Nga Sabina Darova
Vëllezërit Darova : muzikantët që guxuan të luajnë ” muzikën ndryshe”
Është malli, është trazimi prej kujtimeve e rrëfenjave, ështe dashuria, është përgjegjësia për të vërtetën, është gjithçka që zë fill te ajo melodi, e shkruar për qiejt lirie e krahë të bardhë. Është shpirti i Palomës (pëllumbit të bardhë), i këngës meksikane me famë ndërkombëtare, që la gjurmë edhe në Shqipërinë e vogël pak vite pas daljes nga Lufta II Botërore.
Gjurmën e kësaj kënge, e cila fitoi popullaritet në mbarë vendin, përgjatë viteve ‘60-të e solli grupi i njohur i formacionit orkestral të trupës së Estradës së Pogradecit, ai i pesë vëllezërve Darova. U kurorëzuan nga qytetaria shkodrane artdashëse si “Bitëllsat e Pogradecit”.
Kjo këngë erdhi në skenat e teatrove më të rëndësishëm të vendit si një risi që deri atëherë nuk ishte parë dhe dëgjuar, e panjohur për publikun, në një interpretim të shkëlqyer, me pak xhaz miksuar. Kënga u prit me entuziazëm, mrekullim e habi, jo vetëm në koncertet “live” por edhe në Radio Korça dhe Radio Tirana, ku kërkohej me dhjetëra herë në ditë për t’u dëgjuar.
Më kujtohet në vitet e fëmijërisë një udhëtim me tren për në Librazhd, qyteza ku jetonte motra e tim eti. Përballë qëndronte një çift disi i moshuar. Më pyetën nga isha dhe ku po shkoja. Iu përgjigja shkurt që isha nga Kruja. Zotëria, i habitur, më tha që nuk kisha theksin e Krujës. Vura buzën në gaz dhe u thashë që origjinën e kisha nga Pogradeci.
Sytë e të dyve vetëtinë nga gëzimi dhe më treguan që vite më parë, të rinj, kishin kaluar muajin e mjaltit duke qëndruar për çdo natë në lulishten e Hotel Turizmit të qytetit, për të dëgjuar muzikën e mrekullueshme të vëllezërve Darova. Zotëria madje filloi të fishkëllente lehtë melodinë e Palomës dhe një lot i rrëshqiti nën qerpik.
“Ishin kohë të arta!” – psherëtiu. Hodhi një sy rreth e rrotull vagonit, si për t’u mbrojtur nga çfarë tha, dhe heshti. Nuk di pse, por një nyje m’u lidh edhe mua në grykë nga emocionet e nuk pata kurajë që të prezantohesha si vajza e njërit prej tyre…
Im atë nuk më kishte treguar që kishin qenë aq të njohur. Rrëfimet e tij ishin të kursyera në fjalë, pa lavde e tepri.
Kur m’u kërkua të hidhja diçka në letër për familjen e tim eti, vëllezërit e famshëm Darova dhe sagën e tyre, më erdhi në mendje për të disatën herë stepja e tyre për të folur në gjallje për veten. Në e kishin nga fisnikëria, përulësia apo panevoja atëherë kur asgjë nuk e shpërblente dot padrejtësinë e pamat që pësuan apo të gjitha bashkë, këtë ende nuk e them dot.
Por kënga “Pëllumbi i bardhë”, që ishte edhe hiti i parë i tyre, më vjen si prelud i etjes për lirinë e munguar, i dashurisë për art të bukur dhe i paqes, që kërkuan dhe e patën edhe në ditët më të errëta.
Mes kujtimeve, rrëfenjave e me premtimin që të sjell dëshmi nga bashkëkohësit e tyre, për të mos rënë në kurthin e sentimentalizmit, çka nuk u shkonte për shtat dhe vetë atyre, më duhet të them si fillim se për historinë dhe suksesin e muzikantëve Darova nuk është folur pothuajse fare nga kritika dhe nuk ekziston ndonjë monografi apo studim i mirëfilltë nga specialistë apo njohës të muzikës së lehtë orkestrale. Janë përmendur shkarazi nga autorë, të cilët kanë shkruar mbi historinë e muzikës shqiptare apo të trupave të estradës në vend.
Por, për fat të mirë, në kujtesën popullore, mbresat e virtuozitetit dhe të frymës që përcillnin me muzikën e tyre kanë mbetur ende gjallë.
Arsyet janë të lidhura me një sërë faktorësh historikë e shoqërorë, që ndikuan dhe kushtëzuan lulëzimin, shkëlqimin dhe izolimin e këtij grupi të njohur muzikor. Vëllezërit Darova patën fatin e keq që të përballeshin me një nga sistemet më të egra komunisto-diktatoriale të Evropës së Lindjes, ku shkatërrimi i elitave, i të bukurës, i asaj që shihte kah Perëndimi e varfërimi shpirtëror i një populli të tërë ishte synim i vetëm e i pamëshirshëm.
Është sprovë jo e lehtë, por do të përpiqem të rendis çfarë i përfaqëson ata.
Vëllezërit Darova, pak biondë, me flokë të valëzuar dhe sy bojë qielli, vijnë nga një trung familjar intelektualësh. Mbiemri i parë i tyre është Starova. Babai i tyre, Nevruz Darova (Starova), për të cilin do të shkruaj pak, sepse meriton një tregim më vete, ishte gazetar, arsimtar, inspektor për disa qarqe dhe drejtor shkollash i njohur gjatë viteve ‘30-’40 në Dibër, Gjirokastër, Elbasan, Pogradec dhe Korçë. Shkrimet e tij gjenden në gazetat më njohura të viteve ‘20-’40: gazeta “Tomorri”, “Telegraf”, “Afrimi”, “Shqipnija”, “Gazeta e Korçës”, “Gazeta e Re”, “Ora”.
Nevruzi përfitoi arsimimin më të mirë të fillimshekullit të ri, atë në Manastir e më pas në Normalen e Elbasanit, për shkak të interesave të tij, por edhe sepse vinte nga një familje me mirëqenie në Starovë, Pogradec. Është meritë e tij krijimi i shoqërisë së bojskautëve në Pogradec dhe Vlorë në vitin 1927.
Xhaxhai i tij, Sulejman Starova, ka qenë deputet i parlamentit në vitet ‘20, si përfaqësues i prefekturës së Korçës dhe qarkut të Pogradecit. Në kujtimet e tij, Nevruzi e përshkruan si një idealist të shquar për të mirën e kombit dhe kujton që Sulejmani ka mbajtur postin e ministrit të Financave në dy mandate qeverisëse.
Nevruzi, gjatë veprimtarisë së mbledhjes së materialeve kulturore, të cilat i përkthente nga frëngjishtja (zotëronte disa gjuhë të huaja), ka provuar të shkruajë edhe poezi dedikuar më së shumti qytetit të tij, Pogradecit.
Ai dhe bashkëshortja, Hamdije Kola, vajza e prokurorit korçar Sali Efendi Kola, u përpoqën t’i edukojnë dhe t’i formojnë fëmijët me një kulturë europiane e mendje të hapur. Literatura perëndimore ishte ushqimi i përditshëm me të cilin ngjizeshin shijet dhe ëndrrat e tyre.
Dy djemtë e parë, kontaktin me Perëndimin do ta përjetonin në prag të adoleshencës, gjatë pushimeve verore në Rimini (Itali), në kampet e pushimeve për fëmijë. Këto pushime do të sillnin njohjen e parë me një instrument muzikor, një harmonikë frymore dhuruar djalit të parë, Muhametit (Metkës), nga një murgeshë. Nga ai moment, djaloshi i ri nuk do të ndahej kurrë nga ai instrument i çuditshëm, që e tërhiqte çdo ditë e më shumë. Me kthimin në qytetin e Korçës, ku babai i tyre shërbente si drejtor në shkollën “Mihal Grameno”, Metka lidhi miqësi me Rexhep Zëmblakun, i cili merrte mësime private në piano.
Përfitoi duke ndjekur leksionet në një kënd të dhomës nga mësuesi privat i Zëmblakut. Dashurinë për muzikën e ndau vetëm me të vëllezërit, sepse babai i tyre, ambicioz për diturinë, projektonte studime universitare në të tjera fusha dhe jashtë vendit.
Për fatin e tyre të hidhur, jeta mori një rrjedhë dramatike e krejt ndryshe nga aspiratat e larta të familjes.
Lufta e Dytë Botërore përfundoi me fitoren e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të udhëhequr nga komunistët, fakt që kushtëzoi jetesën e familjes Darova.
Djali i dytë i Nevruzit, Ylber Darova (emër që e përdorte si pseudonim në vitet e para të gazetarisë), në moshën 17-vjeçare e liceist në Liceun e Korçës, inspiruar nga disa prej profesorëve të tij, doli në luftë kundër pushtuesit, dhe iu bashkua rinisë së Ballit Kombëtar (forcë politike të cilën komunizmi e përbuzi dhe e përfoli duke gënjyer e manipuluar).
Ylberi u arrestua në vitin 1944 dhe mori dënimin më të ashpër që mund të mendohej për moshën e tij, sepse mbajti një qëndrim burrëror përpara gjyqit në kinemanë e qytetit. Ky qëndrim do të kujtohej e do të përmendej për disa vite në rrugicat e kalldrëmta të Korçës. Ai iu përgjigj pa u trembur dhe i vendosur prokurorit më mizor të asaj kohe, kriminelit Nevzat Aznedari. Kur ai e kërc ënoi se mund të dënohej me push katim, Ylberi 17-vjeçar iu përgjigj se nuk kishte frikë nga ai lloj dënimi. Nevruz Starova (Darova) kishte edhe katër djem të tjerë të fortë, anipse ai mund të vr itej.
U dënua me 101 vjet burgim dhe familja, që u plaçkit nga partizanët deri në librin e fundit të bibliotekës, thesar të familjes, u dërgua në një kasolle në lagjen që quhej “Kulla e Hirit”.
Ky burgim politik i njërit prej djemve shënoi fillimin e kalvarit të dhimbshëm të familjes. Babait të djemve, arsimtarit të dëgjuar në qarkun e Korçës dhe Pogradecit, iu hoq e drejta e pensionit, i vetmi burim ekonomik për familjen.
Ylberi u dërgua në burgjet më të egra: Burrel, Spaç, Qafë e Barit, Tepelenë dhe Zejmen të Lezhës. Për pak vite që gëzoi lirinë, u internua në fshatrat e Lushnjës dhe në Bishnicë. Mbi shpatullat e tij rëndoi dënimi më i gjatë që mund të jepej për agjitacion e propagandë, plot 29 vjet burg dhe 6 të tjerë në internim.
Dënimi i tretë, ndoshta më barbari, ridënimi, siç quhej ndryshe, u dha në ditën e mbarimit të dënimit të dytë. Ndërsa po i afrohej portës së jashtme të burgut, me strajcën me pak rroba në dorë, një zë i prerë i ndali hapin: “Në emër të popullit, je i arrestuar për agjitacion e propagandë brenda mureve të burgut”. U dënua edhe për 10 vite të tjera. U përpoq të vetëvr itej duke përdorur rubinetin e çarë të banjës së burgut, si dhe grevën e urisë, por u ndalua në kohë nga gardianët e burgut. Shpirti i tij e pati të vështirë rikthimin në qeli në ditën që mendoi se i përkiste lirisë. E megjithatë rezistoi denjësisht për 9 vite të tjera.
U lirua në vitin 1990.
Gjatë viteve në burgim iu dha mundësia të njihte personalitete të klerit dhe të klasës intelektuale, të cilët pësuan dhunën më të egër që mund të imagjinohej, me burgosje dhe vr asje. Nga ata mësoi tri gjuhë të huaja, përveç atyre që dinte, dhe pasuroi formimin e tij, të cilin ia patëm zili ne, që ishim jashtë mureve, por në një tjetër burg jo më pak të vështirë.
Kujtoj që ne, fëmijët e vëllezërve të tij, me turne, i dërgonim një letër në muaj për të mbajtur gjallë dashurinë familjare, si dhe për t’i ofruar kurajë, për të mos u ndjerë i braktisur.
Familja e tij, gruaja dhe tre fëmijët, të vetmit që nuk u larguan nga Pogradeci, vuajtën në heshtje peshën e rëndë të persekutimit. Bashkëshortja (bijë e një ushtaraku të lartë, të push katuar nga regjimi), punoi në ndërtim dhe me shumë vështirësi përballoi ekonominë e familjes, si dhe rritjen e fëmijëve.
Për ne, familjen e madhe, me karakterin e tij të fortë, pathyeshmërinë ndaj torturave barbare të burgjeve komuniste, ka qenë shembulli i heroit, fisnikut dhe i njeriut të lirë. Krenari dhe nder, sepse nuk u dorëzua kurrë!
Në rrëfimet e shokëve të tij, në kujtimet e Amik Kasoruhos, në shkrimet e Maks Velos, në skicat e Lek Pervizit, në përshkrimin e Simon Mirakës, në memorien e atyre me të cilët ndau qelitë e 29 viteve burg politik, Bel Darova ishte simbol i integritetit, urtësisë e qëndrueshmërisë.
Babai im, me peshën e djalit dhe vëllait të madh, pas situatës mjaft të vështirë të krijuar, vendosi të largohej nga Korça së bashku me mikun e tij të ngushtë, Rexhep Zëmblakun. U vendosën në Durrës, te hotel “Vollga”. Krijuan një formacion orkestral, që për pak muaj u bë i njohur. E ndoqën Agimi dhe Mentari, të cilët iu bashkuan orkestrës.
Në vitet 1946-1960, Shqipëria bënte pjesë në kampin socialist të Lindjes dhe në vend vinin e shkonin grupe pune apo turistike nga Polonia, Rumania, Rusia, Çekia, Jugosllavia etj.
Kontaktet muzikore me botën e jashtme, edhe pse të kontrolluara, mbijetonin ende. Orkestra e Vollgës mbi detin Adriatik luante muzikë të huaj. Pista e vallëzimit gëlonte nga zërat e gëzuar të pushuesve të huaj, por edhe të vetë banorëve durrsakë. Im atë tërhoqi edhe familjen, e cila u vendos në një vilë buzë detit. Kaluan katër vite të qeta. Kur mendonin se vuajtjet e tyre mund të ishin fashitur, edhe pse vëllai i tyre vuante dënimin në Burrel, në Komitetin e Partisë së Durrësit mbërriti një letër nga një shoqe komuniste korçare, e cila e përshkruante familjen me notat më negative që mund të imagjinohej sa i përket biografisë politike. Në një sistem të egër e shtypës, ku së pari përçudnohet njeriu, ai – “njeriu i ri” – dërgon letra anonime sapo sheh se asgjë s’e ndal shkëlqimin e talentit. Dhe këtë e bën në emër të partishmërisë.
Kjo letër, që u pasua me dëbim e shpërngulje, ishte vetëm e para në radhë. U larguan nga Durrësi brenda dy ditëve dhe u vendosën në Tiranë për një vit. Im atë arriti të futej në grupin orkestral të hotelit “Dajti”, duke siguruar një rrogë që mbante një familje prej gjashtë vetash.
Pas incidentit diplomatik me Rusinë – vendosja e bombës në Ambasadën Ruse në vitin 1951 – edhe për familjen Darova, si për 80 intelektualë të njohur, tringëlliu kamxhiku urdhërues nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu: Jashtë Tiranës brenda 2-3 ditësh!
U larguan për t’u vendosur në Elbasan. Katër vëllezërit, të cilët njëri pas tjetrit kishin mësuar nga një instrument, u bashkuan dhe krijuan formacionin e tyre orkestral, që në pak kohë u kthye në fenomenin më të përfolur. Muhameti në fizarmonikë, Agimi në kitarë, Mentari në bateri dhe Ilirjani në kontrabas. Pista e turizmit të Skampës së vjetër filloi të mbushej plot e përplot. Muzika që sillnin vëllezërit Darova krijonte një atmosferë të bukur, të dashur, ndryshe… Ajo ishte pranverë me aromë Perëndimi, ishte e ngrohtë, e paqtë, moderne. Veçantia e tyre qëndronte jo vetëm në lojën instrumentale, por edhe në interpretimin e këngëve. Me zërat e tyre sillnin një repertor të pasur me muzikë të huaj bashkëkohore. Agimi, i cili ishte edhe një shkollar i mirë dhe shumë i talentuar, dëgjonte këngët e festivalit të Sanremos në radio dhe i zbërthente në nota përgjatë natës. Të nesërmen, këngët këndoheshin nga grupi. Solist ishte gjithnjë Agimi dhe të tjerët e shoqëronin. Im atë përgatiste orkestrimet e këngëve. Mentari luante në bateri me një virtuozitet të pazakontë. Pikërisht virtuoziteti, harmonia, suksesi i menjëhershëm i orkestrës dhe cilësia interpretuese, ra në sy te drejtuesit artistikë dhe politikë. Kështu, u propozuan që gjatë stinës verore të punonin në Turizmin e Pogradecit, ndërsa në dimër në Elbasan.
Shumë shpejt, Turizmi i Pogradecit u transformua në një tribunë të artit modern, të muzikës dhe haresë.
Bashkëkohës të tyre, ata që patën mundësi t’i njihnin, shprehen se ata, vëllezërit, lanë një gjurmë të pashlyer në rininë e tyre e te një brez i tërë. Për ta, vëllezërit ishin ëndrra europiane, edhe pse zgjati pak.
Po atë vit u formua trupa e Estradës së Pogradecit, në të cilën vëllazëria Darova mori pjesë e plotë. Mentari shquhej për talentin në aktrim, përveç instrumentit. Shkruante humor e monologë të një ironie të hollë e elegante, që e bënte të pashmangshëm magnetizmin dhe suksesin, por dhe plotësinë e këtij grupi, që ofronte spektakël unik.
Për gjashtë vite me radhë, kjo trupë dhe formacioni i tyre orkestral gëzuan një sukses të pazakontë. Turnetë e tyre zgjasnin me muaj në qytetet kryesore të vendit e në mënyrë të veçantë në Tiranë. Radha e qytetarëve në biletarinë e Teatrit Popullor fillonte në orët e para të mëngjesit.
Ata kujtojnë se kur ktheheshin natën vonë në hotel, poshtë derës gjenin kërkesat për bileta me emrat shoqëruar. Orkestra erdhi për një natë e për një shfaqje në Teatrin Popullor e qëndroi një muaj për të dhënë 30 të tilla.
Ja si i kujtojnë ata dashamirës, bashkëkohës e të njohur që na shkruajnë shpesh:
• I kujtoj të dashurit e tu me dhimbje e lot. Qofshin të paharruar! (Meri Lalaj)
• Muzikantë dhe njerëz të mrekullueshëm. Kush i njohu e nuk i kujton me mall! (Ruzhdi Keraj)
• Respekt pa fund! Miq të vërtetë, artistë e njerëz me vlera. I paharruar do të mbetet kujtimi i tyre (Rajna Kovaçi)
Kur ishin në Pogradec, babi (Lasgushi) na çonte gjithmonë të shikonim koncertin e vëllezërve Darova, që ishin një pjesë e Europës së kulturuar në ferrin shqiptar. (Marie Lasgush Poradeci)
• Aktiviteti i vëllezërve Darova në Pogradec ishte ngjarje e madhe e guximshme kundër ferrit komunist. Fuqia e tyre mbështetej në aprovimin e heshtur të qytetit, duke marrë pjesë e duke mbushur lulishten çdo natë, edhe pse spiunët gëlonin; sidomos bashkimi i të pestëve ishte i një rëndësie të veçantë kundërshtimi ndaj ferrit që shkretoi mendjet e një populli të tërë.
Jam e nderuar që kam qenë pjesë e asaj kohe dhe kam qenë mikja e familjes suaj (Lavdie Mato).
• Nëse do të kisha diçka në dorë, do t’i propozoja për qytetarë nderi të Pogradecit. (Elida Ristani)
• Respekt dhe nderime për këta njerëz, që u përballën me bishat më të ndyra të kësaj toke. (Josef Radi)
• Ishin të respektuar. E kanë nderuar Pogradecin! Janë krenari! (Pëllumb Starova)
• Vëllezërit Darova kanë bërë histori në muzikën shqiptare, shembull në formacionet orkestrale. (Mehmet Llubani)
• Respekt për këtë brez të persekutuar në mënyrën më çnjerëzore nga ai sistem barbar! Respekt për këtë familje të nderuar! Kemi pasur fatin t’i kishim miq të familjes. Ruaj kujtimet më të mira. I kujtoj me nostalgji mjeshtrit e muzikës pogradecare. (Art Koka)
• Nuk kam pasur fatin t’i shikoj “live”, por babai më ka folur shumë për vëllezërit dhe artistët e Pogradecit. Respekt pa fund! (Bruno Simaku)
• Më kujtohet se dikur Pogradeci ka pasur një Hotel Turizmi edhe më të vjetër. Me shije të hollë fisnikësh. Rrethuar me pemë, me një lulishte përpara, një kafene e pastiçeri. Me pasqyra dhe dritare të mëdha. Freski e paparë në verë. Mbrëmjeve aty luante orkestra e muzikës së lehtë të Pogradecit. Kam qenë fëmijë në ato vite. Më kujtohet se kishte edhe vëllezër instrumentistë. Virtuozë. Më ka mbetur në mendje se midis tyre kishte biondë. Ose është një fanepsje ndriçimesh që vinin si reflektim i të verdhës së instrumenteve mbi fytyrat, trupin dhe flokët e pjesëtarëve të orkestrës. I gjithë qyteti nuk linte rast pa shkuar të shijonte artin e tyre. Muzika e lehtë shqiptare në përgjithësi dhe ajo e huaj përhapeshin luajtur në mënyrë virtuoze dhe kënduar me mjeshtëri. (Artan Fuga)
Jo pa qëllim vendosa në fund të dëshmive e kujtimeve të shprehura të nderuarin profesor Artan Fugën, sepse më ka bërë shumë përshtypje vëzhgimi i tij për të kuptuar atë që ishte dhe sekreti i suksesit të tyre. Ishte një formulë komplete, magjike. Talent muzikor, repertor i zgjedhur, harmoni njerëzore.
Raporti i tyre vëllazëror ka qenë i shkëlqyer e dashamirës derisa mbyllën sytë njëri pas tjetrit. Ndoshta ishte dashuria e madhe që ushqenin për njëri-tjetrin dhe për muzikën që përçoi te publiku frymën e të veçantës, të së papërsëritshmes. Ata gëzuan sukses, sepse ishin të pandarë në të mirë e në të keq. Çdo event të bukur apo të vështirë e shoqëronin me humor të hollë, herë të bardhë e herë noir. Jetët e tyre u jetuan për atë dritën në fund të tunelit.
I kthehem profesor Artan Fugës, sepse në një shkëmbim me njërën nga mbesat e vëllezërve, i emocionuar që mësoi më shumë për ta,
u shpreh: “E ruaj të verdhën e tyre si një ar që iu binte nga sipër e i mbulonte me një ndriçim hyjnor të artit të tyre. I vogël ose krejt adoleshent, përpihesha nga muzika e tyre dhe ndieja që vinte nga një botë tjetër. Dhe kur pësh pësh-et më vinin në vesh se ata vinin nga familje ar miqësore, në shpirtin tim ndodhi thyerja: ar miqtë qenkan të mirë, qenkan virtuozë, qenkan prodhues arti të madh. Nuk ishte vetëm arti, ishte e gjithë performanca”.
Vëllezërit Darova, gjatë veprimtarisë së tyre muzikore, lidhën miqësi me personalitete të botës muzikore, si vëllezërit Prodani, Alfons Balliçi, Ferdinand Deda, Agim Krajka, Tish Daija, Çesk Zadeja etj.
Helena Kadare, në librin e saj autobiografik, kujton Ilirjanin, me të cilin rrinte në bankë në gjimnazin e Elbasanit, si dhe performancën e muzikës së vëllezërve Darova.
Një miqësi e veçantë lindi edhe mes miqve të huaj të disa trupave diplomatike të akredituara në Tiranë, kapitenëve të flotave detare, si dhe inxhinierëve çekë e polakë, që frekuentonin ambientet e Turizmit të Pogradecit. Me këta të fundit lidhet edhe historia e dhuratës së çmuar që erdhi nga Çekia për kitaristin e grupit (Agim Darova). Ishte një kitarë elektrike, që në ato kohë ishte i pari dhe i vetmi instrument elektrik në Shqipëri.
Inxhinieri çek do të mbetej në kujtesën e miqësisë pogradecare edhe për këngën e tij të preferuar çeke, “Kristinka”.
Në ecejaket e delegacioneve, kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, vizitonte shpesh Turizmin e vjetër të Pogradecit, ku luante orkestra e vëllezërve. Në një darkë vere, orkestra Darova, për nder të ministrit të Jashtëm rumun, luajti shkëlqyer një këngë të njohur rumune, duke e kapur në befasi ministrin, i cili iu drejtua Mehmet Shehut me fjalët: “Një orkestër si kjo mund të luajë në çdo vend të botës”. Mehmeti u kthye nga shoqëruesi i delegacionit dhe e pyeti: “Cilët janë këta?”
Shoqëruesi i shpjegoi shokut Mehmet se orkestrantët vinin nga një familje ar miqësore e me njollë të madhe në biografi… nga familja Starova. Kaq mjaftoi që Mehmet Shehu personalisht të firmoste urdhrin e radhës të dëbimit e shpërndarjes së orkestrës, ndjekur nga persekutimi i mëtejshëm.
Kjo ngjarje vendosi fundin e shkëlqimit të vëllezërve Darova dhe të trupës së estradës.
Muhameti, me ndihmën e Thoma Dejanës, ministër i Arsimit dhe mik i ngushtë i të atit, u emërua drejtues muzike në fillim në Rubik e më pas në Laç dhe Krujë. E ndoqi më pas Agimi dhe familjet që ndërkohë kishin ndërtuar. Mentari u vendos në Gjirokastër, ndërsa Ilirjani kaloi vite të tëra në internime të njëpasnjëshme.
Falë integritetit, përkushtimit, talentit dhe vullnetit ndaj punës, vëllezërit kontribuuan në jetën artistike të qyteteve ku jetuan.
Por ishte e natyrshme për atë sistem për të mos i lënë të qetë. Në vitet ‘80, në Komitetin e Partisë të Krujës, mbi tavolinën e Sekretarit, qëndronte një zarf i bardhë që nxinte biografinë e vëllezërve. Letra mbante firmën e një sekretari partie të qytetit të Pogradecit, me inicialet K.K.
Bashkëshortja e Agimit, bija e një tjetër figure të njohur të intelektualëve korçarë, Xhevdet Kapshtica, nuk u lejua të punonte më si mësuese pas 20 viteve dhe u dërgua punëtore në Ndërmarrjen Artistike të qytetit. Vëllezërit, nga Shtëpia e Kulturës, përfunduan drejtues kulture në Ndërmarrjen Bujqësore dhe atë Artistike.
Pas një suksesi të madh dhe një kupe të fituar në një konkurrim kombëtar, edhe në Komitetin Ekzekutiv të Gjirokastrës mbërriti një letër e zezë për biografinë e familjes Darova nga drejtori i Estradës së Korçës në ato vite me inicialet K.Q. Mentari u hoq nga puna si aktor e orkestrant në Estradën e Gjirokastrës.
E megjithatë, në 30 vjet aktivitet kulturor, vëllezërit drejtuan grupe artistike, kompozuan këngë (në anonimat të plotë), krijuan dhe konkurruan në teatër dhe estradë, formuan me dhjetëra instrumentistë në shtëpitë e pionierit, të cilët sot janë muzikantë të zotë.
Qyteti i Krujës dhe ai i Gjirokastrës vlerësuan punën e tyre dhe ata fituan një respekt të padiskutueshëm, që ruhet ende i freskët.
Kureshtare, ndërsa vendosa të shkruaj mbi historinë e vëllezërve Darova,
kërkova në faqen e qytetit të Pogradecit nëse në historinë e trupës së estradës do të gjeja të dhëna mbi kontributin e tyre. Më mbeti një shije e hidhur. Asnjë informacion, as edhe një shenjë të vetme për atë periudhë, kur ai formacion muzikor kishte qenë një perlë e çmuar në historinë e artit dhe të muzikës pogradecare.
Për të ma lehtësuar dhimbjen, më erdhi në ndihmë thënia e Adriatik Kallullit: “Pogradeci është liqeni, Lasgushi dhe orkestra e vëllezërve Darova”.
Shënim : Pa pretenduar se kam treguar gjithçka, sepse për një monografi të vërtetë duhet hulumtuar në arkivat e qytetit të Korçës dhe Tiranës, falënderoj familjarët, pa të cilët nuk do të mundja ta ndërtoja këtë rrëfim: Brikena Krasta (Darova), Lavdie Haxhillari (Darova), Nadja Darova, Enkeleta Tupja ( Darova), Mirgjen Darova dhe të gjithë të njohurit dhe dashamirësit e familjes, për dëshmitë dhe përshtypjet e bukura që kanë ruajtur për vëllezërit Darova./Naishtedikur.com/