Në studion e emisionit të pasdites “Jeto me Orën” në RTV ora ditën e sotme ishte i ftuar një i ri shqiptar, i cili po korr shumë suksese përtej Oqeanit, në Kanada.
Luka Lamaj është vetëm 21 vjeç nga Tirana, student në Kanada për biokimi në “Bishop’s University”.
Ai është themelues i dy projekteve inovatore si “Cool Historians” dhe “Docere App”, për të cilat ai tregoi më shumë në studio. Së pari, ai tregoi në emision arsyen pse ishte larguar nga Shqipëria.
“Si fillim nuk kisha ndonjë plan për t’u larguar, por pasi mbarova gjimnazin aplikova në disa shtete të huaja për të ndjekur studimet e larta. Fitova në shumë vende, por normalisht zgjodha Kanadanë pasi më ofruan më shumë bursë. Ndërkohë, një tjetër arsye që unë u largova është pikërisht edhe dega të cilën unë kam ndjekur të kryej studimet, pasi në Shqipëri nuk ofrohet kjo”, u shpreh Lamaj.
“Cool Historians” është projekti i tij i parë, një podcast i frymëzuar nga pasioni i tij i fëmijërisë për historinë. Në këtë podcast, Luka flet për histori të ndryshme nga e gjithë bota në një format të shkurtër, të thjeshtë, por tërheqës për ta kthyer historinë nga e mërzitshme në “cool”.
Deri më tani, ai ka lançuar 26 episode, të cilat janë dëgjuar në 40 vende te botes,praktikisht në çdo kontinent. Këtë projekt ai ja atribuon familjes së tij.
“Atributin e “podcast” dua t’ua jap prindërve të mi, të cilët më kanë këshilluar, motivuar që i vogël të lexoj dhe mësoj më shumë rreth historisë tonë si komb, por edhe të huaj. Më pas më lindi ideja për të krijuar këtë, i cili është transmetuar në 40 gjuhë të botës”, tha më tej ai.
Ndërsa projekti i tij më i madh është Docere, në të cilin Luka është bashkëthemelues dhe CEO. Ky projekt për Lukën ishte frymëzim nga një vizitë në spital në vitin 2021, kur ai vuri re pritjet e gjata që kërkonin një zgjidhje.
“Projekti tjetër lidh teknologjinë me fushën e mjekësisë. Më rastisi të shkoja në spital për probleme shëndetësore, dhe vura re që aty kishte shumë radhë që prisnin pacientët për të marrë një shërbim shëndetësor. Kështu më lindi ideja, që të krijoja një platformë ku njerëzit të merrnin disa shërbime në kohë sa më reale dhe lehtësisht pa qenë nevoja të ishin aty fizikisht. Nëpërmjet, kësaj platforme pacientët komunikojnë drejtpërdrejt me doktorët për problemet e tyre shëndetësore. Për këtë më ndihmuan edhe një grup miqsh të mi”, përfundoi Lamaj./Oranews/