Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Si e njoha bashkëshorten e parë të Dritëroit, rusen Aleksandrova! – KUJTIMET E ISH-GAZETARIT

Nga: Bashkim Trenova
(Vijon nga numrat e kaluar)

I fundit nga anëtarët e Komitetit Qendror që kam patur rastin të njoh, ka qenë Dritëro Agolli. Në të vërtetë më parë se të njihja atë unë jam njohur me Nina Aleksandrovën. Nina ishte martuar me Dritëro Agollin. Ishin njohur bashkë në Leningrad ku Dritëroi ndiqte studimet në Fakultetin Histori-Filologji për Letërsi. Pasi u martuan dhe erdhën në Tiranë, Ninën e emëruan mësuese të rusishtes në gjimnazin “Çajupi” ku unë vazhdoja mësimet. Në kujtimet e mia ajo është si modeli i një mësueseje, tepër e zellshme dhe e ndërgjegjshme për detyrën e saj. Ajo i kushtonte kujdes edhe paraqitjes së jashtme, veshjes. Ishte mjaft e rregullt edhe në tualetin e saj edhe pse ai nuk i shtonte gjë bukurisë së saj tipike ruse. Nina Aleksandrovna nuk e hiqte asnjëherë nga trupi një distinktiv në formë rombi, që dëshmonte se ku ishte diplomuar dhe në ç’disiplinë.

Përshtypja ime është se ajo nuk u ambientua asnjëherë me psikologjinë e gjimnazistit shqiptar. Atë gjithnjë e befasonte diçka, gjë që ne na shtynte të improvizojmë “befasira” në seri dhe të qeshnim vend e pa vend. Kështu, më kujtohet se si një një ditë, para se të fillonte mësimi, disa shokë tanë i lëvizën të gjitha bangat e dhe filluan të fshijnë duke ngritur kështu nga dyshemeja një pluhur, që mbuloi klasën deri në tavan. Nina e befasuar pyeti se ç’po ndodh kështu? Dikush nga ne, ftohtë, sikur asgjë nuk kishte ndodhur, i përgjigjet se “po pastrojmë klasën”, që ajo ta gjente ambientin e pastër. Nina iku e zemëruar me ne dhe nuk e zhvilloi atë orë mësimi. Unë shkova dhe e takova në korridoret e shkollës. Më erdhi rëndë që në klasë ishim sjellur në këtë mënyrë me të, me një të huaj, me atë që dëshironte vetëm të bënte detyrën e saj.

M’u duk se sjellja jonë, ndryshe nga sa kishim mësuar e dëgjuar për mikpritjen shqiptare, vetëm na turpëronte të gjithëve. Në fund të fundit, më erdhi keq kur e pashë ashtu të trishtuar, të vetmuar në korridorin e katit tonë. I kërkova të falur për atë që kishim bërë. Nuk e di a më dëgjoi, a e kuptoi se unë isha i sinqertë në fjalët e mia.I kërkova të falur edhe pse askush nuk më kishte ngarkuar që ta bëja këtë, edhe pse vetë as që kisha marrë pjesë në atë “pastrim” të klasës, por sidoqoftë, kisha qenë i pranishëm. Ajo vazhdonte të ishte gjithnjë e zemëruar. “Të gjithë njëlloj jeni”, më tha Aleksandrova duke shqiptuar emrin tim, që kurrë nuk e mësoi ta thërrasë korrekt. Gjithnjë më thërriste “Trinova”, në vend të Trenova. Ndoshta në rusisht shkonte më mire “Trinova”!

Bashkëshorten ruse të Dritëro Agollit, e detyruan të largohej nga Shqipëria me djalin 7 vjeç!

Nina Aleksandrova iku nga Shqipëria me djalin e saj, Arianin, kur ky kishte vetëm 7 vjeç. Unë nuk mund të them se bëri mirë që iku dhe as se do të kishte bërë mirë të qëndronte në Shqipëri. Kjo është në ndërgjegjen e saj dhe askush nuk ka përse ta gjykojë. Pas afro 40 vjetësh, Dritëro Agolli, një nga poetët dhe romancierët më në zë shqiptarë, u kthye edhe një herë në Rusi ku takoi dhe shtrëngoi fort pas vetes djalin e tij burrë, të martuar, me familje. Nga shqipja atij i kishin mbetur në kujtesë vetëm dy shprehje: “Do iki në shtëpi” dhe “Mirupafshim”; tra gjedia e ndarjes si edhe shpresa për t’u takuar sërish një ditë. Në një reportazh, që u botua në shtypin shqiptar me këtë rast, Nina Aleksandrovës, nuk i përmendet as emri! Autori, regjisori Esat Ibro, i adresohet asaj vetëm si “gruaja e parë e Dritëroit”. Edhe vetë Dritëroi nuk e përmend emrin e saj kur flet për martesën e tij të parë si një “gabim të rinisë”!

“Atje, me atë naivitetin tonë’, ka thënë Dritëroi në një intervistë të tij, ‘unë njoha një vajzë dhe madje me një pendim, me një ashtu, por u martova me të. Ishte kjo anë, tentative për të bërë një familje. Mirëpo atje gabova për këtë gjë”! Më ka ardhur keq si për regjisorin Esat Ibro, ashtu edhe për Dritëronë. Sidoqoftë, Nina Aleksandrovna, është nëna e Arianit, djalit të Dritëroit, emri i saj është emri i një nëne. Largimi i saj çoi në shkatërrimin e një familje, por nuk ishte ajo fajtore për këtë. Kr imin e kreu diktatura dhe diktatori. Ajo, në një farë mënyre, mbrojti fëmijën e saj, veten dhe vetë Dritëronë. Një gjë është e sigurt, nëse Nina Aleksandrova do të kishte qëndruar në Shqipëri, Dritëro Agolli nuk do të ishte bërë kurrë, gjatë diktaturës, deputet i Kuvendit Popullor, ai nuk do të ishte bërë kurrë, pavarësisht meritave, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë apo edhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë.

Nina Aleksandrova u largua nga Shqipëria, por jo nga kujtimet e gjimnazistëve të «Çajupit», që kur takohen edhe tani pas një gjysëm shekulli, e kujtojnë atë me respekt, ndërsa budallallëqet rinore, me një ndjenjë pendese të vonuar. Ndoshta edhe ajo i ka lënë një qoshëz në kujtesën e saj gjimnazistëve gazmorë të “Çajupit”! Nga reportazhi mbi udhëtimin e Dritëroit në Rusi, nuk mësuam, së paku, as edhe nëse Nina Aleksandrova është shëndosh e mirë në pleqërinë e saj…!? Vonë, shumë më pas, nga kujtimet e poetit Bardhyl Londo, kam mësuar me një lloj trishtimi se: “Nina tashmë kishte një krizë të thellë depresioni dhe kishte filluar t’i pinte ilaçet me grushte…”!?

Njohja ime me Dritëro Agollin, i fundit që kam takuar nga ish-anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së!

Unë nuk jam takuar me Dritëronë në vitet e mia të gjimnazit. Atëherë dhe më pas e njihja atë vetëm nëpërmjet poezive dhe romaneve që botonte e që i lexoja me mjaft kënaqësi. Me Dritëronë jam njohur në vitet e shndërrimeve demokratike në Shqipëri. Ai ishte ndër tepër të paktët komunistë, që në Kongresin e fundit të Partisë së Punës, pati guximin të kritikojë ish diktatorin Enver Hoxha, të cilit në ditën e vdekjes i kishte thurur një elegji. Ai pati kurajën të shkëputet nga e kaluara dhe të shohë përpara, drejt një socializmi demokratik. Në këtë Kongres Partia e Punës e Shqipërisë u shndërrua në Parti Socialiste e Shqipërisë. Dritëroi u zgjodh në udhëheqje të kësaj Partie, që në luftën për pushtet ishte dhe mbetet kundërshtare e Partisë Demokratike. Në “Rilindja Demokratike”, kam botuar në atë kohë një artikull ku kam vlerësuar thesarin letrar të Dritëro Agollit, por kam thënë gjithashtu se ai “e sheh realitetin me gjyslyqe të kuqe”! Sot nuk gjykoj kështu për të. Dritëroi nuk ka qenë e as mbeti komunist fanatik. E kuqja e komunizmit nuk e ka penguar atë të shihte qartë edhe kur mjaft të tjerë, që më pas u bënë demokratë të thekur, vraponin si demi pas saj.

Për Dritëronë, në kohën kur kam qenë drejtues i “Rilindjes Demokratike”, është botuar gjithashtu edhe një shkrim i shkurtër, të cilin sot e gjykoj gjithashtu si jo korrekt. Në këtë shkrim paraqitej Dritëroi dhe një shkrimtar tjetër, ish kolegu ynë simpatik i “Rilindjes Demokratike”, Teodor Keko, në gjendje të pirë, e duke thërritur në mbrëmje vonë në rrugët e Tiranës. Ngjarja ishte e vërtetë, por nuk kishte përse të përdorej për të denigruar një kundërshtar politik si Dritëroi! Nuk kishte përse të përdorej ajo edhe kundër një krijuesi të ri, një demokrati me shpirt, si Teodori, i cili ishte angazhuar me shkrimet e tij që në numrat e parë të “Rilindjes Demokratike” dhe që u largua prej saj sepse e gjente veten të lirë, pa detyrime, jashtë kuadratit të partive politike. Gazeta “Rilindja Demokratike” nuk ishte, në fakt, ajo vetë që vendosi botimin e këtyre dy artikujve. “Rilindja Demokratike” ishte organ i Partisë Demokratike dhe nga selia e Partisë kërkohej shpesh, ndoshta edhe çdo ditë, botimi i artikujve të porositur kritikë. Këta artikuj vinin në shënjestër jo vetëm dukuri që binin ndesh me linjën e interesat e saj e të drejtuesve të saj, por, për të njëjtën arsye, edhe persona të caktuar.

Në to shpesh zotëronte fryma militante, përjashtuese, pse jo edhe asgjësuese. Ne mendonim kështu se mbronim demokracinë dhe vetë konsideroheshim si mbrojtësit e vetëm të saj. Kundërshtarët tanë politikë i shihnim si kundërshtarë të demokracisë. Harronim ose ende nuk e pranonim se edhe kundërshtarët ishin pjesë e demokracisë, se pa ta do të kishim një demokraci moniste me dekore pluraliste. Harronim se kjo lloj demokracie ngjasonte shumë me atë që kishte projektuar dikur Ramiz Alia, për të ruajtur monizmin komunist në pushtet. Studentë në Fakultet ne kishim mësuar, në filozofinë marksiste, një broshurë të Leninit me titullin “Majtizmi, sëmundje foshnjore e komunizmit”. Nuk na shkoi mendja vite më pas, në demokraci, të vlerësojmë militantizmin e verbër e spekulativ, si sëmundje foshnjore e demokracisë! Disa ditë pas botimit të informacionit mbi Dritëronë dhe Teodorin të pirë, jam takuar me Dritëronë në një pritje zyrtare në Hotel “Dajti”, që ishte atëherë hoteli më luksoz në kryeqytet. Dritëroi u afrua pranë meje dhe, pasi më përshëndeti, i qetë më tha: “Një informacion duhet të japë diçka të re, të panjohur. Ju botuat një informacion që tregon për gjendjen time të pirë. E kush nuk e di se Dritëroi pi”?! Kishte të drejtë. Të gjithë e dinim.

Propozimi i Dritëro Agollit për emërimin e ambasadorit të ri shqiptar në Bruksel, ku isha unë!

Në vitet e demokracisë e kam takuar Dritëronë edhe në Teatrin Popullor. U ngjitëm të dy në skenë për të thënë disa fjalë prej miku në përvjetorin e aktorit të madh Kadri Roshi. Nuk e kam takuar më atë. E kam ndjekur në intervistat që ka dhënë herë pas here në shtypin shqiptar. Në një nga këto intervista, në vitin 1997, ndërsa ende isha ambasador i Shqipërisë në Belgjikë, ai dha mendimin që në Bruksel duhej emëruar si ambasador një personalitet, të cilit i hapeshin të gjitha dyert e institucioneve belge dhe evropiane. Dritëroi e kishte gjetur edhe personin dhe nuk ngurroi të japë në shtyp edhe emrin e tij. Ai propozoi dikënd nga diaspora shqiptare e Belgjikës, që mbahej për personalitet, por që nuk ishte fare i tillë, që fliste se kishte mbrojtur doktoraturë, por që nuk kishte mbaruar asnjë fakultet, që hiqej me shumë përvojë e premtonte që do të bënte punë të mëdha edhe pse, duke pasur mëse gjysëm shekulli mbi supe, nuk kishte punuar askund, qoftë edhe një ditë. Dritëroit i dëgjohej fjala. Atë e mbanin si patriarkun e socialistëve shqiptarë. Adhuruesit e tij nuk mungonin madje ta deklaronin edhe si patriarkun e letrave shqipe.

Mua më duket se poetët, përgjithësisht njerëzit e artit, shpesh kanë doza naiviteti dhe fëmijërie jo vetëm në krijimtari, por edhe në jetë. A është kjo pjesë e madhështisë së tyre kur me të vërtetë janë të mëdhenj? Ndoshta! Mua, sidoqoftë, me propozimin apo pa propozimin e Dritëroit, do të më largonin nga posti i ambasadorit. Kjo ishte e sigurtë dhe isha i ndërgjegjshëm për këtë. Në kontekstin e kohës, pa e ditur, pa dashje, Dritëroi me intervistën e tij, më bëri edhe një shërbim të vogël. Unë e paraqita atë në Zyrën e Emigracionit, së bashku me një sërë artikujsh të tjerë të shtypit shqiptar, ku ambasadat e Shqipërisë në Evropë e gjetkë, cilësoheshin nga kundërshtarët tanë politikë të ardhur në pushtet, si “çerdhe e kr imit” etj. Kështu ishin kohët. Jo vetëm krahu demokrat, por edhe ai socialist, ishte në vitet e militantizmit, i infektuar nga sëmundja foshnjore e militantizmit. Kjo është e kuptueshme. Ne ishim në hapat e para të demokracisë dhe ecnim përpara pa e njohur atë, vetëm duke e adhuruar. E keqja është se edhe tani, pas 20 viteve tranzicioni demokratik në Shqipëri, shpesh klasa politike, duke vepruar pa përgjegjësi, dëshmon se mbetet e infektuar nga kjo sëmundje foshnjore.

NË VEND TË MBYLLJES

Shqipëria u shndërrua gjatë diktaturës në një burg të frikës. Të gjithë kishin frikë nga të gjithë. Diktatori kishte frikë nga populli dhe nga shokët me të cilët kishte vr arë e gjym tuar një popull. Shokët e tij kishin frikë nga populli, por edhe nga vetë diktatori, të cilit i kishin shërbyer verbërisht si xhelatë të bindur. Populli, gjithashtu, trembej nga diktatori dhe shokët e tij, prindërit trembeshin nga fëmijët e fëmijët nga prindërit, fqinji nga fqinji, miku nga miku, i burgosuri nga i burgosuri. Gjatë afro gjysëm shekulli, edhe pse jo të gjithë e ndjemë njëlloj dhunën e diktaturës, të gjithë, adhurues, asnjanës apo kundërshtar të saj, ne riprodhoheshim e gjallonim në burgun e madh frikës e të mjerimit të përhershëm. Nuk dua në asnjë mënyrë të barazoj këtu kr imin me vik timën. Dua thjesht të tregoj përmasat e kr imit, vik timizimin e një populli, të një vendi të tërë nga një grusht kr iminelësh, nga një ideologji që u shërbeu atyre deri në grahmat e fundit.

Ironia e trishtuar e të gjithë tra gjedisë shqiptare, është se “heronjtë” e saj janë falur edhe pa kërkuar falje. Në komunizëm kishte ligje që mbronin diktaturën, por jo ligje që e dënonin atë. Kjo është e kuptueshme. Ligjet ishin hartuar dhe miratuar nga njerëzit e diktaturës. Në demokraci rezultoi se kr iminelët kishin vepruar duke respektuar ligjin, për pasojë ata nuk mund të dënoheshin! Nuk e di se cila mendje “gjeniale” arriti në këtë përfundim. Në Shqipëri, në bazë të kësaj logjike, udhëheqësit e lartë partiakë e shtetërorë të komunizmit, u dënuan vetëm për shpërdorim fondesh. U bënë llogaritje e ekspertiza, që provuan se ata kishin pirë më shumë kafe gratis se sa u takonte. Pra ata vetëm këtu kishin shkelur ligjin. Këtu drejtësia e shtetit demokratik, nuk i fali ata! Një gjykatë e veçantë u dha atyre të vetmin dënim që meritonin! Në këtë mënyrë, në thelb, drejtësia e shtetit demokratik u dha atyre edhe çertifikatën e pafajësisë për kri met që kanë kryer. Ja përse ata nuk kërkojnë falje.

Nëse drejtësia nuk i dënon, logjikisht dhe juridikisht, ata janë të pafajshëm. Në Shqipëri ka një fjalë të urtë popullore që thotë: “Gjaku nuk bëhet ujë”. Në të vërtetë në Shqipërinë pas komuniste gjaku, vuajtjet, dhimbjet e pafund u bënë kafe, terrorizmi shtetëror u mor në mbrojtje nga ligjshmëria e diktaturës, që u përmbys. Edhe një absurditet në vendin e dashuruar fatalisht pas absurdit. Më duket se po të ishte vepruar kështu në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, nuk do të kishte arsye përse të bëhej Gjyqi i Nurembergut. Nuk jam adept i hakmarrjes, por as apologjet i kr imit. Drejtësia në demokraci nuk është vazhdim i luftës së klasave. “Heronjtë” e tm errit dhe të ferrit edhe mund të faleshin, por vetëm pasi të gjykoheshin.

Pyetja që më bëri kopshtari i varrezave të Laçit, që s’i dhashë dot përgjigje?

Dua t’i mbyll këto shënime duke përmendur edhe një kujtim të kohës së diktaturës. Kam qenë një herë në varrezat e Laçit në varrimin e vjehrrës së një shokut tim. Gjatë ceremonisë së rastit, isha paksa i mënjanuar nga të tjerët. Në një moment më afrohet një burrë, që siç e kuptova më pas, ishte kopshtari i varrezës. Ai kishte një shqetësim serioz, që donte ta ndante me dikënd. Kopshtari më tha se nuk dinte si duhej të vepronte për të mirëmbajtur varret. Në varrezë ishin edhe patriotë edhe tradhtarë, edhe ar miq, por edhe komunistë, të ndershëm si edhe kr iminelë. Ai nuk dinte si të vepronte me tradhtarët, ar miqtë etj. Nëse nuk do të kujdesej për të gjithë varret, varreza vende vende do të degradohej, pra do rezultonte se ai nuk kishte punuar siç duhej. Nëse do të kujdesej njëlloj për të gjitha varret mund të shihej shtrembër sepse tek “të gjithë”, ishin edhe varret e tradhtarëve, të ar miqve etj. Në këtë rast qëndrimi korrekt ndaj punës nuk do të përkonte me një qëndrim korrekt politik ashtu siç e vlerësonte diktatura. Unë nuk isha në gjendje t’i jap një këshillë kopshtarit të varrezës së Laçit.

Komunizmi nuk pranonte pajtim kombëtar apo klasor jo më për të gjallët, por as për të vd ekurit, ar miku ishte ar mik edhe pas vdekjes, borgjezi mbetej i tillë edhe pasi ishte varr osur. Kishte mbetur e paklasifikuar toka.Ajo nuk ishte ndarë në borgjeze e proletare, në atdhetare e tradhtare.E pa ndarë në kategori të tilla ishte edhe vdekja.Ajo kishte të njëjtën fytyrë për të gjithë. Ç’mund të thoja unë? Pas mëse 30 vitesh nga ky takim në Varrezën e Laçit dhe pas rreth 20 vitesh nga përmbysja e komunizmit, mund të them se në demokraci “heronjtë” e kr imit, ata që martirizuan një popull të tërë, që hëngrën “heroikisht” kokat e njëri-tjetrit duke qenë “Heronj të Popullit”, mund të flenë në paqen e përjetshme përbri vi ktimave, të mbuluar njëlloj me lule dhe përkujdesje.Lufta e klasave, së paku pas vd ekjes, duket sikur po merr fund në vendin e shqipeve. Mund ta quash këtë një fillim të mirë./Konica/

error: Content is protected !!