Categories
Histori Personalitete

Drejtori i Arkivit, Thoma Murzaku dhe servilët e tij, Kujtimet e panjohura të ish-gazetarit të Radio-Tiranës dhe ‘RD’-së

Nga Bashkim Trenova

Publikohen kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie.

Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Ar miqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al.

“Ar miqtë e popullit”

Pas god itjes që morra nga Thoma Murzaku, m’u larguan të gjithë shokët e kolegët e Arkivit !

Muajt në vazhdim ishin ato të izolimit pothuajse të plotë nga shokët e kolegët. Ata nuk guxonin të vinin në zyrë tek unë, qoftë edhe për një problem pune. Ata nuk guxonin të më shoqëronin apo të më ftonin as për të pirë një kafe. Shoku im i fëmijërisë, Rinushi, u zhduk nga qarkullimi, nuk e shihja dhe nuk më shihte më, sikur nuk ekzistonim më, sikur të mos ishim njohur kurrë. Gjergj Çaprazi më ftoi njëherë për kafe. Po kështu, zëvendësdrejtori i institucionit, Ivani, më thërriti një herë të vetme për të pirë një kafe dhe një herë të vetme erdhi në zyrën time për të shkëmbyer dy fjalë si shokë. Me këtë rast i thashë Ivanit të mos vinte më tek unë në zyrë. Nuk doja që ai të kishte pasoja. “Ne miq kemi qenë dhe miq do të mbesim”, më tha ai. Në fakt, jo shumë kohë më pas, Ivanin e larguan nga posti i zëvendësdrejtorit të Arshivave të Shtetit dhe e bënë punonjës të thjeshtë.

Mua më dukej vetja si leproz. Në këtë rol më kishte angazhuar Partia ime e dashur. Edhe kur mbaronim punë, kur largoheshim nga Arkivi i Shtetit, unë vetë shpejtoja të mos dilja jashtë rolit, nxitoja të kaloja në trotuarin tjetër për të mos “detyruar” dikënd nga kolegët apo shokët të bënte me mua rrugën deri tek stacioni i autobusit. Në të vërtetë unë bëja më shumë kujdes se ata. Nuk doja që shokë e kolegë të shiheshin duke ecur në rrugë me mua, duke shkëmbyer ndonjë fjalë. Fatmirësisht kjo gjendje nuk do të vazhdonte gjatë

Ndryshimet politike në Europën Lindore!

Nga fundi i vitit 1989 në botën komuniste ndodhën disa ndryshime radikale. Pasojat e tyre u ndjenë edhe në Shqipëri. Bashkimi Sovjetik, “gjiganti” i komunizmit, nuk po mundte më të fshihte plagët kanceroze që i kishte krijuar sistemi. Ai ngjante me një anije të vjetër që merr ujë nga të katër anët dhe që po përpihet nga thellësitë e oqeanit. “Perestroika” e Gorbaçovit nuk do të mund ta shpëtonte dot atë. Në Republikën Demokratike Gjermane, u organizuan manifestime të mëdha popullore, që më 9 nëntor 1989 çuan në rrëzimin e Murit famëkeq të Berlinit, ose siç quhej ndryshe, “Muri i turpit”. Më 25 dhjetor 1989, pas revoltave të fuqishme popullore, u ekzekutua Nikolae Çaushesku, udhëheqësi kryesor i Partisë Komuniste Rumune dhe i shtetit rumun, i mbiquajtur “Udhëheqësi”, “Gjeniu i Karpateve” apo “Danubi i mendimit”.

Më 13 janar të vitit 1990, një grup të rinjsh nga qyteti verior i Shqipërisë, Shkodra, tentuan të rrëzojnë bustin e diktatorit sovjetik Stalinit, i vendosur në qendër të qytetit…! Ky guxim u kushtoi 50 vite burg dhjetë të rinjve shkodranë. Ky akt tregonte, megjithëkëtë, se fr ika po vr itej edhe tek ne në Shqipëri. Pas Shkodrës, më 28 mars 1990, në orën 20:30, pati një tentativë të ngjashme në Tiranë. U vendos eksploziv pranë statujës së Stalinit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për ta hedhur në erë. Shqipëria komuniste ishte staliniste. Tentativat për të rrëzuar apo për të hedhur në erë bustin apo statujën e Stalinit manifestonin padyshim pakënaqësinë e popullit ndaj regjimit dhe dëshirën për ta rrëzuar atë së bashku me simbolet e tij.

Shpërthimin e eksplozivit, zhurmën e tij të fuqishme, e dëgjuan të gjithë banorët e kryeqytetit. E dëgjuam edhe në shtëpinë tonë. Sigurisht që nuk bëmë lidhjen midis shpërthimit dhe statujës së Stalinit. Vetëm të nesërmen në mëngjes, në bisedat me kolegët e punës, u njoha me të vërtetën. Rastisi që atë ditë, dikujt nga shokët apo shoqet e punës i kishte vdekur një nga prindërit. Në Shqipëri është zakon që në raste si ky,shokët e shoqet e punës dhe të afërmit shkojnë për ngushëllim në familjen e të vdekurit.U nisëm edhe ne, një grup nga Arkivi i Shtetit, për t’i paraqitur ngushëllimet tona familjes së kolegut apo koleges së punës. Për të arritur në destinacion duhej kaluar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” duke parakaluar statujën e Stalinit. Kur u afruam pranë statujës, të gjithë kureshtarë hodhëm nga një shikim në këmbët e saj. Gjithçka ishte në rregull. Nuk kishte asnjë gjurmë, që mund të dëshmonte për shpërthimin e natës së kaluar. Unë, më kureshtar se të tjerët, u ndava prej tyre dhe u drejtova në anën e pasme të statujës. As aty nuk kishte ndonjë shenjë komprometuese. Dukej sikur ishin marrë me kohë masat. Ishin mbjellë lule të freskëta.Stalini ishte i qetë!Stalinistët e Tiranës, me siguri jo.

Pasi mbarova “inspektimin” e pjesës së pasme të statujës së Stalinit bëra një gjysëm harku për t’u kthyer sërish në punë. Nuk e bëra vizitën e ngushëllimit. Pa u larguar më shumë se 50 metro, shoh dy xhipse të parkuara aty pranë. Dyshova se janë të Sigurimit të Shtetit. Vazhdova rrugën dhe pas pak ktheva kokën për t’i shikuar edhe një herë dy “Xhip”-at sikur doja të sigurohesha nëse vërtetë ishin apo jo të Sigurimit. Njëri prej tyre lëvizi në drejtim të statujës së Leninit që ndodhej në atë kohë në trotuarin përballë asaj të Stalinit. Pastaj “Xhip”-si u kthye dhe vazhdoi të zhvendoset po në atë drejtim në të cilin po lëvizja unë. U binda se po më ndiqte Sigurimi. Nuk u shqetësova. Në fund të fundit nuk kisha bërë ndonjë gjë që mund të më rëndonte. Në sheshin “Skënderbeg” në qendër të Tiranës, takova Bujar Lakon, një shok i imi, një nga aktorët më të shquar e më të suksesshëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. U përqafova me të. Shkëmbyem disa fjalë dhe më pas unë vazhdova rrugën normalisht deri në Arkivin e Shtetit.

Mira dhe Bujar Lako, për vizitë në shtëpinë tonë!

Në mbrëmje na erdhën për vizitë në shtëpi Mira dhe Bujar Lako. Me Mirën kisha punuar dikur në Radio Tirana. Ajo ishte përgjegjëse për muzikën e emisioneve që transmetonte Radio Tirana për jashtë. Më pas ajo kaloi si pedagoge e solfezhit në shkollën “Kongresi i Përmetit”. Këtu si pedagoge për të njëjtën lëndë punonte edhe bashkëshortja ime, Desi. Mira ishte martuar me Bujar Lakon. Talenti i fuqishëm, mjeshtëria e veçantë aktoreske dhe urtësia e ndihmuan atë në jetë. Them kështu se Bujari ishte edhe ai me “njollë në biografi”. Nuk e di me saktësi se nga se e kishte këtë “njollë”, por më duket nga babai i tij. Martesa e tij me Mirën, vajzë e një familje komuniste, nuk kishte qenë e lehtë dhe pa shqetësime.

Atë mbrëmje unë mezi po prisja që t’i tregoja Mirës dhe Bujarit historinë me xhipset pranë statujës së Stalinit. Në të vërtetë edhe ata kishin ardhur që të bisedojmë rreth shpërthimit që kishte ndodhur në këmbët e statujës së Stalinit një natë më parë. Pasi mbarova unë së treguari, Bujari më tha: “Kjo është vetëm gjysma e historisë. Vazhdimin do ta tregoj unë”. Ai më tregoi se si, pasi unë isha ndarë me të, “Xhip”-si i Sigurimit ishte ndaluar para tij. Njerëzit e Sigurimit e kishin pyetur Bujarin për mua, domethënë kush isha unë, si më njihte ai mua e të tjera. Bujari u kishte thënë atyre emrin dhe mbiemrin tim, duke u shtuar pas dy fjalë magjike: “Zëri i popullit”, pra sikur unë punoja në këtë gazetë, organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Në të vërtetë unë kisha disa vite që isha larguar prej andej, por autoriteti i gazetës dhe, ndoshta, ndonjë hije e largët e emrit tim në faqet e saj, kanë qenë të mjaftueshme që Sigurimi të besonte fjalët e Bujarit. Mua nuk më regjistruan në listën e kriminelit që kthehet në vendin e krimit.

Kush e vendosi eksplozivin te monumenti i Stalinit në Tiranë?!

Vendosja e eksplozivit në statujën e Stalinit në Tiranë, sipas versionit zyrtar, u bë në një orë kur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kishte qarkullim të madh njerëzish. Në kushte të tilla autorët e tij kishin mundur të kryenin veprimin dhe të largoheshin pa u identifikuar duke u përzier me turmën. Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tiranës, e alar muar, mori me urgjencë masat për zbulimin e tyre “bazuar në materialet e mëparshme e reagimet kundër figurës së Stalinit”. Sikurse do të thuhej në një informacion që kjo Drejtori i dërgonte Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë, Ramiz Alisë, për këtë problem, Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, thirri apo evidentoi 247 persona nga radhët e atyre që njiheshin prej saj si “elementë në përpunim”, të evidentuar si kontingjent me rrezikshmëri. Dokumente të botuara vite më pas, në kohën e demokracisë, dëshmojnë se në kupolën komuniste ngjarja ishte parë edhe si e ndikuar nga zhvillimet e fundit në Evropën Lindore, por edhe si një mospajtim me vlerësimet e dikurshme të Enver Hoxhës ndaj figurës së Stalinit.

Mua edhe pas kaq e kaq vitesh më tërheq vëmendjen fakti që edhe sot e kësaj dite, ende askush, asnjë person apo asnjë grup personash, nuk janë deklaruar apo identifikuar si autorë të vendosjes së eksplozivit në shtatoren e Stalinit në Tiranë. Normalisht, pas përmbysjes së komunizmit, autori apo autorët e saj nuk kishin përse të qëndronin vullnetarisht të panjohur. Ai, ose ata, do të duhej të ishin krenarë për veprën e tyre, për guximin e treguar dhe mesazhin historik që përcollën. Që të mos zgjatem më shumë, pra shkurt, heshtja apo edhe anonimati i pakuptueshëm, më bëjnë të dyshoj se eksplozivi në shtatoren e Stalinit në Tiranë mund të jetë vendosur edhe nga Sigurimi i Shtetit. Përse? Mund të bëhen mjaft arsyetime apo hamendje. Mundet, për shembull, për të ndërmarrë një fushatë terrori. Regjimit po i rrëshqisnin këmbët.

Disa muaj më pas, më 21 dhjetor 1990, diktatura staliniane do të detyrohej vetë të jepte urdhër për çmontimin natën, në fshehtësi të statujës së Stalinit…! Po afrohej koha e çmontimit edhe të stalinizmit në Shqipëri. Po afrohej koha e hedhjes në koshin e historisë të stalinave në miniaturë apo të matrushkave staliniane, që në emër të popullit, me dhunë e terror kishin uzurpuar të drejtat e tij në të gjitha hallkat e pushtetit, në të gjitha sferat e veprimtarisë së shoqërisë shqiptare.

Më 1 shkurt 1990 Bashkimet Profesionale të Arkivit të Shtetit organizuan një mbledhje të kolektivit për të diskutuar rreth një kryeartikulli , që ishte botuar në “Zëri i popullit” mbi Plenumin e IX të Komitetit Qendror të Partisë së Punës.Në këtë Plenum Partia shtronte sërish e me një theks të ri atë që njihej si “vijë e masave”. Partia, e fr ikësuar nga zhvillimet në vend, po tregohej e gatshme të dëgjonte “zërin e masave”, të cilin, me arrogancë, nuk e kishte dëgjuar kurrë.Partia, tejet e konsumuar në demagogjinë e saj, nxori kartën e “demokratizimit të mëtejshëm të jetës në vend”. Ajo shprehej për “qarkullimin” e kuadrove të vjetra drejtuese duke synuar kështu që t’ua lërë atyre mbi kurriz edhe zemërimin popullor. Ishin ata që kishin gabuar, Partia vetë nuk gabonte kurrë!

Nuk mund të them nëse atëhere e kuptoja që gjithçka thuhej ishte demagogji. Nuk mund të them edhe se isha i ndërgjegjshëm për këtë, se doja vetëm të përfitoj nga momenti, ta shfrytëzoja dobësinë e momentit që ndoshta nuk do të përsëritej më. Nuk mund të them se më kishte dalë plotësisht narkoza me të cilën më kishte ushqyer edhe mua “nëna Parti” që në fëmijëri. Sidoqoftë, unë e mora fjalën në këtë mbledhje dhe, midis të tjerave, fola për qarkullimin e drejtuesve të institucionit. Për këtë kërkova që të vendosë “kolektivi me votim të fshehtë, si shprehje më e plotë kjo e demokracisë”. I ftova të gjithë drejtuesit që vetë ata të propozonin për qarkullimin e tyre, domethënë për largimin nga postet drejtuese, si të thuash për një lloj “harakiri”. Në fund propozova që të mblidheshim sërish të nesërmen për të vendosur konkretisht, për të dalë “me vendime përfundimtare, që do t’i përcillen, në rast se do të kemi mendime për ndryshime, emërtesës përkatëse për të vendosur”.

Pasi diskutuan edhe të tjerë punonjës, propozimet u hodhën në votë. Kolektivi, me shumicë, i miratoi ato. Sekretari i organizatës, Kristaq Teneqexhiu, kërkoi të mos nxitohemi, të presim orientime të tjera nga Byroja Politike. Shoku im i fëmijërisë, Rinush Idrizi, nuk ishte edhe ai dakord. Për të mbledhja dhe vendimet e saj nuk ishin të rregullta, meqë Thoma Murzaku nuk ishte i pranishëm. Në të vërtetë, Thoma Murzaku ishte lajmëruar për mbledhjen e Bashkimeve Profesionale, por e injoroi atë ashtu sikurse kishte vepruar gjithnjë edhe më parë. Të nesërmen, kur Thomai njihet me propozimet që ishin bërë, thërret Kolegjiumin dhe aty vendos që kolektivi të mos mblidhej ashtu siç ishte vendosur, më 2 shkurt 1990. Thomai propozon madje që në mbledhjen e ardhshme, të mos diskutohej mbi vendimet e Plenumit të IX, por mbi problemet e mbrojtjes në institucionin tonë. Byroja e organizatës së Partisë ishte dakord të lerë në harresë vendimet e Plenumit të IX vetëm sepse kështu i shkonte për shtat Thoma Murzakut, vetëm sepse kështu nuk do të diskutohej për marrëdhëniet kuadër masë dhe shmangej mundësia e marrjes së një vendimi për qarkullimin e tij. Kolektivi nuk ishte dakord dhe, për herë të parë, edhe organizata e Partisë nuk ishte dakord me Thoma Murzakun e byronë, por iu bashkua mendimit të kolektivit.

Konflikti i shokut tim të fëmijërisë, Rinush Idrizit, me mua dhe punonjëset e sallës së shfrytëzimit?

Në hapësirën e këtyre ditëve arrin në ‘Sallën e Shfrytëzimit’, siç quhej atëhere salla ku studiuesit njiheshin me dokumentet që u shërbenin në punën e tyre, Rinush Idrizi. Zyra ime ishte shumë pranë Sallës së Shfrytëzimit. Dëgjova zërin e Rinushit që po thërriste e bërtiste. Dola nga zyra dhe desha ta qetësoj atë. Ai po i drejtohej kolegeve tona që shërbenin në Sallën e Shfrytëzimit me fjalët: “ju jeni të poshtra”! Këto fjalë u thuheshin atyre sepse ato, sipas tij, nuk i ishin përgjigjur në kohë kërkesës që kishte bërë ai për të konsultuar disa dokumente. E tërhoqa Rinushin në zyrën time dhe desha ta qetësoj, t’i shpjegoja se si ishte e vërteta, se nuk kishte asnjë neglizhim apo keqdashje nga koleget tona. Në vend që ta qetësoja, ai u nervozua edhe më shumë dhe mu drejtua me fjalët: “Edhe ti je i poshtër. Të gjithë njëlloj jeni”. U befasova. Nuk është e lehtë të dëgjosh fjalë të tilla nga një shok i fëmijërisë. E nxora jashtë zyrës. Pas disa ditësh e ndesha në rrugë. E ndalova sepse nuk doja që të prishnim një shoqëri të vjetër për disa fjalë të nxituara. Rinushi nuk pranoi të bisedonte. “Ik, ik”, më tha. Ndërsa sillej kështu me mua, shokëve tanë në Arkiv, Ivanit, Eduardit dhe Vehbiut, u thoshte : “Bashkimi nuk më flet”!

Shpesh jam munduar të shpjegoj sjelljet e Rinushit në kohë tepër të vështira për mua dhe të tjerë punonjës në Arkivin e Shtetit. Ato ditë mendova se sjellja e tij ishte thjesht një lajthitje ose, shumë shumë, një borxh miqësor i tij ndaj Thoma Murzakut. Vitet që kaloi në malësinë e Shëngjergjit pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë, e shkatërruan Rinushin. Ndoshta fr ika e përsëritjes së tm errit dominonte dhe komandonte sjelljen e tij! Ndoshta ishte fr ika që shpërthente në nervozizëm, që e kishte shndërruar atë në një Rinush tjetër nga ai që kisha njohur unë, i panënshtruar, rebel! Në dimrin e vitit 1970, ndërsa unë vazhdoja stërvitjen ushtarake tre mujore në Uznovë, Rinushi i ka dhënë Çlirim Cekës, një letër ku ka shkruar disa radhë për mua. Në të ai shkruan: “Baçi! Sigurisht që nuk ke nevojë për kaq pak fjalë, por sidoqoftë po të dërgoj me Çlirimin gjithë përshëndetjet e hibridit Rinush. Nëqoftëse ke nevojë pë ndonjë gjë, më thuaj. Nga shtëpia i ke mire…Përqafime….”.

Diktatura ndoshta eksperimentoi me Rinushin, duke e shndërruar në një qenie hibride. Në të vërtetë ajo i ka trajtuar të gjithë shqiptarët si kavie laboratori dhe ka eksperimentuar me të gjithë ne mënyrën më mizore. Mua më duket që edhe tani kur kanë kaluar mëse dy dhjetëvjeçarë nga përmbysja e diktaturës, Shqipëria ende nuk po ecën pa vështirësi serioze në rrugën e duhur drejt demokracisë. Kjo gjë mendoj se është edhe si pasojë e trashëgimisë së njeriut “hibrid”, që krijoi komunizmi duke gjymtuar normalen tek njeriu.

Largimi i papritur i gazetarit Astrit Nuri, pa mbaruar mbledhje në Arkiv?!

Mbledhja e kolektivit përfundimisht u vendos të zhvillohej më 14 shkurt 1990 në orën 17.00. Në të erdhi i deleguar i Komitetit të Partisë së Tiranës, Nimet Cani, anëtar i Komitetit Qendror, sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Rajonit. Kishte ardhur gjithashtu edhe Astrit Nuri, një gazetar i “Zërit të popullit” dhe ish kolegu im në këtë organ shtypi. Nuk e di se kush e kishte ngarkuar atë të ishte i pranishëm dhe, për pasojë, të shkruante një artikull në “Zërin e popullit” mbi diskutimin e vendimeve të Plenumit të IX të Komitetit Qendror të Partisë në kolektivin tonë. Astriti nuk qëndroi shumë kohë në sallë. Në një pushim midis dy seancash, pas një bisede telefonike, ai u largua pa thënë asnjë fjalë. Ne e kuptuam se botimi në “Zëri i popullit”, i një artikulli kritik për mjaft probleme në Arkivin Qendror të Shtetit, nuk do të bëhej. Dikush që ishte njoftuar mbi “klimën” e diskutimeve në këtë mbledhje dhe që orientonte “Zërin e popullit”, kishte kërkuar largimin në heshtje të Astrit Nurit nga salla. Merrej kështu edhe një herë në mbrojtje Thoma Murzaku. Fatkeqësisht për të, kjo do të ishte mbrojtja e tij e fundit e suksesshme.

Unë kisha përgatitur 20 faqe të daktilografuara për të diskutuar. Në diskutimin tim theksova edhe një herë vendimin e kolektivit për qarkullimin e Thoma Murzakut, domethënë për largimin e tij nga Arshiva i Shtetit. Nimet Cani, siç u kuptua, kishte ardhur me synimin, të detyronte kolektivin që të votohej edhe një herë Thoma Murzaku. Siç duket ata që e kishin dërguar atë kishin menduar se prania e tij do të fr ikësonte punonjësit dhe do të bënte që një votim i dytë të ishte në favor të Thoma Murzakut. Mua më duket se edhe ky fakt i vetëm tregonte se sa larg realitetit ishin pashallarët e sulltanët e kuq të kupolës komuniste, se sa pak e njihnin ata vetë evoluimin e shoqërisë shqiptare. Mendimin dhe guximin e saj ata i kishin shtypur për disa dekada. Këto së shpejti do t’i takonin së kaluarës.

Në Arkivin tim të vogël kam ruajtur edhe një informacion mbi mbledhjen e kolektivit të datës 14 shkurt që Bashkimet Profesionale të Arkivit të Shtetit, i’a kanë nisur Këshillit Qendror të Bashkimeve Profesionale dhe Kryeministrisë. Në të, midis të tjerave, thuhet: “Në mbledhje u diskutua gjerësisht e me frymë të lartë partishmërie. Diskutuan 27 vetë….Gjerësisht u diskutua në mbledhje rreth punës së shokut Thoma Murzaku…u bënë kritika të ashpra për shfaqjen në vijë të prepotencës, arrogancës, hakmarrjes….”!

Më 16 shkurt i dërgohet Këshillit të Ministrave vendimi i kolektivit ku theksohet: “Kolektivi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, i mbledhur më 14/II/1990, pasi diskutoi me ndjenjë të lartë përgjegjësie rreth detyrave që i dalin institucionit tonë në dritën e vendimeve të Plenumit të IX të Komitetit Qendror, vendosi unanimisht që shoku Thoma Murzaku, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, të lëvizë nga detyra e tij si titullar i institucionit jo vetëm për faktin se ka 11 vjet në këtë detyrë, por se në metodën dhe stilin e tij në punë ka manifestuar shfaqje të theksuara të burokratizmit në drejtim dhe me sjelljet dhe qëndrimet e tij ka cënuar rëndë marrëdhëniet kuadër-masë duke humbur kështu respektin e punonjësve. Kolektivi propozon gjithashtu që shoku Thoma Murzaku të lihet në dispozicion të emërtesës, por të mos punojë më si kuadër drejtues. Ia përcjellim emërtesës përkatëse për miratim vendimin e kolektivit….Për Komitetin Profesional Kryetari, Dhimitër Dishnica. Për Organizatën bazë të Partisë Sekretari, Kristaq Teneqexhiu”! /Memorie.al

error: Content is protected !!