Categories
Art Histori Kulture Personalitete

22 janar 1891 lindi në Sardenjë politikani dhe filozofi arbëresh Antonio Gramsci

Shkrimtari, filozofi dhe politikani i njohur Antonio Gramsci, me origjinë arbëreshe lindi më 22 janar 1891 në Sardenjë. Ai ishte i katërti nga shtatë fëmijët që patën Francesco Gramsci dhe Giuseppina Marcias-i.

Të parët e Antonios nga ana e babait ishin me origjinë nga qyteti i Gramshit në Shqipëri, dhe mund të kenë mbërritur në Itali që në shekullin XV. Në publikime të ndryshme shkruhet se është e dokumentuar me akte të gjetura në arkiva se në shelkullin e XVIII katragjyshi i tij Gennaro Gramsci, i martuar me Domenica Blajotta-n, zotëronte në Plataçi, komunitet arbëresh i rajonit të Kastrovilarit, toka që më pas u trashëguan nga Nicola Gramsci (1769-1824), i cili u martua me Maria Francesca Fabbricatore-n, dhe nga martesa e tyre lindi Gennaro Gramsci (1812-1873), që ndërmori karrierën ushtarake në xhandarmërinë e Mbretërisë së Napolit dhe, kur ndodhej në Gaeta, u martua me Teresa Gonzales-in, bijën e një avokati napoletan me origjinë spanjolle. Fëmija i tyre i dytë qe Francesco-ja (1860-1937), babai i Antonios. Në moshë të re Antonio Gramsci fillon të lexojë shtypin socialist që i vëllai Gennaro i dërgon nga Torinoja.

Bashkë me shumë të rinj të liceut Dettori, merr pjesë në “betejat” për afirmimin e mendimit të lirë dhe në diskutime me karakter kulturor dhe politik. Në shkollë dallohet për interesat e tij të forta kulturore, lexon jshumë (sidomos Croce-n dhe Salvemini-n), por zbulon edhe një prirje të konsiderueshme për shkencat e sakta dhe matematikën. Pasi merr diplomën e liceut, më 1911-ën fiton një bursë studimi për Universitetin e Torinos ku regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe frekuenton mjediset e emigrantëve sardë.

Shfaq interes për tokën e tij, gjë që reflektohet në shkrimet me karakter të përgjithshëm mbi problemin e jugut ashtu edhe për sa u takon traditave dhe zakoneve. Interesat politike i ishfaq fillimisht si organizator i palodhur nismash të shumta. Pas disa vitesh martohet në Moskë me një violiniste të talentuar që do t’i japë dy fëmijë për të cilët, nga burgu italian ku më pas do të vuajë dënimin, do të shkruajë një sërë përrallash mallëngjyese të botuara me titullin “Pema e iriqit”.

Në janar të 1921-shit hapet në Livorno Kongresi i 17-të kombëtar i Psi-së; divergjencat midis grupeve të ndryshme: maksimalistë, reformistë etj, e shtyjnë intelektualin italian dhe pakicën e komunistëve të shkëputen përfundimisht nga socialistët. Në të njëjtin muaj të atij viti, në mbledhjen historike të San Markos, më 21 janar 1921, lind Partia Komuniste e Italisë: Gramsci do të jetë një anëtar i komitetit qendror. Antonio Gramsci vdes më 1937-ën, pas njëmbëdhjetë vjetëve burgim, pa i parë më fëmijët e tij. Në vitet e burgut shkruan 32 fletore me studime filozofike dhe politike, të përkufizuara si një nga veprat më të larta dhe të mprehta të shekullit; të botuara nga Einaudi pas luftës, njihen universalisht si “Fletoret nga burgu”, dhe gëzojnë edhe sot përkthime të panumërta dhe konsideratë shumë të lartë pranë intelektualëve të të gjitha vendeve./Diaspora Shqiptare/

error: Content is protected !!