Categories
Kulture

Për të dhjetin vit ngrihet flamuri kuqezi në sheshin e bashkisë në Philadelphia

Që nga festimi i 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 2012, shoqata “Bijtë e Shqipes” në bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Philadelphias organizon ngritjen e flamurit tonë në bashkinë e qytetit me një ceremoni solemne. Kjo veprimtari nuk është thjeshtë një akt ku ngritet flamuri në mënyrë mekanike, por është shndërruar në një festë të bukur e madhështore ku mblidhen shqiptarët të veshur me rrobat më të bukura, shoqëruar me simbole kombëtare, këndojnë e vallëzojnë, shprehin krenarinë e të qenit shqiptar, shpalosin vlerat tona kombëtare para qytetit të Philadelphias. Edhe këtë vit, në datën 26 nëntor u organizua ceremonia e ngritjes së flamurit në sheshin e bashkisë.

Vitin e kaluar për shkak të masave të pandemisë numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar, por këtë vit numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh në këtë ceremoni. I tërë sheshi jehonte nga këngët dhe vallet shqiptare. Fjalën e rastit e mbajti z. Dritan Matraku, ndërsa në emër të kryebashkiakut (Mayor-it) të Philadelphias përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City representative) të Philadelphias, e cila edhe i dorëzoi kryetarit të shoqatës, z. Bujar Gjoka, Proklamatën me të cilën kryebashkiaku e nderonte Shqipërinë, kombin shqiptar dhe bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias, për nder të 28 Nëntorit, Festës sonë Kombëtare.

Nga Sadik Elshani/Diaspora Shqiptare

error: Content is protected !!