Kulture

“Miss Ballkani” rrezikon të shembet, sytë nga “Europa Nostra” për të shpëtuar “Urën e Zogut”

Nga Gjergj Figuri

“Ura e Zogut” në Milot po shkatërrohet. E lënë në harresë nga institucionet përgjegjëse një ditë më parë ka marrë vëmendjen e organizatës “Europa Nostra”. Peticioni i dërguar Ministrisë së Kulturës i firmosur nga qytetarët e qarkut të Lezhës, që kërkuan mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e urës me harqe apo e njohur si “Ura e Zogut” në Milot ka gjetur mbështetjen e organizatës europiane të shoqërisë civile, “Europa Nostra”. Kjo e fundit e ka vendosur këtë objekt të trashëgimisë kulturore në listën e 12 monumenteve më të rrezikuara në Europë. Ura e ndërtuar në 1927 nga inxhinieri Gjovalin Gjadri do ketë angazhim të grupeve mulidisiplinare të ekspertëve në mision për shpëtimin e saj dhe hartimin e planeve të veprimit.

Ky monument kulture i kategorisë së parë pas verifikimeve të ekspertëve të Organizatës “Europa Nostra” dhe Institutit të Bankës Europiane të Investimeve do të vendosë nëse kjo urë do të përfshihet në programim “7 më të rrezikuarat 2022”, për tu restauruar. “Ura e Zogut” është nominuar nga anëtarja e Europa Nostra, aktivistja Amarilda Leti, për këtë program. “Përzgjedhja u bë në bazë të rëndësisë së jashtëzakonshme të trashëgimisë dhe vlerës kulturore të secilit prej vendeve si dhe në bazë të rrezikut serioz me të cilin po përballen sot” tha Amarilda Leti.

“God itjen e fundit kjo urë e mori në janar të vitit 2021, për shkak të reshjeve të dendura dhe prurjeve të mëdha të lumit Mat. Një prej këmbeve mbajtëse të urës është zhvendosur mbi dy metra, gjë e cila ka bërë që një pjesë strukturës të zhytet edhe më shumë në lumë” tha Elton Laska. “Ura e Zogut” është një nga asetet e trashëgimisë që u projektua nga italiani Martini. Stili i harqeve të ishte një risi për kohën kur u ndërtua.

Zbatimi i projektit të Urës së Zogut u bë nga inxhinieri i shquar shqiptar, Gjovalin Gjadri. Ura është ndërtuar brenda një viti dhe është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve të saj dhe detajet të tjera arkitekturore ishin një risi për kohën kur është ndërtuar dhe akoma sot në Universitetin e Inxhinierisë trajtohet dhe studiohet stili inovativ i kësaj Ure. “Citizens Channel” ka raportuar më herët për protestat e mbajtura nga banorët e Kurbinit për mbrojtjen e urës. Në shtator të këtij viti, të rinjtë e Kurbinit organizuan një marshim në mbrojtje të “Urës së Zogut”.

Sikurse “Citizens” ka raportuar, mosmirëmbajtja e këtij monumenti kulture të një rëndësie të veçantë e cilësuar edhe si “Miss Ballkani” në vitin 2001, vjen edhe si shkak i shfrytëzimit që i bëjnë kompanitë që marrin inerte në lumin Mat. Organizata “Sebastia” dhe qytetarët firmosën një peticionin për Mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e urës dhe kërkuan nga Ministria e Kulturës, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë. Kulturore, nga Bashkia Kurbin dhe Bashkia Lezhë, që të merren masa emergjente për ndaljen e rrënimit të urës si dhe të hartohet një projekt për mbrojtjen afatgjatë të saj. Aktivistët paralajmëruan se hapi i radhës do të ishte kontaktimi i organizatave ndërkombëtare, që mbrojnë trashëgiminë kulturore./Abcnews.al/

error: Content is protected !!