Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Aleksandër Moisiu, shqiptari që shkëlqeu furishëm – SI E CILËSUAN PERSONALITETET E KOHËS

Mjeshtri i madh i skenës. Interpretuesi talenti i të cilit, me zërin, mimikën e gjestet sfidoi teatrin, shqiptari Aleksandër Moisiu, pushtoi pa më të voglin sforcim, zemrat e mendjen e artdashësve… befasoi kritikën.

Gjithë aktiviteti artistik i Moisiut u zhvillua në Vjenë, për të depërtuar shpejt edhe në teatrot e tjera evropiane. Pas sukseseve të njëpasnjëshme si aktor, ai u angazhua pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, si dhe Amerikës Veriore.

Në vitet para fillimit të Luftës I, Moisiu ishte një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Fusha e veprimit të artistit, përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te ajo moderne.

Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it , të Wedekind-it dhe të Hofmannsthal-it .

Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku për zërin e bukur, si dhe për përfshirjen emocionale. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Në Berlin, aktronte në këtë kohë vetëm si mysafir. Mënyra e tij e interpretimit, aty quhej si i vjetëruar dhe nuk mund të matej më me zhvillimet teatrore, si ai i ekspresionizmit, apo teatri politik nga Brecht, apo Piscator.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë.

Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes.

Për këtë aktor të madh, fjalët nuk i kursyen as filozofët e shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës. Filozofi i njohur dhe një nga romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane, Franc Kafka vlerësoi se gjestet e Moisiut ishin unike dhe të papara ndonjëherë në skenat botërore.

“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”, janë fjalët e Kafkës për Moisiun.

Nga vlerësimet e larta të personaliteteve më të shquara të teatrit, dramaturgjisë dhe letërsisë botërore, veçojmë si më poshtë:

Maks Reinhardi: “Zotërinj! (u drejtohet atyre që refuzuan Moisiun të lozte kryerolin e parë) Unë ju solla një aktor. Emri aktor sipas një kritiku,
në kuptimin e vërtetë, është mishëruar në personin e Moisiut. Kemi përpara një artist të vërtetë, një aktor i pasionuar i njeriut, i cili jep trupin
e tij, shpirtin e tij, gjakun dhe nervat në krijimin e rolit… Zëri magjik i tij, do t’ju magjepsë edhe ju”.

Franc Kafka: “Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut paraqesin diçka unike, të cilat nuk janë parë kurrë në artitn skenik botëoror”

Stefan Cvajg: “Kur je me Moisiun, nuk dëgjon fjalë indiferente, të mirë a të keqe rreth teatrit dhe aktorëve, siç e do zanati i përditshëm… por
diskutim, diskutim rreth çeshtjeve mendore, politike, mendime që kapin njeriun fund e krye, kapin gjithë kohën… Prandaj, kur je bashkë me
Moisiun, mëson çdo herë diçka të re nga thelbi i të vërtetës së botës…”.

Fan S. Noli: “Është një djalë shqiptar që në Evropë e interpreton Hamletin, më mirë se unë që e kam përkthyer”.

Viktor Eftimiu: “Moisiu me sytë e zinj të shkëlqyeshëm dhe tërheqës, me zërin e tij të ngrohtë e të harmonishëm i dha gjuhës gjermane
tingëllimin e Adriatikut, sepse secili artist në vetvete përmbledh mallin e atdheut të tij”

Ndërsa nga autori kosovar Bardhyl Kosova, ka theksuar: “Gjenialiteti i Aeksandër Moisiu kristalizohej edhe në organin e tij vokal që i shëmbëllente një orkestre të plotë. Zëri i Moisiut shquhej për një forcë të madhe krijuese, duke filluar nga tonet më të larta, deri te ato më të ulëta, me të cilat, ai jepte gjithë domethënien e qenies njerëzore, deri murmuritjen e pëshpëritjen më të butë e më të ëmbël”.

error: Content is protected !!