OPERA HISTORI – PERSONAZH
Fiqiri Kraja – Dirigjent
(1936 – 2017)
Fiqiri Kraja është një emër i njohur i skenës së TKOB i cili për 14 vite me radhë drejtoi orkestrën simfonike si dirigjent i brendshëm i institucionit.
Fiqiri Kraja, njeriu me temperamentin e qetë, me sigurinë e madhe në partiturën që ai drejtonte, hodhi themele të forta në muzikën operistike shqiptare.
Pas studimeve të para në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ai punoi si klarinetist pranë Bandës së Ushtrisë, e më pas në Ansamblin e Ushtrisë. Në vitin 55-59 punon pranë orkestrës së TOB ku luan në oboe dhe korno. Fiqiri Kraja është i pari instrumentist i perkusionit në Shqipëri, studimet mbi të cilin i mori në Konservatorin e Sofjes në Bullgari, për t’i vijuar më pas në Konservatorin e Tiranës në klasën e dirigjentit Mustafa Krantja.
Si dirigjent i TKOB, gjatë viteve 1966-1980, ka drejtuar mjaft opera shqiptare dhe të huaja, balete e koncerte. E filloi me premierën e operas për fëmijë “Maçoku me çizme” për të vijuar me operetën “Brigada e grave”, operan “La traviata”, operetat “Dhëndrri u transferua”, “Karnavalet”, baletet “Halili dhe Hajria”, “Cuca e maleve”, “Shqiponja sypatrembur”, “Lola”, etj.
Më pas kalon pranë Institutit të Lartë të Arteve si pedagog. Kontributi i tij do të ishte i pashlyeshëm si pedagog pranë Institutit të Lartë të Arteve dhe dirigjent i orkestrës simfonike të këtij institucioni dhe njëkohësisht i orkestrës së Liceut Artistik Artistik, me të cilat ka realizuar me dhjetëra koncerte të gjinive të ndryshme.
Burimi: Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor