Categories
Kulture

Rileximi i “Prefektit”, aktori i përgjigjet kritikëve: Vepra e Levonjës është rregulluar! Nëse do vihet në skenën e Teatrit Kombëtar, mendoj se…

Aktori Arben Derhemi u përgjigjet kritikave për leximin në Teatrin Kombëtar të shfaqjes “Prefekti” të Besim Levonjës.

Pjesa që u vu në skenë nën regjimin komunist për nevoja të propagandës dhe luftës së klasave, në origjinal përqesh ish-prefektin Qazim Mulleti. Shfaqja për shumë kohë ka stigmatizuar banorët e Tiranës, por sipas aktorit, këtë herë vjen ndryshe.

Derhemi thotë se, “Ne nuk kemi bërë veprën e Besim Levonjës, por veprën e Besim Levonjës të rregulluar e të parë në këndvështrim tjetër. Nëse do të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar, mendoj se do të rishihet përsëri e të thellohet nga njerëzit që merren me këtë punë”. Shoqatat tiranase qenë të parat që reaguan publikisht, duke e cilësuar denigruese dhe shtrembërim të historisë. “Shih çfarë kemi bërë ne për figurën e Qazim Mulletit. Shih çfarë kemi bërë për të vendosur në vend atë histori, atë personalitet që në një lloj mënyre më prek edhe mua, por më prek vërtetë jo se kam ndërmend të marr ndonjë fond OJF-je për këtë punë, ose të bëj peticione që të jem I rëndësishëm. Unë kam bërë një nga veprat më madhore të At Zef Pllumit, ‘Rrno për me tregue’ dhe as nuk e kanë vënë ujët në zjarr për ta pare”. Ai që njihet si fond i artë i teatrit, është krijuar në mungesë lirie, duke bërë që t’i shërbejë propagandës komuniste. 30 vite pas rënies së diktaturës, a ka ardhur koha që teatri të ketë qasje të re ndaj atyre pjesëve? Për Derhemin, po. “Unë mendoj se duhet të rishihet gjithë historia e kombit, jo vetëm kjo vepër. Po u pa gjithë historia e kombit, le t’i hyjmë në qelizë kësaj pune, e të vazhdojmë deri në fund”. Arti në shumë forma të tij, ka qenë vënë me detyrim në shërbim të propagandës, ndërsa batuta filmash a pjesësh teatrale, janë përdorur gjerësisht në ligjërimin e përditshëm, madje vijojnë edhe sot.

SHOQATA “TEATRI”

Teatri Kombëtar vendosi të lexojë pjesë nga vepra “Prefekti” të Besim Levonjës për t’i shfaqur në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit. Por, leximi i kësaj vepre ngjalli një sërë kritikash, pasi në të ironizohet e tallet figura e Qazim Mulletit.

Ishte Shoqata “Tirana” që reagoi ashpër për rikthimin e kësaj vepre. Shoqata “Tirana” është shprehur se do t’i drejtohet edhe Ministrisë së Kulturës që të heqë zyrtarisht nga transmetimi shfaqjen “Prefekti”, si një sajesë politike e sistemit komunist, e cila bazohet mbi trillime dhe mohimin e të vërtetës.

“Shoqata ‘Tirana’ do t’i drejtohet Ministrisë së Kulturës që të heqë zyrtarisht nga transmetimi komedinë “Prefekti”, si një sajesë politike e sistemit komunist, e cila bazohet mbi trillime dhe mohimin e së vërtetës. Kjo komedi synon denigrimin dhe fyerjen e komunitetit Tiranas, mohimin e kontributin që Tiranasit kanë dhënë gjatë gjithë historisë së kombit tonë. Kjo shfaqje ndikon në prishjen e harmonisë sociale dhe nxit urr ejtjen ndërkomunitare dhe na rikthen në atë epokë të urryer për të gjithë shqiptarët. Respekt dhe nderim për figurat intelektuale dhe patriotët Tiranas”, thuhet në reagimin e Shoqatës “Tirana”.

“Edhe më e turpshme që lexon një aktor nga Tirana”

Teatri Kombëtar vendosi të lexojë pjesë nga vepra “Hijet e natës” të Vedat Kokonës dhe “Prefekti” të Besim Levonjës për t’i shfaqur në adresën e tij në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit. Pas njoftimit që publikoi në faqen e vet Teatri Kombëtar, Shoqata “Tirona Intellectum” reagoi ashpër. Kjo e fundit e cilëson edhe më të turpshme që pjesë e këtij produksioni është një aktor nga Tirana, duke iu referuar Arben Derhemit. Por, ndërsa “Hijet e natës” kaloi në heshtje një lumë kritikash e ndoqën leximin e “Prefektit” të Levonjës dhe jo vetëm se në të ironizohet e tallet figura e Qazim Mulletit, por sepse përmes saj, duket se Teatri po rivlerëson tezat e qasjet që kishte teatri gjatë regjimit komunist, luftën e klasave dhe stigmatizimin e banorëve të Tiranës që jo vetëm u dënuan dhe iu morën pronat për t’ia dhënë elitës së re komuniste./Panorama/

error: Content is protected !!