Nga: Xhoia Dumi
“Asgjë nuk vjen nga qielli nëse je duke u ngrohur në diell”
Kjo është motoja e Medeas, fotografes tashmë të njohur, e cila krijoi imazhin dhe emrin e saj vetëm në bazë të pasionit dhe punës së palodhur.
Nëse do e njihnim më parë, do njiheshim me një vajzë tjetër, me një natyrë pune tjetër, por gjithnjë me pasionin për fotografinë.
“Unë kam mbaruar studimet për Administrim Biznesi, profili Marketing në Universitetin e Tiranës. Nuk kam dashur që të studioja në këtë fushë, por përzgjedhja u bë në sajë të studimit të tregut të punës.”
Si erdhi lidhja e kësaj dege dhe me fotografinë, Medea e shpjegon kështu:
“Më tërhiqte dhe më tërheq shumë psikologjia dhe e kam gjetur një pjesë të saj edhe në fushën e Marketingut ku unë kam studiuar dhe punuar për pak kohë , por e kam gjetur shumë edhe në fotografi. Mendoj që ka qënë kjo lidhje e fortë mes të dyjave që unë vazhdoj të përqafoj, të zbuloj, eksperimentoj dhe dashuroj në to. Pasioni për fotografinë ka ardhur shumë natyrshëm. Udhëhiqem nga ndjesi shtytëse ,jam shumë intuitive.
Kur vizitonim një vend , kur bënim piknik , festa etj me shoqërinë, aparatin e merrja gjithmonë me vete dhe kisha shumë qejf të bëja foto e nuk lodhesha. Si pasion ose hobi për fotografinë dhe editimin e fotove ka nisur rreth vitit 2007 dhe më pas në vitet 2014-2015 nisa të kisha disa kërkesa për shërbime fotografike dhe keshtu nisi rrugëtimi im me një profesion tjetër , fotografinë.”
https://www.instagram.com/p/BZ4TL-GBTK5/?utm_source=ig_embed
Ndryshe nga çdo artist tjetër apo fotograf Medea që në fillimet e saj është dalluar për një stil krejtësisht të veçantë dhe aspak të ngjashëm me personazhe të njohur më parë!
“Frymëzohem nga shumë burime të ndryshme , në mënyrë që fotografia që unë ofroj të jetë unike. Kryesisht frymëzohem nga piktore si Rembrant (dhe drita e tij e famshme, e cila është një nga stilet e dritës që përdoret gjerësisht në fotografi), Caravaggio, Rene Magrite, Frida Kahlo, Van Gogh, Salvador Dali; nga fotografe si Brooke Shaden, Tim Walker, Annie Leibovitz, Sue Bryce, Lara Jade ( po të vazhdoj lista nuk mbaron ) , frymëzohem nga filmat kryesisht zhanri dramë, psikologjik, libra, nga muzika e mirë ( këtu jam shumë klasike ), më frymëzojnë historitë njerëzore, më frymëzon vuajtja , padrejtësitë .”/Living.al
https://www.instagram.com/p/B3csOb4A5kn/?utm_source=ig_embed