Categories
Histori Personalitete

HIL MOSI PËR PRESIDENTIN WILLSON – Nga Xhafer Sadiku

Të njohim historinë

HIL MOSI PËR PRESIDENTIN WILLSON

Bisedimet e Këshillit Kombëtar, 11 shkurt 1924

Atë ditë kur z. Rauf Ficoja propononte 5 minuta pushim për vdekjen e Willsonit, unë kisha kërkue fjalën, po s’m’u dha. Sot kolegu i em i ndershëm Emzot Fan Noli, me të cilin do të jem sot në kundërshtim sado që thue po gjithnjë jemi dakord më dha rasën të them ato qi kisha dasht të them atë ditë.

Me gjithë respektin ma të madh qi kam për popullin amerikan, e sado qi duhej të flisja ndryshe për nji personalitet si ajo e Willsonit, ne këtu si përfaqësues të popullit, do të flasim tue shfaqun opinionin publik, se noshta për oportunitet do të isha i shtërnguem me fol ndryshe. Willsoni në politikën e tij drejt Shqipnis ka mbajt nji atitude të dyshimtë, sado qi indirekt mund t’i ketë ba shërbime.

Unë këtu do të flas mbas interesit kombëtar ose ma mirë me thanë shqiptar. Willsoni qe ai qi propononte Fiumen Jugosllavis tue lanë Vlonën Italisë e viset e Jugës Greqis.

Z. S. Delvina: (kundërshton).

Z. Hil Mosi: Po shoh se kolegu i em Z. S. Delvina kundërshton e po bahet shumë nervoz, po i lutem t’i mbajë pak nervat. Unë po të flisnja si shkodran lypsej t’i falënderoja veprës së të ndjerit Willson për atituden që mbajti për mbrojtjen e Shkodrës.

Por tuj folë si thamë ma sipër mbas interesave kombtare mos të harrojmë se përkrahas me Willsonin gjithë nji politikë të tillë për ndamjen e Shqipnisë jugore ka mbajtë dhe senatori Lodge, i cili tuj u përgjegjë komitetit vorio-epirot u premtonte atyne Gjinokastrën dhe Korçën.

Prandaj pra, tuj e lanë jashtë çdo kompliment politik, unë dhe nji herë shfaq respektin ma të thellë qi ndiej për popullin e lirë amerikan, e se për personalitetet e huaja qi vdesin thom: Zoti i
ndjeftë e na paçin lënë shëndetin e fatbardhësinë pas.

(duartrokitje) AQSH, fondi 146, viti 1924, dosja 51. Mbledhja e 8 e Këshillit Kombëtar, e hënë, më 11.2.1924, ora 2 mbas dreke.

error: Content is protected !!