Luigj Gurakuqi – Regjisor – Mjeshtër i Madh
(1928 – 2006)
Luigj Gurakuqi u lind në Tiranë, në 13 Janar 1928. Lidhja e tij me jetën artistike do të fillonte në vitin 1944, kur u bë pjesë e Trupës së Korit të Shtetit dhe më pas në vitin 1950 në Ansamblin e Ushtrisë.
Studimet e larta i filloi në Moskë në Institutin Teatral GITIS në vitet 1959 – 1961 dhe i vijoi në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu” pranë Teatrit Popullor. Në vitin 1964 mbron diplomën duke vënë në skenë operan “Peshkatarët e Perlave” të Bizet.
Gjatë viteve në Teatrin e Operas dhe Baletit ai realizoi regjinë e mjaft operave dhe operetave të repertorit shqiptar e atij botëror, si “Rigoleto”, “Maçoku me çizme”, “Lulja e kujtimit”, “Mrika”, “Zgjimi’, “La Bohème”, operetës “Princesha e Çardashit, “Dhëndrri u transferua”, “Brigada e grave”, etj. Gjithashtu firmën e tij mbajnë regjitë e shumë koncerteve të organizuara nga TOB, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, deri tek koncertet e trupave amatore, ku ka bërë edhe rolin e konferencierit. Puna si regjisor nuk e largoi nga mësimdhënia.
Për shumë vite me rradhë ka qënë pedagog i klasës së operas në Institutin e Lartë të Arteve si dhe pedagog i mjeshtrisë së aktorit duke përgatitur nga ana e mjeshtërisë skenike shumë studentë, që janë sot emra të njohur të skenës shqiptare.
Ka dhënë një ndihmesë të cmuar për lëvizjen artistike amatore të Tiranës. Ka drejtuar nga ana regjisoriale evente të rëndësishme muzikore si: “Koncertet e Majit”, apo “Festivalet Folklorike të Gjirokastrës”, etj.
Gurakuqi është marrë gjithashtu me shkrime kritike e teorike mbi artin operistik, ka përkthyer shumë vepra operistike të huaja që janë shfaqur në Teatrin e Operas, ku mund të përmendim “Kalaveria Rustikana”, “Berberi i Seviljes”, “Carmen”, “La Bohème”, “Otello”, “Tosca”, etj. Ka shkruar libretin e operas” “Heroina” dhe të operetës “Karnavalet”.
Për kontributin e tij si regjisor i TKOB, pedagog në “Akademine e Arteve”, përkthyes, prezantues, aktor, studiues, regjisor i festivaleve të para në RTSH, autor i mjaft teksteve të këngëve, Luigj Gurakuqi është vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Burimi: Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor