Përzgjodhi: Frank Shkreli
(Me rastin e përvjetorit të vdekjes së shqiptarit të madh Faik Konica. Ai vdiq më 15 dhjetor 1942, i vetëm, me vetëm 15 dollarë në xhep).
Klasës politike aktuale shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve, kudo, Faik Konica sot do t’i thoshte:
“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë (mend) këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot”.
Të gjithë shqiptarët, kudo dhe pa dallim, Faik Konica do t’i këshillonte:
“Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
“Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij”. (Albania 11, 1898).
“Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve”. (Albania 5, 1905).
“Si mos të dëshpërohesh në këtë vend, ku të pasurit nuk ndihmojnë dhe të varfërit nuk punojnë? ”. F. K.
Për opinionistët dhe analistët e studiove të televizioneve të sotme shqiptare, Konica do të thoshte:
“Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest ‘të ndriçojnë opinionin publik’ as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle“. (Albania 6, 1905)./dardaniapress