Categories
Kulture

Saimir Kumbaro: Qazim Mulleti s’ka qenë një burrë injorant, “Prefekti” mund të vihet në skenë, por në asnjë mënyrë duke mbajtur personazhe autentike

Vepra “Prefekti” shkruar nga Besim Levonja, me leximin artistik që u bë në Teatrin Kombëtar pak ditë më parë ngjalli reagime të shumta. Qytetarë të ndryshëm, artistë apo dhe deputetë të parlamentit u bënë pjesë e diskutimeve, për këtë vepër në Teatrin Kombëtar për shkak se sipas tyre denigron figurën e Qazim Mulletit. Regjisori i njohur Saimir Kumbaro thotë se vepra “Prefekti” nga Besim Levonja nuk i lë shije të mirë. Sipas regjisorit të njohur Qazim Mulleti ka qenë një intelektual dhe jo siç trajtohet në atë vepër, që së fundmi ishte me një lexim artistik në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina”. “Qazim Mulleti nuk ka qenë një burrë injorant siç trajtohet në komedinë e Besim Levonjës.

Qazim Mulleti ka qenë person shumë interesant. Mua nuk më lë shije të mirë ajo vepër”, shprehet regjisori Saimir Kumbaro. Përballë diskutimeve të shumta që ka shkaktuar “Prefekti” shkruar nga Besim Levonja, regjisori i njohur Saimir Kumbaro thotë se nuk duhet deformuar historia. Regjisori Kumbaro vijon më tej se ajo vepër edhe mund të jetë në skenën teatrore, por jo duke mbajtur personazhe autentikë. “Nuk shkon që personazhet historikë ti trajtosh siç ke qejf, duke deformuar historinë.

Vepra mund të vihet si komedi në skenë, por në asnjë mënyrë duke mbajtur personazhe atutentik, se ti i jep autenticitet veprës më pas, e përcakton veprën. Mund ta vësh një komedi “Prefekti” në skenë, por jo duke mbajtur personazhe që janë ireal, se Qazim Mulleti s’ka qenë injorant, por ka qenë me disa gjuhë të huaja. Vepra mund të vihet në skenën teatrore me emra të tjerë”, vijon më tej regjisori Kumbaro rreth këtij debati, që po vijon me këtë vepër.

Veprat e para ’90-ës

Veprat teatrore shqiptare që janë shkruar para viteve ’90 janë të ndryshme. Por regjisori Saimir Kumbaro thotë se duhet bërë një përzgjedhje nëse zgjidhen për të qenë në skenë, që të mos shkaktohen reaksione si me “Prefektin”. “Duhet ta mbash veprën në atë lloj plani, që të mos shkaktosh reaksion siç ishte ky rast”, shprehet regjisori Saimir Kumbaro. Vepra “Prefekti” shkruar nga Besim Levonja ndezi debatet më parë dhe në Komisionin e Medias. Leximi artistik i veprës u bë në Teatrin Kombëtar, ku deputetët e opozitës në Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u shprehën mes të tjerave se një shfaqje e tillë nuk mund të kalojë thjesht artistike.

Sipas tyre duhet të dilet me një deklaratë, ku dënohet rikthimi i pjesës “Prefektit”, që denigron figurën e Qazim Mulletit. Më parë ishte dhe shoqata “Tirona Intellectum”, që reagoi ashpër për rikthimin e kësaj vepre. Leximi artistik i veprës “Prefekti” u zhvillua në livestream në Facebook për festat e Nëntorit. Në këtë projekt me regji nga Spiro Duni janë emra të njohur aktorësh, por vepra shkaktoi një reagim të fortë. Qazim Mulleti ka qenë kryetar të bashkisë së Tiranës (1939- 1940) dhe më pas Prefekt i Tiranës (1942- 1944)./Sot.com.al/

error: Content is protected !!