Aleksandër Xhuvani (Elbasan, 14 mars 1880 – Tiranë, 22 nëntor 1961) ka qenë arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, nëpunës dhe ministër i shtetit shqiptar. Për punën e tij në lëmin e arsimit është nderuar me titullin Mësues i Popullit.
Mësimet para i mori në vendlindje ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin – Konvikt të Çotilit, asokohe në Vilajetin e Manastirit, (pjesë e Perandorisë Osmane ndërsa sot fshat në Maqedoninë Greke). Studimet e larta i kreu në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës, 1903-’06. Në gusht të 1906 shkoi në Napoli ku u njoh me L. Gurakuqin, dhe nisi të japë gjuhë shqipe në Shën Mitër Koronë. Me shpalljen e kushtetutës të Perandorisë Osmane kthehet në atdhe, 1908.
Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit dhe me hapjen e Normales së Elbasanit qe mësues dhe më vonë drejtor i kësaj shkolle. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Më 25 mars 1910 bashkëpunoi me Lef Nosin në hapjen e revistës “Tomorri”. Normalja u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kairo ku formohet shoqëria bashkimi me dr. Mihal Turtullin, inxh. Shirokën dhe av. Çajupin. Emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A.Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”.
Kthehet në atdhe dhe riemërohet drejtor në Normale, më tej gjendet herëmbashere në Shkodër gjatë punimeve të KLSH. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”. Në verën e vitit 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Gjatë viteve 1920-1922 punoi në Këshillin e Epërm Arsimor të Ministrisë së Arsimit. Kthehet drejtor i Normales në vitet 1922-1929. Në vitin 1929-1933 shkon sërish në Ministrinë e Arsimit dhe pas vitit 1933 deri në vitin 1938 ai drejton shkollën Normale të Elbasanit. Nga 1938 deri më 1940 e gjejmë sërish në Ministrinë e Arsimit si anëtar i komisionit teknik, si dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare.
Më tej kalon në Inspektorinë Qendrore, ku merret me përpilime tekstesh, shqyrtime dhe redaktime. Me vdekjen e njërit prej djemve të tij, Ptolemeut, ia diktoi kahjen e pasluftës kur edhe vajzat i martohen me Ramiz Alinë dhe Bilbil Klosin. Me marrjen e pushtetit nga partizanët u thirr në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Jo vetëm kaq, por u bë edhe anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga janari i vitit 1947 deri në shtator 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Këtu organizon jetën shkencore dhe dha ndihmesë të madhe në përgatitjen e kuadrove, sidomos në fushën e shkencave filologjike. Deri në vitin 1957 ishte anëtar i Presidiumit të këtij instituti. Në vitin 1953 zhvillohet Konferenca e Ortografisë, e cila kodifikoi drejtshkrimin e shqipes. Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Më 1945 ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor. U nda nga jeta më 22 nëntor 1961.