Categories
Art Histori Kulture Personalitete

7 shkurt 1921, lindi në shkodër aktori i paharruar Lazër Filipi (1921-2016)

Lazër Filipi lindi më datë 7 shkurt të vitit 1921 në qytetin e Shkodrës.

Që në moshën e tij të vogël kur studionte në ciklin fillor ai spikati me interpretimet e tij në shfaqje të vogla teatrore që viheshin në shkollën e tij nga mësuesi i asaj shkolle që ishte ndërkohë edhe shkrimtari dhe patrioti i njohur Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), i cili jo vetëm që e pikasi si aktor të mundshëm por edhe e inkurajoi t’i përkushtohej aktrimit.

Në vitin 1938, Lazër Filipi, nga Shkodra largohet drejt Tiranës për t’iu bashkuar edhe Luftës Antifashiste ku edhe do të ishte pjesë e grupeve artistike, të cilat kishin për qëllim të edukonin dhe argëtonin partizanët.

Gjatë luftës ai vazhdoi të aktivizohej edhe me grupin teatror “Grupi Priska” i cili u themelua si pararendës i Teatrit Popullor që do të krijohej menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë në vitin 1944 dhe luajti me figura shumë të njohura të artit skenik të asaj kohe, sikurse ishte edhe Naim Frashëri.

Në ditën e çlirimit të vendit më datë 28 nëntor 1944 për të festuar këtë ditë të vecantë të historisë së Shqipërisë u vu në skenë edhe drama me tre akte “Partizani” e cila ishte edhe shfaqja e parë që u interpretua në një Shqipëri të lirë tashmë dhe u interpretua për publikun 7 netë rresht. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor u vu në skenë më 30 maji 1945 ku artisti Filipi interpretoi një nga rolet kryesore dhe gjithashtu njihet edhe si një ndër aktorët e parë që themeluan këtë teatër.

Pas çlirimit të vendit, Lazër Filipi ndërkohë vazhdonte të angazhohej me shfaqje të ndryshme të cilat viheshin në skenë. Në 1947 ai filloi studimet për aktrim në Zagreb dhe i përfundoi ato në 1950 në Republikën Çeke me rezultate të shkëlqyera.

Pas kthimit në vend ai do të interpretonte shumë role, një ndër të cilët ishte edhe roli i Leninit në veprën “Orët e Kremlinit”, rol me të cilin mori edhe çmimin e parë të Republikës. Role të tjera të cilat i dhanë artistit një vlerë të papërsëritshme në karrierën e tij si aktor ishin edhe ato në shfaqjet si “Familja e Peshkatarit”, “Arturo Ui”, “Hamleti” etj.

Lazër Filipi ka qenë aktor edhe në filmin “Tana” i cili njihet nga publiku dhe komuniteti i artistëve si filmi i parë shqiptar. Por ky ishte vetëm roli i tij i parë në kinema, pasi ai do të vijonte të interpretonte edhe shumë rrole të tjera në kinematografi.

Në vitin 1977 artisti do të dilte në pension, por kjo nuk do ta ndalonte kurrsesi atë që të vazhdonte të ishte aktiv dhe të interpretonte akoma në shumë projekte teatrore dhe kinematografike.

Në karrierën e tij, artisti ka marrë një numër të madh çmimesh të para në festivale të ndryshme dhe gjithashtu është vlerësuar edhe me çmimin “Artist i Merituar” për 80 rolet e tij në teatër dhe kinema. Artisti Lazër Filipi ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare më 16 dhjetor 2016./Naishtedikur.com/

error: Content is protected !!