Isa Boletini (Boletin, 15 janar 1864 – Podgoricë, 23 janar 1916) ka qenë figurë kombëtare dhe kryengritës shqiptar në Vilajetin e Kosovës, pjesëmarrës në rini në veprimet e Lidhjes së Prizrenit. Më pas shërbeu si kryetar i rojeve të pallatit sulltanor, prej ku u kthye me nishane (grada) dhe çifligje, pas ardhjes së xhonturqve dhe masave të tyre drejtoi kryengritjet e 1910 dhe atë të 1912. U caktua ndër rojet e Princ Vidit gjatë sundimit të tij jetëshkurtër. Humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri në Podgoricë.
Mbiemri origjinal i familjes Boletini, është Maksutaj, nga fisi shalë, të vendosur në fshatin Isniq të Deçanit. Më vonë migruan drejt fshatit Boletin, prej nga morën edhe mbiemrin. Bëmat e tij u bënë legjenda, dhe arratisjet e tij nga turqit e serbët përralla. Në moshën 17 vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane.
Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë. Ai mori pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës ku u mori përsipër që vendimet e Kuvendit do t’i zbatonte me përpikmëri. Por armiqtë shekullor të Shqipërisë si gjithmonë, sa e panë se shqiptarët filluan të organizohen, gjetën një kalë troje që e futën në mes për të perçarë shqiptarët. Pikërisht kur Lidhja e Pejës po merrte po atë shtrirje e atë karakter Kombëtar si të Lidhjes së Prizrenit, me dorën tradhtare të shqiptarit Mahmut Zajmi të shitur te osmanlia e te Serbia, më 1901 e vau kryetarin e Lidhjes së Pejës, të madhin Haxhi Zeka.
Betejën e parë me ushtrinë osmane Isa Boletini e ka bërë në vitin 1895. Valiu i Kosovës Hafiz Pasha i dha urdhër majorit Mehmet Efendiut që ta sulmonte në befasi Isa Boletinin ditën e Bajramit. Por Isai ishte mësuar me pabesitë e osmanlijve dhe rrinte gjithmonë në pritje për çdo të papritur. Në atë kohë majori turk në krye të një taborri ushtarësh u nis për Boletin. Ndërkohë Isai i kishte zënë pusi atje ku ai nuk e priste dhe jo vetëm që e shpartalloi ushtrinë osmane po vau shumë prej tyre dhe vetë majorin që e la kokën në luftë. Ndërsa Isai me forcat e tij i shkoi në fshatin Banjë dhe i çoi fjalë Veliut: “Shnosh e mirë arrita në Banjë, ndërsa majorin Mehmet Efendiun e lash në Boletin. Po të doni urdhnoni edhe ju se po ju pres si majorin”. Kjo fitore u përhap si rrufe në tërë Kosovën dhe autoriteti i Isait urrit shumë sidomos në Kosovën Veriore. Në atë kohë Kulla e Boletinëve u bë një vend peligrinazhi ku shkonin shumë vizitor jo vetëm shqiptar, po edhe gazetarë e korrespondent të huaj gjë e cila i ra në sy qeverisë osmane. Mbështeti rilindësit shqiptarë, veçanërisht për shkollat, madje ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe për Boletinin e Shalës.
Në vitin 1902 u hap lajmi në të gjithë Kosovën se së shpejti në Mitrovicë Rusia do të hapte një konsullatë. Qëllimi i saj ishte për t’i shkuar në ndihmë Serbisë. Në atë kohë Isa Boletini, sa e mësoi atë lajm, i çoi fjalë Valiut duke i thënë se ai nuk do ta lejonte që të hapej konsullatë ruse në Mitrovicë. “Na nuk do të lejojmë kurrë që të vijë kangjalloz të Miskokit në Mitrovicë”, i tha Isa atij. Ky ultimatum e shqetësoi shumë qeverië osmane sepse ajo e kishte pranuar me protokoll qeveritar hapjen e konsullatës dhe ajo vendosi që me çdo kusht ta largonte nga Kosova Isa Boletinin. Por ajo e kishte shumë të vështirë ta bënte atë veprim se me Isain nuk ishte më vetëm Shala, por Mitrovica me Vushtëri e Llap. E ndodhur para këtij fakti, ajo vendosi që ta bindë me të mirë Isa Boletinin.
Mbas shumë përpjekjesh ajo ia arriti qëllimit që ta bind Isain që ai të shkonte në Stamboll, por Isai iu vuri këto kushte:
1) Konsullit rus t’i ndalohej ardhja në Mitrovicë
2) Të lihem i armatosun e me shokë
3) Të banojë vetëm në Stamboll
Mirëpo në pikën e parë qeveria e tradhtoi, sepse konsulli rus shkoi në Mitrovicë. Por populli që ishte lidhur me besë se nuk do ta lejonte të hapej konsullata ruse në Mitrovicë, u çua në këmbë dhe filoi luftën. Në atë kohë Konsulli rus që ishte artilier, doli vetë të komandonte topçijt kundra shqiptarëve. Një rezervist shqiptar në ushtrinë osmane pyeti: “Po kush asht ai që po komandon topçijt? Dhe kur i thonë se ishte kangjalozi rus, ai menjëherë ia ktheu pushkën dhe e vau. Në Stamboll Isai mbajti një qëndrim të papërfillshëm ndaj pashallarëve e qeveritarëve dhe shtëpia e tij ishte kthyer në një vend strehimi për patriotët dhe shtëpi bamirësie për hallexhinjtë që shkonin nga Kosova. Nga Stambolli Isa Boletini u lirua të kthehej në Kosovë pas katër vitesh, më 1906 kur Rusia u mund në luftë nga Japonia se përndryshe s’kishte për t’u liruar kurrë. Kur ia komunikuan lrimin ai tha: “Ma çoi Zoti Zhapanin (Japonezin) në ndihmë e ia theu kryet Muskovit (Rusisë) e mue m’u dha mundësia të kthehem në Kosovë”. Sulltani i dha titullin Bej, (pasha) e çifliqe në Stamboll, vetëm të rrinte atje, por ai iu përgjigj: “Ma i mirë asht Boletini, se Stambolli”.
Mbas kthimit në Kosovë Isai priti e përcolli miq e dashamirë dhe merrte informata nga ata që e vizitonin se si i kishin punët me qeverinë në vendet e tyre. Me këtë ai ia blente mendjen seicilit e duke pa se pothuaj të gjithë ishin të pakënaqur e të gatshëm për veprim, ai me shaka u thoshte: “Po sikur të fillonim ndonjë kryengritje për të fituar të drejtat tona, a jini të gatshëm të baheni fidakqor? (flijuar)”, dhe të gjithë iu përgjigjën se ishin gati. Më 1901-1902, Boletini u caktua si koka e “Rojeve shqiptare” të Sulltan Abdul Hamid II (1876-1909) në Stamboll, ku kaloi 4 vitet e ardhshme. Ai qëndroi në këtë pozitë deri më 1908, kur në nëntor ai i dhá përkrahjen Revolucionit Xhonturk. Ishte një nga organizatorët e Kuvendit të Ferizajt (1908) që luajti rol të rëndësishëm në shpalljen e Kushtetutës. Iu kundërvu politikës reaksionare e antishqiptare të xhonturqëve. Kur Xhavid Pasha dërgoi 7,000 burra me në krye Dervish pashën drejt Shqipërisë që të nënshtronte Kosovën, Isa Boletini me një grusht burrash shtjelluan një mbrojtje të guximshme. Gjatë dëbimit trupat osmane dogjën kullën e familjes së tij në shenjë hakmarrje.
Armiqësia ndaj serbëve nisi po më 1908, kur Isa me njerëzit e vet çarmatos bandat serbe të komanduara nga konsulli rus i asaj kohe, të furnizuara me armë po nga Rusia. Në 1909 Boletini udhëhiqte betejat nga Prishtina në Prizren e më tej edhe më gjërë, Burri i Kosovës luajti rolin qendror si kryetar i kryengritjes të përgjithshme në pranverë të 1910 kur udhëhoqi luftëtarët në betejat e zhvilluara me ushtrinë turke në zonat Shtimlje-Carralevë më 1910 ku turqit thyhen keqas e më pas ndërton edhe njëherë shkollën shqipe dhe kullën që edhe sot qëndrojnë, e më tej kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi, Rusisë e Austro-Hungarisë (kjo e fundit u përball me aneksimin e synyar të Sanxhakut) në Shqipëri. U dallua si udhëheqës e organizator i kryengritjeve të mëdha popullore antiosmane të viteve 1910-1912. Mbështeti kryengritjen antiosmane të v. 1911, udhëhoqi forcat kryengritëse në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë më 1912. Gjatë Luftës Ballkanike në tetor 1912, u vu në krye të çetave të armatosura vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pusht uesve serbë. Në këtë periudhë emri i tij u lakua e komentua shumë në shtypin e kohës i lidhur me betejat e Cernalevës, Kaçanikut, Shkupit dhe të Kalasë së Mitrovicës, ku gjeti vdekjen edhe konsulli rus që ndihmonte serbët në operacionet kundër shqiptarëve.
Isa Boletini në Vlorë
Në ditët e pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës,- ku tregohet se Ismail Qemali i ofroi një post ministri, e Isa ìa ktheu “Jo Ismail, se duhen njerëz të shkolluar”, dhe i rekomandoi M. Derallen. Këtu ngarkohet dhe krijon Gardën e parë të Ushtrisë shqiptare duke vendosur rregull në disa zona të jugut e duke mbrojtur zonat e bregdetit nga forcat greke. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar e përfaqsues i Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Historiani Edwin Jacques tregon një anekdotë që trajton sa vijon: “Sa hyri në godinën e Ministrisë së jashtme britanike që të mbronte çështjen e kombit të tij, polici i sigurisë i kërkoj të hiqte revolen nga brezi dhe t’a linte në vendin e posaçëm ngaqë duhet të hynte i paarmatosur. Ai e dorzoi pa u ankuar. Gjatë takimit, ministri i jashtëm, Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin drejt vendit për të rimarrë revolen e tij. Ku ministri qeshi, ‘Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, që as Mahmut Shefqet Pasha s’mund t’a çarmatoste, sapo u çarmatos në Londër.’ Boletini ia ktheu me një përqeshje të butë, ‘Jo, jo, as në Londër!,’ dhe nxori nga prapa një revole të dytë.”
Shqiptarët që shkuan në Londër lanë përshtypje të mira (edhe pse në rrezerva i vetmi që përballonte nivelin e homologëve ishte Luigj Gurakuqi,- sipas At Gjergj Fishtës). Në një rast kur Aubrey Herbert si kryetar i komitetit bashkë me Tonin Prekên shërbyen si përkthyes mes Isa Boletinit e z. Lloyd George ku u tha sa vijon,
“Thuaji atij,” tha Isa, “që unë jam malësor, ashtu si është ai, dhe që unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi atyre që vuajnë.” E tha me shumë shprehi, ”E thuaji që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Fushë Kosovën me eshtrat e serbëve, sepse ne shqipëtarët kemi vuajtur shumë për të harruar.”
Në takimet e shpeshta Gjenerali me qeleshe të bardhë la një mbresë të fortë të zakoneve shqiptare, ku askush nuk mund ta shihte pa e admiruar atë. Ai zuri shumë miq, që i treguan lavdinë e Londrës. “Por prapë,” ai i thoshte mikut të tij Aubrey Herbert, “madhështore siç është, e të sjellshëm siç jeni ju Anglezët, Unë nuk do ta ndërroja këtë me shkëmbijtë dhe lumejt e mi.” Ai u kthye në Shqipëri, ku trupat e tij mbrojtën Princ Wilhelm zu Wied deri në nisjen e tij nga Shqipëria, dhe me mbështetjen e kolonelit holandez Thomson, krijon xhandarmërinë e parë shqiptare. Më vonë Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër push tuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnis. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia!” kur Ibrahim Pasha u kërkoj shaljanëve me Isën në krye të mos niseshin për në Shkup e u premtoi poste. Më 1916 gjendet në Shkodër për të organizuar mbrojtjen nga malazezët. Më 23 janar 1916 u v ra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë, së bashku me të bijtë Halilin dhe Zahidin, nipërit Jonuzin dhe Halitin dhe tre luftëtarë të tjerë.
Isa Boletini i dha kuptim luftës së kosovarëve për Shqipëri të përbashkët.Vepra e Isa Boletinit është nderuar në çdo kohë në gjithë Shqipërinë etnike. Emrin e tij e mbajnë shkolla, rrugë, lagje e sheshe. Gjithashtu ka një batalion special të ushtrisë shqiptare, që u instalua në Irak, që mban emrin e Isa Boletinit.
Tituj popullorë:
Hero i Popullit.
Referencat:
Kujtimet e Aubrey Herbert
Zbulohen eshtrat e humbura t’Isa Boletinit
Jeta dhe vdekja e Isa Boletinit :: Shpirti i Shqiptarit :: Shqiptare te bashkuar per nje Shqiperi te bashkuar ! (Vikipedia)
Tafil Boletini: Pranë Isa Boletinit, kujtime…/Radiokosovaelire