At Spiro Katundi është prej vitesh prift në Kishën e Mitropolisë së Korçës por kjo nuk e ka ndaluar të ndjekë pasionin që ka për muzikën. Ai dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi për moderatorin Alban Musa se si nisi të merrej me muzikë.
Prifti tregoi se kur ishte fëmijë u aktivizua si aktor në Teatrin e Kukullave të Korçës kur regjimi diktatorial mbylli kishat. Më pas në vitet ’90 u aktivizua si këngëtar pranë estradës profesioniste, ku dhe mori pjesë në disa festivale të ndryshme.
“Unë rrjedh nga një familje klerikësh. Babai dhe gjyshi kanë qenë priftërinj. Pas mbylljes së kishave, u angazhova në Teatrin e Kukullave të Korçës. Në vitet ’66 kam filluar të merrem me art, kam marrë pjesë me estradën profesioniste për gati 15 vjet derisa u hap feja përsëri.
Por dhe kur kam qenë ushtar në Cërrik, kam pasur një aktivitet të madh, më vonë mora pjesë në festivalet e radios dhe në këtë kohë mendova të bëj një koncert me krijimet e mia. Bëra një koncert recital dhe ftova shumë të tjerë.”, tha prifti.
Më tej, ai tregoi se arsyeja pse vendosi të bëhej prift qëndronte pas babait të tij. “Doja të vija në vend të babait sepse ne si familje e ndjemë mbylljen e kishave në mënyrë më tragjike se të tjerët. Ajo gjë që babai im la në mes, thashë do ta vazhdoj unë.”, tha ai./abcnews.al/