“Makina e memories” është një ndër këngët më të njohura në historinë e muzikës shqiptare. Bëhet fjalë për një ndër klipet e para të viteve ’90 dhe kushdo prej nesh e mban mend vajzën bukuroshe bjonde përkrah këngëtarit Ardit Gjebrea.
Menduam se pas daljes së parë në atë klip ajo do të ishte prezente sërish në ekranin shqiptar, por ja që u zhduk. Flasim për Fatjona Lubonja dhe ajo sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është ndër neurologet me të mira atje.
“Më mungon Shqipëria, gjithmonë. Unë kam ardhur e kam ikur në Shqipëri, dhe e folura shqip më mungon. Flas shqip po unë jam pothuajse e ikur gjithë ditën punoj me amerikanë dhe kur jap ndonjë leksion ndonjëherë dhe më shikojnë u them: mendoje vetë ca gjuhe fola”, tregon Fatjona.
Përsa i përket këngës “Makina e memories” e realizuar në 1995 Fatjona e quan një eksperiencë të këndshme. “Ne kishim mundësi të udhëtonim në jug dhe në ato momente ishin akoma të pahapura, dhe qyteti i Vlorës na priti jashtëzakonisht shumë mirë. Kur xhironim me Bozon, ai ka një tip kështu, unë se dija se kur po xhirohesha. Bënim një bisedë me Arditin, një njeri i mrekullueshëm, kam shumë respekt, dhe ne hidheshim në det, nuk e dinim se po xhiroheshim. Një kujtim shumë i bukur”, vijon Fatjona.
Megjithatë ajo thotë se pavarësisht se arti është shumë i bukur, e ndjen se nuk është e prerë për të pasi i pëlqen privatësia. Por ndjehet mirë që njerëzit kanë një farë memorie për atë këngë.
Fatjona aktualisht jeton në Nju Xhersi dhe është autore dhe studiuese në fushën e Edukimit dhe Neurologjisë Shkencore. Po pse këtë degë?
“Unë fillova universitetin direkt nga Shqipëria, burri im ishte me shtetësi amerikane, dhe hyra në universitet direkt si shtetase amerikane dhe duke studiuar pedagogët më kanë shtyrë sepse kam pasur talent tjetër që unë nuk e dija, kam një lloj talenti si të them vëzhgimin në rehabilitime të ndryshme, i kuptoj shumë mirë. Ndoshta kjo vjen ngaqe kam mbaruar liceun në Shqipëri”, vijon dr. Fatjona e cila punon me fëmijët me aftësi të vonuar.
“Unë e kisha në plan të vija në Shqipëri të bëja një konferencë, po u prish me koronën, shpresoj që këtë verë dhe do kem materiale më specifike”, vijon Fatjona.
Por si është një ditë e zakonshme e Fatjonës në SHBA?
“Dita në fakt është si shumë të tjerë është punë, shumë punë. Duke mos marrë parasysh epideminë tani se shmë gjëra janë ndryshe. Zakonisht çohem herët në mëngjes bëj një xhiro si vrap, jap tre klasa mësimi. Bëj rrugën Nju Jork- Nju Xhersi, e kam bërë si i themi si ajo Tiranë- Durrës. Dhe zakonisht kthehem shumë vonë aq sa më duket se jam vetëm unë në rrugë. Kur del nga Nju Jork është një rrugë shumë e gjatë dhe ndonjëherë e ndjej veten në makinë duke ecur sikur mediton për ditën që do të vijë. Dita është komplet e zënë pavarësisht se nuk e tregoi shumë në social media. Në fundjavë nuk prek asgjë, mundohem të jem me familjen dhe e lidhur me natyrën komplet”, thotë dr. Fatjona./Diaspora Shqiptare/