Menu
Monitori
  • Home
  • Art
  • Histori
  • Kulture
  • Personalitete
  • Sport
  • Thenie
  • Kuriozitete
Monitori

Faik bej Konica, intelektuali par excellence

Posted on March 16, 2021 by Monitor

Apolinieri, ka shënuar tri vargje në frëngjisht, për mikun e tij erudit, Faik Konica, si më poshtë:

“C’est l’Albanais le pleus erudit de l’Europe

Il t’admire toujours celui – la qui lit,

O Pyrrhus Bardyli.

(në shqip:)

Është shqiptari më erudit në Europë,

përherë të admiron ai që të lexon,

O Pirro Bardhyli.

Dita e sotme, sjell në vëmendje shqiptarin më të kënduar ndonjëherë – shkrimtarin, përkthyesin, eseistin, politologun, gjuhëtarin, mendimtarin, filozofin, vjershëtorin shpotitës të shqiptarit të shtypur në errësirën osmane, po edhe atij që luftoi e derdhi gjak, për gjuhën shqipe “plot shije dhe e bekuar”, siç e përshkruante vetë Konica gjuhën mëmë, përtej zemërimit me ironi therëse ndaj aktualitetit (të vazhdueshëm…) shqiptar.

Do të ndriste në qiellin e letrave shqipe, më 15 mars 1875, Konica i madh – personifikim i kulturës, asaj më të sofistikuar, asaj më të pastër në traditën kombëtare.

Natyrisht, të tilla personalitete të papërsëritshme në histori, janë një spektër i gjerë kontributi dhe vlerash të paçmuara, që vulosën e shenjuan vetë kombin./Konica.al

Faik bej Konica (Konicë, 15 mars 1875 – Uashington, 15 dhjetor 1942) ishte propagandues i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Shumica prej analizave tdhe qëndrimeve të tij, qëndrojnë ende… çfarë e bën atë, një ndër figurat që e ka njohur më së miri kombin e tij.

Në shkurt 1925, Faik Konica u drejtohej kështu shqiptarëve në qytezën Xhejmstaun, në Nju Jork:

“Me një popull fare skllav në zakonet e vjetra dhe pa ndonjë shpirt për reforma, me një popull fare të paditur dhe të pazotin që të bëjë gjykime politike dhe sociale që të mos gënjehet prej bandave, kam frikë se kryengritjet në Shqipëri do të vazhdojnë për shumë kohë pa ndonjë fitim moral, në mos qofshim të zotrit që t’i ndalojmë dhe të ftojmë gjakrat e politikanëve tanë” – Konica, duke lexuar një deklaratë përpara gazetarëve në Uashington, menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, më 7 prill 1939.

Faik Konica është vlerësuar si krijuesi i prozës moderne në Shqipëri. Fan Noli, e cilëson Konicën si mjeshtër të skalitur të prozës shqipe. Konica mori humorin nga gjuha e Shekspirit dhe satirën nga gjuha e Molierit. Breza shkrimtarësh pas tij, u frymëzuan nga vepra e tij.

Ashtu si Naim Frashëri, poeti kombëtar në veprën e tij « Bagëti e bujqësi » dhe në poezinë « Gjuha jonë », Faik Konica, prozatori ynë kombëtar, shkruante në numrin e parë te revistës “Albania”: “Gjuha e bijëve të shqipes” – ku po citojmë një fragment: “E ashpër dhe sertë ashtu si populli trim që e flet, plot me shije dhe e bekuar, ashtu si frutat dhe lulet e maleve ku ajo flitet, gjuha shqipe, megjithëse e mbetur e varfër nga mospërpunimi i saj shumë shekullor, është e aftë për të shprehur me nje ndjenje të mbrekullueshme nuancat, konceptimet më të holla të shpirtit njerëzor, vibrimet më të pakapshme të nervozizmit, në krahasim me dialektet serbe, bullgare e greke mundësia e të cilave për të arritur thelbin përfundon shpesh në përafrime trashanike…

Si i erdhi fundi Shqipërisë së Zogut

Është interesante, sesi Faik Konica përshkruan fundin e pushtetit të Ahmet Zogut. Në dorëshkrimet e tij të gjetura në arkivin e “Vatrës”, mënyra sesi ai e gjykon këtë periudhë është ndër më gjykimet realiste. Shqiponline po boton këndvështrimin e Konicës për këtë periudhë të historisë së Shqipërisë më poshtë:

Të premten e zezë të 7 prillit 1939, ndërsa mbretëresha Geraldinë ishte e sëmurë në shtrat, pasi dy ditë më parë kishte lindur një djalë, fashistët, pa kurrfarë paralajmërimi, pa asnjë provokim paraprak dhe pa shpallur luftë, e pushtuan Shqipërinë, një vend i paarmatosur dhe gati pesëdhjetë herë më i vogël se agresori. Kjo vepër “e lavdishme” ndezi zilinë e mbretit Zog të Shqipërisë, i cili plot me dëshirë për të kryer një heroizëm të ngjashëm, që në krismën e parë, ia mbathi me të katra, duke i lënë shqiptarët të luftonin kundër hordhive të panumërta. Përbuzja e botës së qytetëruar për agresorët qe më e madhe se tmerri përpara tyre, përderisa ajo botë e përmbajti veten, dhe e shtyrë nga mëshira, nuk e shfaqi opinionin e vet për dezertorin shqiptar. Në atë kohë unë isha përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Uashington, ku isha emëruar që në vitin 1926, si i deleguari i vendit tim, për rilindjen e të cilit kam punuar që në fëmijëri. Qeveria amerikane, që nuk i njihte ndryshimet territoriale, të bëra me “metoda gangsterësh”, vazhdonte të më quante mua si përfaqësuesin e ligjshëm të Shqipërisë. Për më tepër, ky qëndrim në lidhje me pozitën time, lehtësohej edhe më shumë nga fakti se fashistët, të cilët në fillim luajtën pjesën e “çlirimtarëve” të Shqipërisë dhe jo të shkelësve të lirisë së saj, u përkujdesën të krijonin një qeveri kukull shqiptare, me përfaqësitë e saj diplomatike. Porse italianët, të cilët, megjithëse kanë zënë një vend nderi të shkëlqyer në historinë e kulturës, nganjëherë të krijojnë përshtypjen se janë më tepër të shkathët sesa të zgjuar. Të njohur siç janë për padurimin e tyre, nuk e duruan më gjatë një gjendje të maskuar, e cila ishte në dobi të tyre, pasi e mbulonte me një vello dhunën që i kishin bërë Shqipërisë, dhe kështu, në mes të qershorit, qeveria kukull e Tiranës mori urdhër t’i mbyllte të gjitha përfaqësitë dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit. Në të njëjtën kohë, edhe përfaqësuesit e kombeve të ndryshme, të akredituar në Tiranë, u njoftuan papritur se nuk u njihej më statusi i tyre diplomatik. Pak më vonë, dhe për të qenë të përpiktë, më 24 qershor 1939, më thirri në Departamentin e Shtetit Sekretari i Shtetit dhe më njoftoi se, në bazë të reciprocitetit, ishte i detyruar ta quante të kryer misionin tim.

Telegram për Zogun i Faik Konicës, president i “Vatrës”

Kam qenë dhe jam kundërshtari juaj, por duke ditur se jeni i zoti për mirëkuptim, sugjeroj të ndërmerret hapi i përmendur në telegram (bëhet fjalë për telegramin e “Vatrës” drejtuar Nolit)

Përgjigja e Ahmet Zogut për “Vatrën”

E mora telegramin tuaj. Kemi ardhur në Shqipëri për të rivendosur rregullin, I cili është tronditur nga rrënjët. Qëllimi ynë është të neutralizojmë ushtrinë dhe oficerët e saj duke u treguar atyre vendin, që ata të mos krijojnë trazira, siç kanë bërë deri më tani. Imzot Noli dhe njerëzit e tij ikën nga kryeqyteti pa qenë të zotët të qëndrojnë as në Vlorë. Ne nuk I refuzojmë këshillat e mira nga patriotët e sinqertë sepse ideali ynë është bashkëpunimi me patriotët e përgjegjshëm dhe të vërtetë me qëllim krijimin e një Shqipërie të pavarur. Ju mund të jeni kundërshtari ynë nëse ne nuk ndjekim ligjin dhe arsyen. Ushtria ime është mjaft e fortë dhe e rregullt. Jemi të mendimit se asnjë ushtri tjetër nuk do të kishte mundur të hyjë kaq fitimtare, kaq paqësisht sa kjo ushtri. Askush nuk u lëndua, nuk pati vandalizma dhe akte mizore. Ne u mirëpritëm me sinqeritet kudo dhe shpresojmë që së shpejti të jemi në rrugën e suksesit. Zyrat qeveritare vazhdojnë punën. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në të ardhmen e afërt dhe votimi do të jetë i lirë.

Rroftë Shqipëria!

Kolonel Ahmet Zogu, Komandant i Përgjithshëm i Operacionit

Telegram i “Vatrës” për Ahmet Zogun

Morëm kabllogramin tuaj. Jemi të kënaqur nga fjalët e bukura të shkruara në të dhe shpresojmë që fjalët të bëhen vepra. Kur të bëhen vepra, ne nuk do të jemi kundërshtarët tuaj.

Vatra (Marrë nga gazeta “Vatra”)/Konica

©2021 Monitori | Powered by WordPress & Superb Themes