Mustafa Krantja është dirigjenti i parë i Filarmonisë Shqiptare dhe më pas i Teatrit të Operas dhe Baletit, i cili hodhi bazat e dirigjimit operistik në vendin tonë. Drejtues i mjaft koncerteve, operave dhe baleteve të para, që ky institucion vuri në skenë.
Gjatë disa dhjetëvjeçarëve drejtoi një numër të madh premierash të kompozitorëve shqiptarë dhe kompozitorëve botërorë në të gjitha gjinitë, që nga kënga deri tek opera e baleti, ndër të cilat mund të përmendim operat: “Rusallka”(opera e parë vënë në skenë në vendin tone); “Ivan Susanjin”; “Nusja e shitur”; “Traviata”; “Jollanta”; “Berberi i Seviljes”; “Cavaleria Rusticana”; “Mrika”; “Carmen”; “La Boheme”; baletet: “Shatrivani i Bahçisarait”; “Esmeralda”; “Kujdesi i kotë”; “ Romeo e Zhulieta”; “Halili dhe Hajria” e plot vepra të tjera.
Kontributi i tij ka vijuar edhe me Orkestrën Simfonike të RTSH dhe Orkestrën e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, pedagog i dirizhimit në Institutin e Lartë të Arteve.
Krantja njihet gjithashtu si kompozitor i mjaft veprave muzikore, vokale e simfonike dhe një publicist i palodhur, nga pena e të cilit kanë dalë një numër i madh artikujsh të ndryshëm të artit muzikor, emisione të ndryshme televizive e intervista.
Për karrierën e tij artistike është nderuar me çmime, urdhra e medalje të shumta si: Urdhra pune nga klasi i I-rë dhe i III- të, Urdhërin “Naim Frasheri” i klasit të I-rë, titullin “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, medaljen e nderit nga opera e Bakusë, medaljen “Antar Nderi i Përjetshëm” i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Artit dhe Literaturës me seli në qytetin e Brindisi (Itali), medaljen “A. Dvorzhak” nga Ministri i Kulturës i Republikës Çeke dhe mban titullin e lartë “Nder i Kombit”
Burimi: Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor