Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Çelentano, orëndreqësi që pushtoi botën

Siç dhe ai këndon “Il tempo se ne va”, por gjatë këtyre viteve me një karrierë artistike plot 60-vjeçare, Adriano Celentano është legjenda e muzikës italiane me adhurues e dashamirës në mbarë botën, ku vendin e parë pas italianeve e zënë padyshim shqiptarët.

Ai mund të cilësohet si njeriu i historisë së muzikës dhe jo vetëm. A Celentano, përveçse një këngëtar i njohur dhe tekstshkrues, është edhe aktor, komedian, regjisor dhe showman. Celentano, përveç muzikës së mrekullueshme, teksteve të këngëve kuptimplota, hap shpesh polemika përmes opinioneve që ai ka për politikën, fenomenet sociale etj. Me miliona disqe të shitura, Celentano vazhdon të mbetet personazhi më i diskutuar italian.

SAN REMO, ITALY – FEBRUARY 14: Adriano Celentano attends the opening night of the 62th Sanremo Song Festival at the Ariston Theatre on February 14, 2012 in San Remo, Italy. (Photo by Daniele Venturelli/Getty Images)

Orëndreqësi që pushtoi botën

Falë karrierës dhe sukseseve botërore është quajtur Elvis Presley italian, megjithatë është një figurë dhe një ikonë e shoqërisë italiane të pasluftës. Është i vetmi këngëtar italian që ka shitur më tepër se 70 milionë albume. Çelentano është gjithashtu ndër të parët që ka arritur famë botërore.

Biri i dy prindërve puliezë, të cilët u shpërngulën në Milano, në kërkim të një jete më të mirë. Adoleshenca e gjen atë larg shkollës, i detyruar të bëjë punë të ndryshme për të mbijetuar, ku ai kujton si të preferuar zanatin e orëndreqësit. Megjithatë, ky orëndreqës “i pandreqshëm”, zbulon se kishte talent për muzikë, ndaj dhe për herë të parë debuton në teatrin “Smeraldo”, së bashku me Tony Renis, në një grup muzikor që mbante emrin “Qejflinjtë e ritmit”

Adriano Çelentano i vërtetë është Klaudia Mori. Vetëm një femër strikte si Klaudia Mori mund të drejtojë, mbrojë dhe të dashurojë një vullkan si Adriano Çelentano. Klaudia, aktore dhe këngëtare nga Roma, e takoi Çelentanon në sheshxhirimin e filmit “Një tip i çuditshëm” dhe që nga ai moment, ata janë çifti më solid në shoubizin italian. Martesa e tyre u bë shumë sekrete në vitin 1964. Kjo lidhje u solli atyre tre fëmijë: Rosita-n më 1965-n, Giacomo-n më 1966-n dhe Rosalinda-n më 1968-n. Jeta në çift e Adrianos dhe Klaudias ka rrjedhur e qetë dhe shumë e rezervuar për publikun.

Në vitin 1960, Çelentano shfaqet në një sekuencë të rëndësishme të filmit të famshëm “Jeta e ëmbël”, të regjisorit Federico Fellini, i cili kërkoi ta kishte me çdo kusht, pasi e pa në skenë duke kënduar “Reddy Teddy”. Një vit më vonë, Adriano niset të kryejë shërbimin ushtarak dhe merr pjesë në Festivalin e Sanremos me këngën “24 mijë puthje”.

FILMI ME ORNELA MUTTIN

Suksesin më të madh Adriano Celentano e arriti me filmin “Jepu majmunëve sheqer”, një histori dashurie mes një shoferi autobusi dhe një princeshe, të luajtur nga Ornella Muti, e cila në krah të Celentanos iu dorëzua sharmit të tij jo vetëm në film.

Afera e dashurisë me Ornella Muti-n u bë shkas për grindjen me bashkëshorten e tij Claudia Mori, e cila përkohësisht u nda prej tij. Që prej 56 vjetësh Adriano Celentano është i martuar me këngëtaren Claudia Mori. Celentano, sikurse thuhet për të, është një workoholic: ai ka në llogari të tij jo vetëm albume dhe disqe të shitura, por ka luajtur gjithashtu në gati 40 filma dhe në vitin 1987 nisi edhe karrierën si moderator në televizion. Me emisionin e tij “Fantastico”, ai jo vetëm që paguhej mirë, por ky ishte një nga emisionet me shikueshmërinë më të lartë në televizionin shtetëror italian RAI, në orarin kryesor të transmetimeve të shtunave. Italianët e donin Celentanon me kokë më vete, i cili i është kundërvënë me kritika jo vetëm bankave e energjisë atomike, por edhe politikës e korrupsionit.

Çelentano, përveç muzikës së mrekullueshme (teksteve të këngëve kuptimplota), hap shpesh polemika përmes opinioneve që ai ka për politikën, fenomenet sociale etj. Me mbi 70 milionë disqe të shitura, Çelentano vazhdon të mbetet personazhi më i diskutuar italian, i cili pranon se strehëzën më të shtrenjtë ka familjen./americaneye

error: Content is protected !!