Më 15 dhjetor 1955 u nda nga jeta Frederik Shiroka, mjeku kirurg dhe i cili është quajtur edhe “themelues i kirurgjisë shkencore shqiptare”.
Lindi në Shkodër më 27 shtator 1907 dhe shkollën fillore e bëri në Kolegjin Saverian më 1915, mbasi kreu klasët fillore më 1923 u dërgua prej familjes që të vijonte shkollimin në Austri.
Gjimnazin e kreu në qytetin e vogël të Kremsit, afër Vjenës, ku maturonin shumë të rinj nga familje shkodrane. Përfundoi maturën në vitin 1928 me rezultate shumë te mira, e kjo i krijoi mundësinë që të pranohet të vazhdojë degën e mjekësisë në Universitetin e Graz-it. Në Austri njihet me Olimpian, austriake nga Tiroli, me të cilën martohet, por nuk mundën të kishin fëmijë.
Mbasi mbaroi studimet me rezultate të larta, i specializuar për kirugji dhe gjinekologji edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Graz, ai vendosi të kthehej në atdhe në 1935-ën për të punuar si mjek kirurg në spitalin civil në Tiranë, si asistent i Prof. H. Hocke, i cili punoi prej vitit 1935 deri në 1937-tën si kirurgu kryesor.
Vizitën e parë në Tiranë e bëri te dr. Osman Jonuzi, themelues i kirurgjisë shqiptare. Ardhja e tij në spitalin e Tiranës u mirëprit nga bashkatdhetarët e tij dhe mjekët, të cilët e ndihmuan dhe e orientuan kirurgun e ri. Menjëherë ra në sy talenti i tij si kirurg, jo vetëm në mjedisin mjekësor, por edhe tek populli, që kishte shumë nevojë për të. Këtë gjë e vuri re edhe mjeku hebre Lehman, qysh në javën e parë të operacioneve.
Me 1939, pak ditë para push timit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Prof. Lehmann u largua nga vendi ynë dhe shef i kirurgjisë mbeti asistenti i tij, Dr. Federik Shiroka. Por menjëherë pas push timit të Shqipërisë, kirurgët italianë zunë vendet në repartin e kirurgjisë të spitalit të Tiranës, duke transferuar Dr. Shiroken në Shkodër. Më 1940 dr. Shiroka ishte shef në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Shkodrës, pozicion si kirurg primar që e ushtroi në vendlindje nga 1 dhjetori i 1940 deri më 7 prill 1946.
Me kalimin në Tiranë emërohet drejtues i pavionit të kirurgjisë, ku punoi deri në fund të jetës. Ne vitin 1947 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave.
Punoi edhe si mjek i burgut të Tiranës, gjë e cila e tronditi shumë dhe i kujtonte se si mund të ishte gjendja e të vëllait internuar në Kampin e Tepelenës. Për të nderuar punën e tij të paçmuar qeveria në majin e 1955 e dërgoi në Moskë, i caktuar si anëtar i delegacionit kulturor. Në dhjetor të po atij viti ndërron jetë./Diaspora Shqiptare