Në 26 janar të vitit 1938, gazetat e Budapestit njoftojnë se Kontesha Geraldine Apponyi pritet të fejohet me Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43 vjeçar. Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi këtë lajm. Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldinë e kishin pëlqyer njeri-tjetrin. Geraldine ishte takuar me Mbretin Zog në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut. Geraldine shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh çifti u fejua…
…Kontesha 22 vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël.
Ceremonia
E njohur si “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”, në prag të marteses, Geraldine u ngrit në statusin mbretëror si Princesha Geraldinë e Shqipërisë.
Më 30 dhjetor 1937, kontesha Geraldina Apponyi, mbërriti në Tiranë.
Kontesha shoqërohej nga baroni Rueling, kujdestari i familjes Apponyi.
Më 27 janar 1938 Oborri Mbretëror konfirmoi zyrtarisht martesën ndërmjet mbretit dhe konteshës. Për këtë arsye, kryeparlamentari Pandeli Evangjeli, më 31 janar 1938 thirri parlamentin në seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar kërkesën për martesë të Mbretit Zogu I me konteshën Geraldina Apponyi. Parlamenti, sipas nenit 89 të Statutit Themeltar të Shtetit, e miratoi kërkesën. Menjëherë pas miratimit zyrtar, me një dekret mbretëror kontesha Geraldinë u ngjit në rangun e Princeshës së Shqipërisë.
Në një letër, që i ka dërguar mbretëreshës Geraldinë më 12 mars 2002, shkrimtari i shquar Ismail Kadare ndër të tjera, shkruan: “Konteshë e re, e ardhur nga qendra e Europës, për t’u bërë Mbretëreshë e shqiptarëve, ju treguat për ta një përkushtim e devocion mallëngjyes, që e kanë shembullin e rrallë në këtë shekull. Zonjë e lartë, vendimi juaj për t’u kthyer e për të jetuar në Shqipëri, ka qenë për mua, dhe kam bindjen se do të jetë për shumicën e shqiptarëve njëlajm i gëzuar dhe jashtëzakonisht prekës. Ju po ktheheni në vendin që fati e solli të bëhet atdheu i juaj, ndonëse ky vend ju ka sjellë shumë më tepër brenga sesa gëzime. Me këtë akt të lartë, ju na jepni një mesazh të gjithëve, mesazhin fisnik se: Atdheu mund të jetë i dashur edhe kur është i varfër dhe i vështirë”.
Jetëshkrimi
Geraldine Apponyi lind në Budapest, e bija e Kontit Gyula Apponyi de Nagy-Appony (1873–1924) i familjes e fisnikërisë së kryehershme hungareze Appony, dhe e Gladys Virginia Steuart (1891–1947), nga një familje pasunarësh dhe diplomatësh amerikanë. E mbetur jetime qysh në moshë të vogël, nën përkujdesjen e gjyshërve Aponny, Kontesha Geraldinë u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës. Më pas gjyshërit e Saj Aponny, e dërguan në kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum, afër Vjenës në Austri, ku mbaroi fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Kontesha Geraldinë iu përkushtua me gjithë shpirt stenografisë, sociologjisë, historisë dhe letërsisë. Një ndihmesë në edukimin e saj dha edhe biblioteka e familjes, e cila ishte shumë e pasur, me rreth 30.000 libra. Për shumë kohë, Kontesha Geraldinë, për shkak të zotërimit të dijeve enciklopedike dhe gjuhëve të huaja të shumta, mbuloi detyrën e kryecicerones pranë Muzeut Kombëtar të Hungarisë.
Aktiviteti
Kontesha fitoi menjëherë zemrat e shqiptarëve. Qëndrimi i saj i shkurtër në Shqipëri nuk e ndaloi të merrej me filantropi dhe në ndihmë të të pamundurve, forcimin e vlerave familjare dhe morale.
Mbretëresha Geraldina, u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë. Kontriboi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin “vizita pune” për të. Mbretëresha u impenjua totalisht edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre. Ajo punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri, dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e spitalit Ushtarak në Tiranë. Solli nga Austria një numër të madh mjekësh për drejtimin e Spitalit Ushtarak. MSM kontriboi në ngritjen e maternitetit të parë shqiptar në Tiranë. Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq shqiptar. Gjithashtu, Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik në Radio Tirana.
Prioritet i punës së Saj ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për ngritjen e vetëdijes së saj dhe në veçanti emancipimi i pjesës rurale të popullsisë. Përveç përkushtimit të Saj në të mirë të popullit shqiptar, Mbretëresha Geraldinë gjente kohë të përkujdesej për mbarëvajtjen e Familjes, sikundër ishte ndikimi për një edukim sa më cilësor të trashëgimtarit të Fronit Mbretëror.
Epilogu
U largua nga Shqipëria në vitin 1939 si Mbretëreshë, qëndroi pranë Mbretit deri sa ai vdiq, për ta vazhduar ajo mbajtjen “ndezur” oxhakun e familjes mbretërore shqiptare. Pas vdekjes së të shoqit, Geraldina preferoi të njihej si “Nëna Mbretëreshë e Shqipërisë”.
Në qershor 2002, Geraldina u kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, pasi ligji u ndryshua për ta lejuar atë. Ajo vazhdoi të pohonte se djali i saj Leka ishte mbreti legjitim i shqiptarëve.
Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve vdiq pesë muaj më vonë në moshën 87-vjeçare në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Pasi u trajtua për sëmundje të mushkërive, ajo pësoi të paktën tre su lme në zemër, e fundit prej të cilave ishte fat ale, më 22 tetor 2002.
Ceremonia e përcjelljes u bë nga Shtëpia Qendrore e Ushtrisë me nderime të plota, duke përfshirë një fjalim funeral në Katedralen e Shën Palit, më 26 tetor 2002 dhe u varros në varrezat e Sharrës, Shqipëri, në “Parcelën VIP”. Më vonë ajo u rivarros në Mauzoleumin Mbretëror në Tiranë.
Mbretëresha Geraldinë pati një atdhe të lindjes– Hungarinë dhe një atdhe të jetës – Shqipërinë./Fjala.al*