Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar kushtet për sa i përket rregullave për importin e automjeteve nga jashtë në Shqipëri.
Para se të importoni një mjet rrugor, duhet të verifikoni a përmbushet kategoria mjedisore?
Nëse mjeti nuk përmbush kategorinë e duhur mjedisore, ju nuk lejoheni ta importoni në Shqipëri apo ta regjistroni në DPSHTRR!
Cilat mjete lejohen të importohen/regjistrohen?
EURO 5 e sipër:
Autoveturat e reja me 0 km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër;
Mjetet motorike të tjera të reja si: Autobusë dhe Automjete për Transport të Përzier (ATP, ATV, APV) të kategorive M2 dhe N1, me 0 km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër.
EURO 4 e sipër:
Autoveturat e përdorura, të gjitha ato që nuk janë me 0 km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër.
EURO 3 e sipër dhe me moshë jo më shumë se 15 vjet:
Mjetet motorike të tjera të përdorura si: Autobusë dhe Automjete për Transport të Përzier (ATP, ATV, APV) të kategorive M2 dhe N1, të gjitha ato që nuk janë me 0 km dhe që janë regjistruar për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër më parë, të cilat përmbushin normën EURO 3 dhe duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri!
KUJDES – me datë regjistrimi kuptojmë targimin në DPSHTRR! Verifikoni moshën e mjetit! Në datën e regjistrimit (targimit për qarkullim në Shqipëri) mjetet e kësaj kategorie duhet të jenë jo mbi 15 vjet nga data e prodhimit! Shembull: Afati i fundit për regjistrimin dhe targimin e mjeteve me vit prodhimi 2007, është 31 Dhjetori 2022!/Oranews/