Frika nuk kishte të bënte aq shumë me vdekjen, sa me pamundësinë për të rigjetur realitete që do mbushnin hauzin tim. Iu luta të mos nxitonte aq shumë. I thashë se ishte shumë e rëndësishme të mbërrija, duhej patjetër. Duhet të rimerrja ca gjëra shumë të rëndësishme. Të takoja një njeri shumë të rëndësishëm. Kështu i thashë, megjithëse nuk bëhej fjalë për njeri. Si do mendonte po t’i thosha se ishte një qen?
Nga Ana Kove
Atë mëngjes u zgjova bosh. Besoj më ka ndodhur dhe herë të tjera, por ndjesi si kjo nuk kisha përjetuar më parë. Ose ashtu më dukej. Një hauz i madh brenda meje ose do më përpinte, ose duhej mbushur. Fantazia, për të plotësuar dëshirat asnjëherë nuk më ka munguar. Por tani nuk bëhej fjalë vetëm për dëshira, ishte më shumë se kaq. Mora udhë të gjatë. Padurimi për të arritur sa më parë, përpëlitej qepallave. Sytë e mi gllabëronin hapësirat që zhdukeshin e shfaqeshin. Kjo i bëri aq përshtypje shoferit, sa shtoi shpejtësinë. Oh, po është e rrezikshme. Mund të mos mbërrij fare.
Frika nuk kishte të bënte aq shumë me vdekjen, sa me pamundësinë për të rigjetur realitete që do mbushnin hauzin tim. Iu luta të mos nxitonte aq shumë. I thashë se ishte shumë e rëndësishme të mbërrija, duhej patjetër. Duhet të rimerrja ca gjëra shumë të rëndësishme. Të takoja një njeri shumë të rëndësishëm. Kështu i thashë, megjithëse nuk bëhej fjalë për njeri. Si do mendonte po t’i thosha se ishte një qen? Nuk më vuri veshin, dhe pse iu luta prapë. Iu luta shumë. Më tha se e njihte mirë atë profesion, qysh prej x vjetësh, aq sa unë ndoshta nuk kisha moshë. Sytë i mbante të përqendruar në timon. Asnjëherë nuk i hodhi mbi mua, të lexonte realisht moshën apo frikën time. Meqë më hëngri më se një dekadë nga mosha, dhe lexoi dëshirën time që ishte më e madhe se frika, nuk e shqetësova më. Boshllëku që ishte brenda meje, tani më kishte futur mua brenda tij. Për të ngushëlluar paksa veten, i shkrova një mesazh dikujt që i duhesha. U frikësua, më tha se më donte të gjallë. Se po te humbja, ishte njësoj si t’i humbte dora e djathtë. S’di si u ndjeva. Humbja e dorës së djathtë është shumë, por rrohet edhe pa të, apo jo? Më dukej vërtet se po humbisja. Kishte të drejtë shoferi që ngiste si i marrë. Makina fluturonte drejt pafundësisë. Kur këmbët ranë në asfalt, si në strall, mijëra shkëndija të ndezura nga takimi me tokën time të fortë, m’i bënë te magjishme ato çaste.
Thith ajrin. Ia njoh aromën. E thith deri në thellësi të shpirtit, për t‘u ngopur, dhe frymënxjerrja ma shton më shumë etjen. Hapësira e liqentë ujore përpara syve të mi sikur më ndryshon ritmin e rrahjeve të zemrës, apo vendndodhjen e saj. Shkoj aty ku notojnë jo vetëm peshq, por edhe kujtimet dhe copëzat gjithmonë të pastra të jetës sime. Një peshk i vockël, si ai i përrallave magjike që plotëson dëshirat, vjen e më çuket këmbën e zbathur në ujë. Dhe unë i pëshpërit me zë përrallor:
Eja ziremi përdore
Nepmi gjërat që më more,
moj mërenkë pikëlore.
Si në përrallë vijnë e zënë vend në hapësirat që pushtojnë sytë e zemrës sime të gjitha: Një shelg, që si dikur bleron e loton. Poleska e vockël, që kompozon ca tinguj të brishtë parëvere. Jargavani i hijshëm, që stolis e spërkat lëkurën me kundërmimin e tij. Fletë të zverdhura vjeshte nga fjalë të shkruara nga zemra e dora që dridhet. Loti i ngrirë i mjelmës bardhoshe, kur këndon këngën e dhimbjes. Vrulli fluturues i nositit dhe rënia e tij e menjëhershme në paqëtimin e hapësirës blu. Vala që merr e sjell me ritme të papërcaktuara shushurimat e ndjesive të mia, dhe gjeratorja që i përpin…
Zëri im, a i valës dëgjohet mes krahjes e krahërrahjes së pulëbardhës:
Eja ziremi përdore.
Nepmi gjërat që më more,
moj mërenkë pikëlore.
E zënë nga dora e djathtë prej jetës që rend nga e shkuara për në të ardhme, e tashmja ime vrapon këmbëzbathur mbi guriçka dhe vazhdon e kërkon të formësohet. Me një sheqerkë në dorën e majtë, kërkon të shohë dhe shihet nga qeni i shkrimtarit.
Guriçkat e bregut më vrasin këmbët e zbathura, po unë kërkoj e bindur. Këmbët më gjakosen, hapësirat janë pa skaj e unë rend, si në kërkim të vetvetes. Nuk do kthehem mbrapsht pa e gjetur. Më duket se i shquaj hijen. Më largohet sa i afrohem. Apo largohem unë, kur më afrohet? Aty pranë shoh një peshkatar, rrethuar nga rrjetat. Them ta pyes, dhe i afrohem. Qenka im atë. Nuk shqetësohet kur më sheh të kërleshur. Më njeh mirë. Aq sa kujton se po e pyes për kohën. Do jetë mot shumë i mirë nesër, thotë, dhe sytë e liqentë i lëngështohen.
Moti im, i them, varet në gjej atë që aq shumë po e kërkoj. E kisha kaq afër, e pashë.
Më thotë, se po gaboj. Ka kohë pa qenë këtyre anëve.
Jo, thotë. Të paktën jo në tokë.
(Nga libri “Shën Valentin ku ishe?”, Tiranë 2005)
Biografi
Lasgush Poradeci lindi në qytetin buzë liqenit të Ohrit në familjen e Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte e dërgoi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune në Manastir nga 1909 deri më 1916. I ati më pas e nisi në Athinë, ku u regjistrua në liceun e Etërve Maristë në kryeqytetin grek – ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi. Pa u mbyllur viti 1920, e dëbuan nga sanatoriumi sepse e zunë me një infermiere. Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu.
Verën e vitit 1924 Qeveria Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit “Karol Francik” në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Në maj të 1933 doktoroi me temën Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme. Pas pushtimit italian, qe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Vitet 1944-’47, ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension më 1974. Vdes në kryeqytet më 12 nëntor 1987.Varroset në Pogradec. Shkroi herët por poezitë i botoi nga fillimi i viteve ’20. Lasgushi nuk duronte ti thonin as simbolist, as modernist me arsyetimin që poezia shpreh shpirtin e njeriut dhe është humaniste. Vallja e Yjeve (1933) ka këtë strukturë ciklore: I. (Në vend parafjale) Zog i Qiejve, II. Vallja e Qiellit, III. Vallja e Dherit, IV. Vallja e Yjeve, V.Vallja e Përjetësisë, VI. Vallja e Vdekjes, VII. Kur nuk ndjehesh fare mirë. Pas luftës jetoi në vetminë e vet. Krijoi edhe tri vepra të mëdha poetike: Mbi ta, Kamadeve dhe Eskursioni teologjik i Sokratit./Standard.al