Categories
Art Kulture Personalitete

Aktori Ardian Cerga feston 64 vjetorin e lindjes, i urojmë shëndet dhe suksese në skenë

Ardian Cerga lindi në Tiranë më 16 nëntor 1957. Në moshën 10-vjeçare interpreton për herë të parë në skenën e Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit, në një dramë shkruar nga Leka Bungo. U aktivizua në role të ndryshme në festivalet teatrore të shkollave të mesme në kryeqytet.

Në vitin 1977, nis studimet në Institutin e Lartë të Arteve. Pas diplomimit, nis karrierën artistike në film dhe emërohet në Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Beratit. Më 1980, bëhet bashkëthemelues i Teatrit Profesionist “Margarita Tutulani”, dhe deri më 1988 interpretoi shumë role të dramaturgjisë shqiptare, të vëna në skenë nga z. Sheri Mita dhe nga vetë Cerga. Viti 1988 shënon kthimin e tij në kryeqytet, tashmë si aktor i Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar), ku prezantohet para publikut me dy role protagonist në veprat e z. Bashkim Hoxha dhe z. Artur Zheji.

Ardian Cerga emigroi në vitin 1990 në Itali, por nuk u shkëput kurrë nga bota e artit. Mes viteve 2004-2006 xhiron dy filma në Itali, “L’orizonte degli eventi” dhe “Il passato e una tera straniera”. Më 2016 rikthehet në Shqipëri dhe një vit më pas, më 2017, ai bëhet sërish pjesë e trupës artistike të Teatri Kombëtar, duke interpretuar në komeditë: “Pushteti i grave” me regji të z. Spiro Duni, “Tag” me regji të znj, Andia Xhunga, dhe “Këmbëzbathur në park” me regji të Lorin Terezit.

Gjithashtu, merr pjesë në dy filma të tjerë, “Ndërkombëtarët” dhe “Tirana km 100”. Disa nga filmat e tjerë ku ai ka interpretuar janë: “Yjet mbi Drin”, “Me hapin e shokëve”, “Mësonjëtorja”, “Në çdo stinë”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Njerëz me rrymë”, “Nata pa hënë”./Na Ishte Dikur

error: Content is protected !!