OPERA HISTORI – PERSONAZH
Dhimitra Keta – (1920-1988)
Dhimitra Keta është një ndër këngëtaret e para lirike e cila debutoi së bashku me Marie Krajën, Jorgjia Trujën e Gjyzepina Kosturin, artiste që hodhën themelet e artit operistik në vendin tonë.
Ajo shquhet që në vitet e para të Filarmonisë dhe më pas të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku interpretoi një sërë rolesh të repertorit operistik kombëtar e botëror.
Dhimitra Keta dallohej për një shtrirje të gjerë vokale të zërit, e tingëllim të fuqishëm. Siç shprehej mësuesja e saj e pare, Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço, “Ky zë premtonte që ajo do të bëhej një këngëtare lirike”.
Kjo u realizua në vitin 1953, me vënien në skenë të operas “Rusalka”, ku Dhimitra interpretoi rolin e Natashës, rol i cili nxori në pah vetitë e zërit të saj të fuqishëm.
Një sukses i padiskutueshëm ishin edhe interpretimet e Vanias në operën “Ivan Susanjin”, Berta te “Berberi i Seviljes”, Santucës te “Cavalleria Rusticana”, Cio Cio San te “Madama Butterfly”, Zemfirës te “Aleko”, Marcellina te “Dasma e Figaros, nënë Marës te “Mrika” etj.
Krahas roleve të interpretuara, Dhimitra kishte dhe një repertor të pasur me këngë popullore, romanca e arie nga operat.
Ajo ka ushtruar dhe një aktivitet të ngjeshur pedagogjik si mësuese kantoje pranë Liceut Artistik Jordan Misja në Tiranë.
Burimi: Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor