Kinematografia shqiptare në vitet ’60-’70 ishte në lulëzim. Filma si “I teti në bronz” dhe “Ngadhnjim mbi vdekjen” u përhapen me shpejtësi në Kinë dhe aktorët tanë ishin si yje në shtetin komunist.
Jehona e filmave tanë vazhdoi dhe më pas, madje një pjesë e “Ngadhnjim mbi vdekjen” u përfshi dhe në filmin “Electric Shadow” të 2004.
Për të folur për suksesin e këtij filmi, ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” Eglantina Kume, aktore e “Ngadhnjim mbi vdekjen”.
Kume thotë se ka kaluar shumë kohë nga krijimi i këtij filmi, dhe në atë kohë artistëve nuk u bëhej jehonë suksesi.
“E këtë sukses e mora kur shkova në Kinë, pas 40-vitesh nga realizimi i filmit. Jam surprizuar, ishte e paimagjinueshme mënyra se si më pritën. Kishte shumë njerëz që më njihnin. Ishin artistë të asaj kohe dhe të rinj që kishin dëgjuar nga prindërit për mua. Ju dukej e çuditshme që më panë nga afër, kam dhënë shumë autografe”, tha Kume.
Madje tregoi edhe një moment të bukur teksa udhëtonte me taksi dhe shoferi ishte emocionuar se kishte takuar aktoren që foton e saj e kishte në mur.
“Takova në një taksist, kur po udhëtoja së bashku me përkthyesen. Ne po flisnim shqip dhe shoferi pyet çfarë gjuhe po flisni. Përkthyesja i thotë shqip dhe kjo është Mira që ka luajtur te filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Ai filloi të dridhej, e thoshte ‘e pamundur, e pabesueshme, sa e vogël është bota, në mur kam foton tënde’”./Gazeta-Ship.com