Categories
Kulture

Për herë të parë në histori një kalendar arbëresh

“Një deklaratë dashurie për rrënjët, një lidhje e fortë me origjinën, një jehonë e së shkuarës”, këto janë ndjesitë me të cilat Loris Guzzeta përshkruan kalendarin e parë arbëresh në histori.

“Këto imazhe që i mbaj brenda prej vitesh janë deklarata ime e dashurisë për trashëgiminë kulturore të cilës i përkas. Brenda kalendarit është aroma e ëmbëlsirave tona të sapopjekura, aroma e temjanit në ditën e Pashkëve, por mbi të gjitha simbolika fetare e veshjeve të grave arbëreshe, unike në botë për lulëzimin dhe bujarinë e tyre”, thotë për “Diaspora Shqiptare” Guzzetta.

Edhe “përbërësit” e këtij projekti janë vendas: Caterina Cangialosi, modelja kryesore është me origjinë nga Piana degli Albanesi. Fustani që ajo ka veshur është qëndisur në ar në fillim të shekullit të kaluar nga gjyshja nga nëna e fotografit me rastin e dasmës së saj. Rripi ishte një dhuratë nga gjyshi për gjyshen ditën e fejesës, siç edhe e kërkon tradita arbëreshe.

Ndrësa në muajt e verës shfaqen edhe dy mbesat e fotografit me veshje tradicionale.

Intelektuali dhe koleksionisti arbëresh Stefano Schiró kontribuoi në aksesorët dhe stilimin.

“Ishte vërtet një përpjekje në grup, nëna ime Anna Fileccia u kujdes për pjesën logjistike dhe organizative, Giusy Schiró (ekspert i gjuhës arbëreshe), kontribuoi në hartimin e tekstit dhe në përkthimet”, shpjegon për “Diaspora Shqiptare “Guzzeta.

E kaluara bëhet e pranishme në këto imazhe të cilat së bashku zbulojnë dhe festojnë kulturën e pakicës etnike të Piana degli Albanesi. Kalendari gjithashtu pritet të bëhet ekspozitë fotografike në të ardhmen e afërt në një datë dhe vend që do të përcaktohet.

Me origjinë nga Piana degli Albanesi, pas studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura Brera, Loris Guzzetta diplomohet për Komunikim Vizual në Universitetin e Birminghamit në Angli.

Aktualisht jeton dhe punon në Nju Jork dhe ndër klientët numëron marka të njohura ndërkombëtare si L’Oréal, Ann Taylor, Erno Laszlo dhe Beautyblender./Diaspora Shqiptare/

error: Content is protected !!