Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Autori i dashur i fëmijëve Odhise Grillo

Miku i një jete, Dionis Bubani shkruante për autorin Odhise Grillo, një vit pas ikjes së tij “Odhise Grillo njohu psikologjinë e fëmijëve, i kuptoi ëndrrat dhe dëshirat e tyre, e skaliti vargun nën shembullin e Spiro Çomorrës dhe prozën i frymëzuar nga Nonda Bulku”.

Vunoi, vendlindja e shkrimtarit, dashuria e tokës, detit, ajrit dhe fjalës që krijoi

Një ditë më pyetën çamarrokët
Pse në vjersha ke shkëmbinj?
Pse nuk ke ara gruri por brezare me ullinj?
Pse ke në vjersha portokalle e limonë?
Pse pylli dhe deti nëpër rreshta ligjërojnë e gurgullojnë?

Se penën për çdo poezi, e ngjyej në breg të detit ku kam shtëpinë
Në krijimtarinë e tij botoi shumë poezi, vargje humoristike, poema epike, lirike dhe humoristike, përralla të zgjedhura, përpunime me shije të disa veprave klasike nga letërsia botërore dhe shqiptare, studime letrare etj.

Fillimisht ai punoi në revistën “Hosteni” dhe më pas në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, në redaksinë e letërsisë për fëmijë derisa doli në pension. Në vitet e fundit të jetës punoi në Shtëpinë Botuese “Toena”, si shef i redaksisë për fëmijë dhe të rinj.

Përveç letërsisë Odhise Grillo u mor edhe me publicistikë dhe ka botuar shumë shkrime në organe për të rritur dhe fëmijë si: “Drita”, “Nëntori”, “Ylli”, “Zëri i Rinisë”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Yllkat”, “Bota e fëmijëve” etj. Drejtoi për më shumë se dhjetë vjet Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në fillim si nënkryetar e së fundi si president i kësaj shoqate. Po kështu, ka punuar si pedagog i jashtëm, në Universitetin e Tiranës dhe të Elbasanit. Odhise Grillo ka qenë anëtar i disa bordeve të revistave që dalin në Shqipëri, në Kosovë dhe Maqedoni.

Ai mban titullin Profesor dhe Mjeshtër i madh. Ka qenë laurent i disa Çmimeve të Republikës, si dhe fitues i dhjetëra çmimeve të ndryshme të të gjitha niveleve në konkurset letrare që janë organizuar. Në jetën e gjatë krijuese ai numëron rreth 120 tituj për fëmijë. Një numër i madh titujsh të tij janë botuar në Kosovë dhe Maqedoni, ndërkohë që shumë prej tyre janë përkthyer edhe në greqisht, maqedonisht, italisht, madje dhe arabisht.

Odhise Grillo është shkrimtari që, duke përfituar në mënyrë krijuese nga përvoja botërore, ka hapur shtigje të reja në letërsinë për fëmijë, në rikrijimin e veprave për të vegjëlit nga kryeveprat e letërsisë sonë kombëtare dhe botërore. Në këtë fushë ai është themelues dhe novator.
“Historia e Skënderbeut”, rikrijuar sipas poemës së Naim Frashërit është vlerësuar një nga veprat e shquara të 10-vjeçarit të fundit nga Instituti i Studimeve të letërsisë për fëmijë në Mynih
të Gjermanisë, nga IJB (Internacionale Jugendbibliothek).

Për kontribut dhe cilësi në krijimtari, Odhise Grillo është përfshirë në vëllimin e 16 të fjalorit që boton Instituti biografik i Kembrixhit, gjithashtu nga IBC dhe AIB, ka marrë Medaljen e Artë të Nderit, sishkrimtar i shquar i dymijëvjeçarit./Naishtedikur.com/

error: Content is protected !!