Categories
Histori Personalitete

1 dhjetor 1885, lindi Eqrem bej Vlora, veprimtar i çështjes shqiptare, diplomat, politikan, shkrimtar dhe historian shqiptar

Eqrem bej Vlora (Vlorë, 1 dhjetor 1885 – Vjenë, 25 maj 1964) që hera-herës emri i figuron edhe në trajtën Ekrem ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, diplomat, politikan, shkrimtar dhe historian shqiptar. I emëruar Beu i fundit, diplomati Pietro Kuaroni e përshkruan se “ka qenë, pa dyshim, personaliteti më inteligjent… që kam takuar në Shqipëri. Një mendje e kthjellët, e ndritur dhe e prerë, zhveshur nga retorika dhe nga iluzionet e kota

U lind në Vlorë më 1 dhjetor 1885, i biri Syrja bej Vlorës dhe i Miri hanëm Toptanit.[2] Familja e tij ishte një nga familjet më të pasura të trojeve shqiptare të jugut, por pas Tanzimati si pasuria ashtu edhe influenca e tyre ra. Falë zotësisë së të atit në ekonomi e administrim, pasuria e familjes së tij u dhjetëfishua duke iu afruar kështu gjendjes së para-Tanzimatit.[3]

Qysh në fëmini pati mësues privatë: një djalosh italian, inxh. Luigji Bekali (Luigi Beccali) nga Mesina, dhe shqiptari Mehmet efendi Lusi (Luzaj[4]), hoxhë i Kaninës që më vonë do zëvendësohej nga prof. Jusuf Riza efendiu. Gjermanisht nxuri nga z. Fajgenvinter (Feigenwinter) nga Baseli. I pari do të ishte mësuesi i tij i përhershëm, i dyti mësuesi i tij i fesë duke nxënë kështu mësimet fillore mes viteve 1891-96.[5]

Në vitet 1899/1900-1906 nisi studimet liceale dhe universitare në Theresianum, Akademia Orientale mbretërore e perandorake në Vjenë, ku u specializua në çështje ballkanike. Plotësoi studimet për doktoraturë në drejtësi në Stamboll në 1904.[6] Gjatë udhëtimeve në Lindje të Mesme do të krijonte njohje me personalitete të larta të kohës, Fild-Marshallin britanik Herbert Kitchener, shefin e Shtatmadhorisë Austro-Hungareze Franz Conrad von Hötzendorf, dhe togerin e ri Mustafa Kemal Atatyrk[7] dhe sheikë të shumtë arabë që kishin qeverisë apo do qeverisnin rajone e shtete të Lindjes së Afërme e të Mesme.

1906, Sekretar i gradës së III në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. 1907, Sekretar i gradës së III në Ambasadën e Perandorisë Osmane në Shën Petërburg për tre muaj. 1909, Sekretar i II në zyrën e përkthimeve Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Hapën të parin klub “Bashkimi” në Stamboll më 1908 me miqtë e tij. Punonte të botonte gazetën e re “Shqiptari” bashkë me ikanakun nga Struga, Dervish Hima dhe shkodranin Hilë Mosin.[8] Po atë vit merr mandat nga kolonia shqiptare e Stambollit që bashkë me Dervish Himën t’i përfaqësojë në Kongresin e Manastirit por pengohet nga shefi i tij.

Gjatë Luftës së Parë Ballkanike ai shërbeu si komandant i batalionit territorial të Vlorës me gradën major në rezervë, i caktuar nga kryekomandanti dhe zëvendësvaliu Esat pashë Halasti.[9] Pas luftimeve të suksesshme me forcat greke në zonën e Bregut ai u thirr në Vlorë nga xhaxhai i tij, Ismail beu.

Më 1912, u bë zëvendës president i Senatit/Pleqësisë ndonëse 27 vjeçar.[10] Me rënjen e qeverisë së parë dhe vendimin e Komisionit Ndërkombëtar për të prurë një fisnik evropian për t’u kurorëzuar Mbret i Shqipërisë, ai ishte pjesëtar i dërgatës (si përfaqësues i Tiranës e Shijakut) për në Neuwied të takonin Princ Vidin, i cili ishte zgjedhur për të mbretëruar në Shqipëri. I atashohet Princit Vid si sekretar dhe përkthyes. 1914, Zv/Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme Shqiptare. Ai ishte mbështetës i Fuqive Qendrore, arsye për të cilën u mbajt nën arrest në Itali si austrofil për gjysmën e dytë të Luftës së Parë Botërore e deri më 1919, i internuar në Sardenjë[1] përgjatë krejt asaj kohe, ku nxuri edhe spanjishten. 1921, Kandidat për Kryetar i Bashkisë Vlorë. 1923, deputet i Kuvendit Kushtetues, duke përfaqësuar pref. e Vlorës në krahun konservator por shpesh i joshur nga ideja t’i bashkohej krahut që ai quan demokratik, i cili kryesohej nga Noli e Gurakuqi.

Në 1925, u bë senator për një periudhë të shkurtër kohe derisa zevëndësohet nga Isuf Dibra.[11] Më 1925 i dha fund beqarisë, u martua me Hadijen – të bijën e Salih pashë Vrionit. “Ishte një martesë me mendje dhe jo me dashuri”, e përshkruan te kapitulli “Beu i fundit”, por e quan “zgjedhje të qëlluar dhe fatlume”. Me të do të ketë dy vajza, Shehzaden që leu në Vlorë dhe Aishen. Më 1927 emrohet i ngarkuar me punë në Londër, u thirr në Tiranë dhe pas pak kohe të kaluar si i ngarkuar me punë në Athinë më 1929-’30,[6] dha dorëheqjen nga shërbimi diplomatik shqiptar.

Më 1933 del në pah si Sekretar Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Më 1934 zuri vendin e Sekretarit të Përgjithshëm në atë Ministri. Më 1936 u zgjodh për postin e ministrit shqiptar në Berlin por prej një gabimi që e futën në listat zgjedhore të fundit të janarit 1937.[12] 10.02.1937 – 05.04.1939, Deputet i Vlorës. Mik i ngushtë i baroneshës bavareze Marie Amelie von Godin, me të cilën ai përktheu Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjermanisht i ndihmuar në përkthim nga etërit françeskan të Shkodrës aty nga 1938.

Push timi italian dhe veprimtaria gjatë Luftës së Dytë Botërore
Mbas 7 prillit 1939 përfaqëson pref. e Vlorës në Asamblenë Kushtetuese gjer në prillin e 1940 kur Asamblea u suprimua dhe u zëvendësua nga vëllai, Safa. Më pas u bë Kryetar i Zyrës së Punëve Civile, Kryetar i Zyrës Ceremoniale në “Luogotenenca” Tiranë.

Eqrem bej Vlora renditet në atë grup njerëzish që më vonë do etiketoheshin si “kolaboracionistë”. Gjatë qeverive kolaboracioniste ishte bashkë me Dimitri Poppan dhe Gjon Marka Gjonin një nga tre anëtarët shqiptarët të Këshillit të kancelarisë së Urdhërave Besa dhe Skënderbeu nën sovranitetin e mbretit të Italisë.[13] Në prillin e 1940 u bë pjesë e Institutit të Studimeve Shqiptare.

Me Dekret Mëkambësor nr. 333, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijua Ministria e Tokave të Lirueme, e cila ekzistoi deri në shkurt 1943.[14] Në 7 maj 1942, Mustafa Kruja e emëroi atë ministër për Kosovën, Dibrën, Plavën e Gucinë që iu bashkuan Shqipërisë “së vjetër”. Nën kujdesin e tij si ministër, u lëvizën94 familje dhe 87 individë hebrenj në drejtim të Shqipnisë së mbrendshme nga Prishtina sipas politikës të vetë kryeministrit.[15] Cilësohet “ish-diplomat turk dhe nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja.”[16]

Në verën e vitit 1944, ai u bë ministër i Jashtëm dhe i Drejtësisë para se të shkonte në mërgim në Itali me ardhjen e komunistëve në pushtet. Qëndroi për 10 vite në Itali derisa u shpërngul në Austri prej ku i shkruante familjes me nofkën Adalgisa Rosi.[17] Vdiq në krah të bijës së baxhanakut, Hanës së Ali Këlcyrës në mbrëmje kur mbeska kishte thirrur urgjencën prej një ligështie në zemër të beut të moçëm.[18]

I përshëndetur dhe i përhironjur nga Koliqi tek “Shêjzat”,[6] eshtrat iu prehën në varrezat Neustift am Walde të kryeqytetit austriak deri në marsin e 2014 u muar vendimi i Këshillit të Ministrave për t’ia riatdhesuar eshtrat dhe varrosjen e tyre në Kaninë më 30 mars, ku historikisht qenë varrosur Vlorajt në tyrben e tyre./Wikipedia

error: Content is protected !!