Categories
Art Kulture Personalitete

Ikja e Arben Shakës, dy lot për një artist që diti të na bënte me qesh

Nga Leonard Veizi

Leonard Veizi

Për ata që e njihnin por dhe për ata që vetëm kishin dëgjuar për të, lajmërimi i vdekjes së tij u bë në rrjetet sociale. Ai vetë ishte një artist që e dashuronte botën e internetit, pas siç më pati thënë dikur, ishte kjo magji që të çonte të njihte atë pjesë të botës për të cilat kishte bindje se nuk do të mund t’i shihte dot kurrë.

Prej 23 janarit 2022 Arben Shaka nuk do të jetë mes nesh. Shpirti iku lart e trupi do të mbesë poshtë, përgjithmonë. Por ai padyshim, do të jetë në vazhdimësi pjesë e kujtimeve tona. Sepse brezi im dhe ca të tjerë para e pas meje janë rritur me humorin e tij.

Disa vite më parë, me Arben Shakën kam realizuar një intervistë të rrallë e mbresëlënëse, nga të paktat e lëna prej tij në shtypin e shkruar. U botua në gazetën “Shekulli” me titullin “Isha refugjat në Greqi, erdha emigrant në Tiranë”. Sepse pakkush e dinte se për 15 vite me radhë ai do të ishte një emigrant në Greqi. Dhe kur do të rivinte në qytetin e tij, Tiranë, gjithaq do të ndihej po aq refugjat, në një vend ku gjithçka kishte precipituar me shpejtësi dhe asgjë s’do të ishte më siç e kishte lënë.

Më pas realizova një tjetër intervistë me të që u botua nën titullin “Arben Shaka, aktori serioz i roleve komike”. Sepse pakkush e dinte gjithashtu se edhe pse fort komik në skenë, si ishte po aq serioz në jetën e përditshme.

Së fundi i kushtova dhe një portret, me titullin “Në labirintin e roleve të Arben Shakës”, mbështetur mbi ato çfarë më kishte thënë në intervistat e tij.

Aktor me karrierë të spikatur Arben Shaka njihej si mjeshtër i pantonimës. Për 33 vite me radhë i dha skenës shqiptare një galeri rolesh plot jetë. Mund të shprehte me gjeste e plastikë fytyre shumë më tepër se sa me fjalë të përbëra, togfjalësha a një monolog i tërë si në një monodramë antike. Ishte armik i monotonisë, por edhe pse kishte shtuar plot kile mbi peshë jetën kërkonte ta kishte po aq aktive sa dhe në rininë e tij kur ishte hollak e bënte akrobaci në skenë.

E kishte filluar në cirk dhe estradë, me aktrim e akrobaci, por shumë shpejt do të angazhohej dhe në kinematografi me disa role emblematike, sidomos tek “Cirku në fshat”. Si për ta përmbushur spektrin e gjerë të një aktori, pas një eksperience në një serial me 20 pjesë “Dadoja i pallatit tim”, me shumë sharm ai realizoi dhe disa spote publicitare.

Në fund të fundit ishte aktor…

“Shoferi dhe pasagjeri” një material pantonimik i Agim Nallbanit ku Arben Shaka realizoi rolin e tij të parë. Ndërsa partneri i tij në rolin e pasagjerit ishte Astrit Ferizaj. Ishte viti 1966 dhe aso kohe ishte vetëm 16 vjeç. Kishte nisur punën si elektro-auto në Parkut të Kamionëve dhe aty u përfshi në trupën amatore. Por mirëfilli do të bëhej aktor në Estradën e Ushtarit. Pas 7 muajsh shërbim ushtarak në Ersekë e tërhoqi Varieteja. Dhe siç është shprehur ai vetë: “Në ato vite Estrada e Ushtarit kishte punë jo shaka. Aty ishin mbledhur shumë aktorë të mirë. Ishte Koço Devole, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari, etj. Mbanim të veshur uniformën jeshile dhe kapele me yll. Jepnim shfaqe në repartet ushtarake të gjithë Shqipërisë. Na qëllonte të shkonin për të dhënë shfaqe në ndonjë pikë të largët ku kishte vetëm 10-12 ushtarë, ndërsa trupa jonë kishte më shumë se 30 veta, aktorë e këngëtarë”.

Prirjet e tij ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore. Por edhe pse dëshironte të luante në skenën e Estradës, këmbëngulja e Telat Agollit, krijuesit të cirkut shqiptar, e detyroi që njërën këmbë ta mbante në Cirk edhe tjetrën tek Estrada. “Me punë të lodhshme, shumë djersë e pasion arrita të jem i suksesshëm. Në ato vite Cirku shkëlqente”, më pat thënë Arben Shaka gjatë intervistës së tij.

Në fakt ai kishte humor të hollë dhe tregonte plot pasion ngjarje nga jeta. Por m’u shpreh se nuk dinte të tregonte as barsoleta dhe as të bënte humor pa shkak. “Natyra ime është e tillë që ndryshoj nga Beni i skenës, – më tha. – Në jetën e përditshme jam njeri serioz, por edhe brenda këtij serioziteti bëj shaka me kripë”.

Arben Shaka pati dhe një jetë kinematografike. Me disa personazhe episodik ai ka mbetur në pelikulën e filmit tek “Cirku në fshat”, “Odiseja e Tifozëve”, “Përse bien këto daulle”,“Estrada në Ekran”, “Kapedani”, “Gjueti e Ndaluar” dhe në komedinë “Tre dhëndurët” të Dionis Bubanit me regji të Piro Manit. Por ka pasur një rol shumë të mirë dhe tek telefilmi “Alo tekniku” me regji të Niko Kanxherit.

Ka interpretuar përkrah aktorëve të mëdhenj të skenës shqiptare: Skënder Sallakun, Xhemal Myftiun, Vasillaq Vangjelin, Maxhide Picin, Vegim Xhanin, Dario Llukaçin, Enver Dautin e mikun më të ngushtë të tij Skënder Plasarin. Por ka pasur fatin që të luajë në skenën e Estradës dhe me të madhin Mihal Popi e më pas me Melpomeni Çobanin. Ndërsa në Cirk, partneri i tij kryesor ka qenë mjeshtër i kllounatës akrobatike, Met Selimi.

Pas viteve ’90, si shumë shqiptarë të tjerë edhe ai u largua, bashkë me bashkëshorten, tre fëmijët dhe nënën për në Greqi. Kishte dështuar në iniciativën e tij për të ngritur një Teatër Variete për fëmijët e talentuar. Një gjë e tillë do ta trondiste edhe financiarisht gjë të cilën e përballoi duke shitur shtëpinë. Ky ishte dhe një peng i madh për të. Gjithsesi në Greqi, dhe më saktë në një qytet bregdetar 80 kilometra larg Athinës që quhet Lutraki, ai do të vinte në punë një tjetër talent të tij, pikturën. Dhe me këtë profesion, pikturoi gjithfarë lokalesh e reklamash të qytetit. “Padyshim kam lyer edhe ndonjë shtëpi, sepse paguanin shumë mirë”, më pati thënë duke qeshur.

Por duket se duket se kriza në ekonominë greke bëri që edhe aktori i njohur, si shumë shqiptarë të tjerë të kthehej në vendlindje. “U detyrova të vij përsëri në Tiranë, në një shtëpi me qira, ose thënë ndryshe: emigrant në vendin tim të lindjes”, më tha në fund të intervistës së tij.

Nuk kishte mbyllje më të trishtueshme për një njeri të humorit. Por Beni ishte optimist gjithsesi. Dhe duhet të ketë qenë deri në fund të jetës së tij, sepse nuk ishte nga ata që mposhtej. Ai gjatë gjithë kohës ishte në kërkim të mundësive të reja. Por tanimë, gjithçka e tij mbetet në arkiv./Fjala.al/

error: Content is protected !!