Paulin Preka lindi më 2 shkurt 1935, në qytetin e Shkodrës. Kreu shkollën e mesme në qytetin e
lindjes, spikati në Lëvizjen Amatore dhe u tërhoq si aktor profesionist në Estradën e Shkodrës duke
krijuar aty një profil artistik origjinal për më shumë se 40 vjet karrierë.
Ka luajtur role të karaktereve të ndryshme në llojet e shkurtra të humorit, si komedi me një dhe disa
akte, skeçe, dialogë, monologë, parodi, etj. Aktrimi i tij spikati posaçërisht në mishërimin e
personazheve pozitive, ku ai ishte i hijshëm, i natyrshëm dhe fin në skenë.
Krijoi një galeri figurash, kryesisht njerëz të mençur, ironik, thumbues, që dinë të tallen dhe të
shpotisin plot lezet të tjerët, me një “seriozitet” të madh në dukje, ç’ka krijon pikërisht kontrapunktin komik.
Në aktrimin e Paulin Prekes bie në sy pozita aktive e personazhit si dhe një sjellje sa më pranë të
vërtetës jetësore, duke shfrytëzuar me zgjuarsi situatën komike të krijuar.
Kjo metodë e çonte atë shpesh drejt stilit të interpretimit në një komedi se sa në zhanret e estradës
a llojin e farsës.
Së toku me aktorët e mirënjohur të kësaj estrade si Tano Banushi, Hasan Smaja, Zyliha Miloti dhe
Zef Deda, ai ka luajtur shumë pjesë e komedi të shkruara për estradë (Daja i burrit, Dhëndri nga
Amerika, Fotografisti, Toka jonë, Kunati i shokut Xhemal, Trualli i zënë etj). Mban titullin “Artis i
merituar”.
U nda nga jeta më 4 shtator 2021 në moshën 86 vjeçare, e kujtojmë me nderim e respekt/Naishtedikur.com/