Filmi “Liqeni im”, skenari dhe regjia nga Gjergj Xhuvani, prodhuar nga shtëpia kinematografike “On Film Production”, producent Dritan Huqi, u shfaq gjatë EFM (European Film Market), i cili këtë vit për shkak të pandemisë u zhvillua virtualisht nga data 1 deri në 5 mars. Lajmi u bë me dije nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
“Distributori i filmit “Liqeni im”, kompania “WIDE – International Sales & Distribution” ka planifikuar shfaqjet e filmit (Market Screenings) në datën 2 mars në orën 17:30 në “Virtual Cinema 30”, në datën 5 mars në orën 11:00 në “Virtual Cinema 13””, shkruan QKK. Filmi “Liqeni im”, xhirimet për të cilin janë bërë në Prespë të Madhe është një dramë, që tregon historinë e Kristos.
Në qendër të filmit djaloshi Kristo jeton në një fshat në buzë të liqenit të mrekullueshëm të Prespës, një vend i veçantë ku ndahen ujërat në kufijtë e tre vendeve të Ballkanit: Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia. Për të mbajtur familjen e tij, Kristo është bërë një kontrabandues i marijuanës, duke përdorur varkën e tij dhe njohjen e mirë të ujërave të liqenit për të transportuar pako me drogë nga ana shqiptare në atë maqedonase. Në role janë aktorë Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Elia Zaharia, Luiza Xhuvani, etj, por pjesë e kastit janë dhe aktorë të huaj.
Ky projekt më herët u votua si më i miri nga 54 projekte të 37 vendeve anëtare të “Euroimages”, gjatë mbledhjes së 150-të të Bordit Menaxhues, që u zhvillua në Armeni më 12 deri 16 mars 2018. Në shtator të 2020, festivali “TIFF” erdhi me 220 filma, 108 në konkurrim, dhe u hap me premierën “Liqeni im”. Pas ndarjes së papritur nga jeta “Tirana International Film Festival” solli për publikun më 19 shtator filmin e fundit të Gjergj Xhuvanit, si një homazh për mikun, kolegun dhe regjisorin e suksesshëm shqiptar të 30 viteve të fundit. Gjergj Xhuvani ishte regjisor, skenarist, producent shqiptar.
Ai lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 diplomoi në Akademinë e Arteve në Tiranë dega- Artet dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”. Filmat e regjisorit Xhuvani janë mirëpritur nga publiku dhe janë vlerësuar me çmime./Sot.com.al