Categories
Kulture

Që kur lamë shokërinë Sa zu zemra të buçasi – Oh! sa shpesh më ven e vinë Përkëdheljet e çdo çasi!

Vesë dashurije – Poezi nga Lasgush Poradeci

Sillet heshtur an’ e mb’anë
Hij’ e gjumit të pandalë –
Kú jan’ ëndërat, kú janë,
Gjumë ti, të qofsha falë?

Kú ‘sht’ o! mik’ e gjithë ditës,
Të m’a shohë shpirt’ i sgjuar?
Zjarr’ i syrit vetëtitës
Që më pati përvëluar?

Sonte mbeta mun në pisë
Nën’ ushtimin e një buje:
Moj motriçk’ e vogëlisë,
Nuk të shoh, po ti këtú-je…

Ti mendon mi supë t’ime
E mbështetur më një faqe;
Rëgëtin me dëshërime
Zemr’ e mbushur me farmaqe;

Më flet tinës buz’ e shkruar,
Fjal’ e urt’e gojës s’ate,
Pshon për kohën e kaluar
Që më s’vjen që kur na vate;

Që kur lamë shokërinë
Sa zu zemra të buçasi –
Oh! sa shpesh më ven e vinë
Përkëdheljet e çdo çasi!

Pa mendohem me llaftarë
Sí të humba posi hije
Sa pikovi lot’i parë,
Posi vesë dashurije.

error: Content is protected !!