Skip to content
Menu
Monitori
  • Home
  • Art
  • Histori
  • Kulture
  • Personalitete
  • Sport
  • Thenie
  • Kuriozitete
Monitori

Agim Janina: Hidhen para për koncerte e këngëtarë të huaj dhe nuk investohet në art, piktorëve dhe skulptorëve u është mbyllur dera në fytyrë

Posted on February 18, 2022 by Monitor

NGA JULIA VRAPI

Galeria Kombëtare e Arteve u hermetizua shprehet studiuesi i artit Agim Janina. Sipas tij nuk u pa komunikim me publikun, ballafaqim me specialistë dhe asnjë veprimtari gjithëpërfshirëse apo konkurs e ekspozitë në nivel kombëtar. Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi Agim Janina bën një analizë të situatës së artit në vend, duke u ndalur dhe në institucione. Me kritika studiuesi Agim Janina shprehet dhe për rolin e Ministrinë e Kulturës në GKA, që sipas tij shkon në të njëjtën linjë heshtjeje. Studiuesi Agim Janina thotë se të rralla janë të përfaqësuara krijimet pas viteve ’90 nëpër institucionet shtetërore, kur ka shumë punime të merituara dhe të denja. Janina shprehet se arti është në fund të listës apo më mirë pas saj, shteti nuk organizon, nuk përkrah vlera, por përzgjedh sipas interesave të veta.

-Kur flasim për artin dhe kulturën në vend, për ju si studiues çfarë është shqetësuese?

Historikisht arti dhe kultura shqiptare edhe pse gjurmët shkojnë thellë në prehistori, pyetja bëhet për pothuajse një shekull histori, domethënë për zhvillimet nga Rilindja e deri në ditët tona dhe shqetësimi është për periudhën nga ’45 e deri më sot. Arti dhe kultura është një fushë e gjerë, ndaj do përqendrohem në artet vizive, ku mund të shpreh disa mendime, sa për të cikur sipërfaqen. Pas viteve ‘90 vendi u hap dhe artistëve iu desh të kapnim kohën e humbur, të shpreheshim me gjuhën e kohës dhe të përthithnim edhe format e reja të shprehjes artistike si përshembull arti konceptual, instalacioni, arti abstrakt, etj, ku dihet se ato nuk njiheshin gjerësisht ndër artistët. Kjo shkaktoi trysni të madhe tek krijuesit, por dihet që çdo gjë kërkon kohën e vet të mbillet e të lulëzojë. Nga ana tjetër artistët shpëtuan nga tutela e shtetit, por edhe humbën përfitimet e tij si studiot, materialet, lejet krijuese, reduktimin e orëve të punës, organizimet e ekspozitave, blerjen e veprave dhe tashmë gjithçka u duhej ta bënin vetë. Nuk pati diskutime nga organet përkatëse dhe nuk u dha ndonjë ndihmesë në zhvillimet artistike në shtrimin e ndonjë platforme apo në atë se si duhet të sillet shteti ndaj artistëve. Përvojat perëndimore janë, duhen marrë e përditësuar në kushtet tona. Në tollovinë shkatërruese u dhunuan studiot, veprat u vodhën, disa prej tyre të grabitura edhe në institucionet shtetërore. Disa skulptorëve, krenaria e skulpturës shqiptare, iu tjetërsuan studiot dhe veprat e tyre enden magazinave nën peshën e mykut e të pluhurit. Krim i pastër, ku askush nuk u gjykua. Artisti doli në rrugë, por nuk mund të mbijetojë vetëm me krijimet e tij. Kemi një radhë shumë të madhe të artistëve vizivë dhe kjo është pasuri kombëtare, por që krijimet e tyre nuk e gjejnë vendin e tyre të ekspozimit si një domosdoshmëri e tregues të shijes e kulturës së një vendi. Ende nuk kemi një treg të shitjes së artit. Disa nga galeritë e krijuara janë nën parametrat e kërkuara dhe klasa e pasur është ende larg të pëlqimit, shijimit dhe blerjes së veprave të artit. Bumi i jashtëzakonshëm i ndërtimeve ka lenë në hije ndërtimin e hapësirave dhe mbushjen e tyre me vepra arti si skulptura, mozaikë etj. I mëshohet shumë mbjelljes së pemëve, por mjediset kanë nevojë edhe për vepra arti. Mungon pothuajse skulptura e parkut dhe rrallë shohim ndonjë instalacion dhe asfare skulptura urbane. Këto të fundit janë detyra të shtetit. Në mungesa financiare artistët e kanë të pamundur pjesëmarrjen në veprimtari jashtë vendit apo të ballafaqohen me artin bashkëkohor. Rrallë shumë rrallë përkujtohen artistët e së kaluarës apo përvjetorët e atyre që janë gjallë, sikur të mos ekzistojnë.

-Përballë këtyre problemeve, si e kini parë politikat që janë në fushën e artit, çfarë ka munguar?

Nuk ka frymë. Ajo nuk ndihet në mjedise apo në biseda, projekte apo nisma shtetërore. Artistët nuk punojnë për para, por kanë nevojë për to për të krijuar. Fryma është jetësore në një shoqëri, kur shikojmë “artistë” me tallava në muzikë, që janë bërë “të famshëm”. Mungon ballafaqimi, kritika dhe ngritja e problemeve mbi artin, kur ka shumë për të thënë. Menyja e çdo media është politika dhe njerëzit e saj, të cilët u janë mbiveshur çdo mendimi artistik në vend. Ata janë më të mençurit, të cilëve u bashkohen edhe gjithollogët dhe thuret e thuret rrjeta e injorancës, ku kapen e lidhen shikuesit e dëgjuesit. Kjo e ka bjerë pasqyrimin e jetës artistike, duke i lenë ekspozitat të kalojnë në heshtje të plotë, pa praninë e institucioneve të artit, kur për një ndeshje futbolli me javë nuk mbarojnë emisionet e debatet.

-Sot kemi një Galeri Kombëtare të Arteve të mbyllur për shkak të rikonstruksionit. Sipas jush cili është misioni i një galeria kombëtare?

Galeria Kombëtare ka një linjë kuratoriale politike të ekspozimit të veprave, apo më mirë një paraqitje se ç’ishte realizmi socialist si dhe disa vepra devijuese ndaj kësaj rryme apo ndonjë vepër që është dënuar nga diktatura, aq sa me ndonjë vepër të krijohet përshtypja sikur duan të dëshmojnë, kaq keq kemi pikturuar e gdhendur?! Kaq skematikë kemi qenë?! E çuditshme! Ajo është galeri e artit shqiptar dhe vepra duhet të vendosen nga vlerat që mbartin. Në muret e sallave mungojnë shumë autorë dhe shumë vepra. I mbajnë të burgosura në fond dhe shumë rrallë i nxjerrin për t’u njohur nga artdashësit. Arti është vlerë dhe ndjenjë estetike dhe nuk ka të bëjë me politikën e ditës. Pas viteve ‘90 blerjet nga galeria kanë qenë shumë të pakta, ç’ka i ka humbur peshën si institucioni më përfaqësues. Mungesa e fondeve nuk është justifikim, se ka forma të ndryshme për të tërhequr vepra të mira. Kjo kërkon së pari respekt e dashamirësi për krijuesin dhe jo mohim i tyre. Sot galeria i ka mbyllur dyer për t’u ristrukturuar. Pas saj do vijojë me galerinë FAB dhe me Muzeun Kombëtar. Por artistët kanë nevojë për ekspozim. Nuk është se galeria s’ka bërë veprimtari, por shpesh dyert janë hapur për dikë e mbyllen për shumë të tjerë, miklohen disa e mohohen shumë të tjerë.

-Sipas jush, sa rëndësi ka projekti i rikonstruksionit të GKA, që parashikon dhe zgjerim të hapësirave?

Ka një vendim qeverie për zgjerim të hapësirave të galerisë, duke e pasuruar me një godinë shtesë. Shpresoj shumë të bëhet një gjë e mirë. Por artistët nuk kanë parë asnjë projekt se si do të jetë dhe çfarë do të mbajë brenda. Bashkësia e artistëve pamorë është thuajse e fikur, kufizohen vetëm në grupime për ndërtim ekspozitash dhe nuk ngacmojnë fare se çfarë presin nga shteti. Të kujtojmë se sa zhurmë u bë me ndërtimin e teatrit të ri dhe se si lëvizi ndërtimi i projektit, sa diskutime, vendime, protesta, miratime e kundërshtime deri ne shkallët më të larta të shtetit. Këtu kemi heshtje vrastare! Galeria ka problem të mprehtë me fondin e veprave, ku ka punime shumë të vyera dhe të ndërtuara profesionalisht dhe përfaqësuese të artit shqiptar, por ka edhe të tjera që nuk e meritojnë të jetë aty. Ndaj duhet bërë një rivlerësim që mos të kthehet galeria në një magazinë.

-Jeni shprehur më parë për problemet që keni parë me veprat e fondit në GKA, duke i prezantuar dhe me foto herë pas here…

Me ekspozimet e fundit Galeria Kombëtare shfaqi sheshit krimin e rëndë që ka ndodhur brenda mureve të saj dhe çudia as nuk pamë ndonjë reagim nga shteti. Heshtje vrastare!

-Si e keni parë rolin e Ministrisë së Kulturës në GKA?

Ministria e Kulturës shkon në të njëjtën linjë heshtjeje. Asnjë prononcim, asnjë reflektim. Asgjë. Kur duhet të kishim një hetim të thellë, shterues e të viheshin para përgjegjësisë lejuesit e masakrës që ka ndodhur.

-Vite që flitet se mungon një konkurs kombëtar sipas piktorëve, nuk ka çmime, etj. Sa përgjegjësi kanë institucionet, Ministria e Kulturës apo dhe GKA që ende nuk ka një drejtor tani që flasim?

Organizimi i ekspozitave e konkurseve kombëtarë u duket luks i madh. Edhe një që ishte u mbyll. Shohim që nuk mungon derdhja e parave për koncerte masive e të ftohen këngëtarë nga vende të tjera e t’u bëhen të gjitha “nderimet” monetare dhe asnjë vendim për ndonjë ekspozitë kombëtare të përvitshme. Fakti që askush nuk shqetësohet nëse ka apo jo drejtor Galeria Kombëtare tregon, se artistët nuk e gjejnë fare veten aty dhe e kanë braktisur, sepse ajo i përzuri ata dhe veprat e tyre nga prania dhe ekspozimi. Janë shumë raste kur piktorëve dhe skulptorëve, edhe themelues të galerisë, u është përplasur dera në fytyrë e nuk janë pranuar të bëjnë aty një ekspozitë për 70 apo 80 vjetor. Për të rinjtë as që bëhet fjalë. Turp i madh! Galeria u hermetizua dhe nuk pamë asnjë komunikim me publikun, ballafaqim me specialistë dhe asnjë veprimtari gjithëpërfshirëse apo konkurs apo ekspozitë në nivel kombëtar. Shurdhëri e plotë!

-Pse jeni shprehur se gjendja e artit pamor pasqyron tollovinë politike dhe ende arti nuk është institucion?

Sepse nuk ka një lidhje ndërmjet krijimit, vlerësimit dhe vendosjes së veprave më të mira të artit kudo në mjedise. Të rralla janë të përfaqësuara krijimet pas viteve ’90 nëpër institucionet shtetërore, kur ka shumë punime të merituara dhe të denja. Arti është në fund të listës apo më mirë pas saj. Shteti nuk organizon, nuk përkrah vlera, por përzgjedh sipas interesave të veta, aq sa dhe vdekja e ndonjë artisti, që ka vënë gurin në ngrehinën e artit është kaluar në heshtje dhe nga ana tjetër janë dekoruar me meritë, por edhe pa meritë, dhënë pensione të veçanta nxënësit dhe jo mësuesit, sikur ky i pari ta ketë tejkaluar. Dhe kjo është mosmirënjohje! Ka artistë që kanë tre apo katër vepra madhore të vlerësuar gjerësisht dhe lihen në heshtje të plotë dhe në vështirësi financiare./Sot.com.al/

©2022 Monitori | Powered by WordPress & Superb Themes