Sopranoja e famshme Ermonela Jaho, në një intervistë për Euronews Albania foli për çmimin e saj më të fundit por dhe krizën e madhe që ka përfshirë artin si pasojë e pandemisë. Artistja e madhe tregoi nga Barcelona dëshirën që ka për të kënduar në Shqipëri menjëherë sapo teatrot të hapin dyert. Ermonela Jaho mori çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA) me albumin Anima Rara.
“Jam shumë e lumtur për këtë sukses. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për të gjithë, por sidomos për ne artistët. Për mua personalisht, por jo vetëm për mua, ka qenë diçka shumë e vështirë edhe nga ana shpirtërore pasi arti bëhet dhe ndihet me publikun. Kam pasur momente që kam menduar se nuk shërbej më, që ekzistenca ime nuk kishte më kuptim. Jam përpjekur që të shfrytëzoj karantinën 8-mujore për t’u përmirësuar nga ana artistike. Kam kuptuar shumë gjëra, që asgjë nuk merret si e dhënë. Momenti i bukur i jetës duhet vlerësuar pasi nuk jemi të përjetshëm. Muzika është një mësim i jashtëzakonshëm për të gjithë, ka vetëm një qëllim, e bëjmë për të dëgjuar njëri-tjetrin. Nëse kemi dhembshuri ndaj njëri-tjetrit, çdo moment i vështirë kalohet”, tha sopranoja.
Jaho thotë se mezi pret që të vijë në Shqipëri për të dhënë mesazh për të rinjtë që të mos ndalen së luftuari për ëndrrat e tyre pasi pavarësisht se gjithçka mund t’u duket e pamundur për t’u realizohet në fund mund t’ia arrijnë.
“Uroj që sa më shpejt të vij dhe të këndoj për publikim tim në Shqipëri, për të dhënë dhe një mesazh për brezin e ri sepse kjo kohë heq çdolloj shprese, heq çdo ëndërr dhe gjerat duken të pamundura. Por asgjë nuk është e pamundur. I shoh nga njëherë të demotivuar dhe nuk kanë shpresë për të ardhmen. Në qoftë se e do aq fortë, me gjithë mend beson në mënyrë të verbër, duhet një dedikim total, kushdo qofshin vështirësitë, ato vështirësi ta bëjnë shpirtin dhe më të ndjeshëm dhe ke çfarë thua sepse artisti pa një shpirt të ndjeshëm dhe të torturuar nuk ka çfarë thotë në skenë. Siç arrita unë, ashtu mund të arrijë çdokush tjetër. Nuk duhet të ndalojmë së ëndërruari, edhe pse ëndrra ka punë nga pas”, u shpreh Jaho./Liberale