Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) ka qenë frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës dhe zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921.
Pas dekadës së dytë të shek. XX, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e tij u ndalua dhe qëndroi e tillë deri kur ra diktatura komuniste.
Femijeria dhe studimet
Më i vogli i tre vëllezërve dhe një motre. Famullitari i Troshanit, famulli ku përfshihej edhe Fishta, Marian Pizzochini nga Palmanova, ua kërkoi prindërve që ta bënin frat dhe ata ia dhanë. Me shpenzimet e famullitarit, Zefi shkoi në shkollën françeskane në Shkodër deri më 1880, kur nisi veprimtarinë Kolegji i Troshanit.
Më 1886, vetë i gjashtti xhakua u nis për në Bosnie nga Urdhri Françeskan. Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit ndërroi emrin në Gjergj. I la mbresë rilindja letrare kroate tek lexonte poetët Martiç, Kaçiç, Njegosh dhe Mazuraniç. Në këtë kohë ai zë miqësi të ngushtë me poetin lirik kroat Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908).
Në vitin 1893 kreu me lavd këndimet në Bosnie dhe vetë i gjashtti ktheu në vendlindje, ku u bë meshtar më 25 shkurt 1894 duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit.
Pasi u kthye nga Bosnia, punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak kishën famullitare të Zojës Nunciatë në Lezhë, ku shërbeu si kapelan (1896-1897).
Më 1899 u caktua famullitar i përkohshëm në Gomsiqe, nën juridiksionin kishtar të Abatit. Më 1899 qe ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”. Më 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i Shkollës Françeskane. Porsa mori drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në gjuhën shqipe. Me mbarështimin e tij, iu shtuan edhe klasët që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare në Shkodër, duke u nderuar më pas edhe nga Xhonturqit ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë.
Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 u tubua Kongresi i Manastirit, ku Fishta përfaqësoi shoqërinë Bashkimi dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Me kryengritjen e MbiShkodrës më 1911, Arqipeshkvi Serreqi i dërguar nga autoritetet osmane, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve.
Komisioni ndërkombëtar dhe politika
Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, drejtoi të përkohshmen Hylli i Dritës, por u mbyll pas një viti prej autoriteteve prej artikujve thumbues të vetë Fishtës. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syr gjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe kleri i lartë ndërhyri që t’i pezullohej urdhri i mërgimit. Me push tim-administrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren Posta e Shqypniës. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj”, tashmë do t’i botonin vetë.
Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim u zgjodh anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti u zgjodh nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desht ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike Illyricum.
Në fillim të 1922 u nis në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt 1922 nga Liverpool, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge, i Partisë Republikane, për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur.
Pas push timit italian, më 3 qershor 1939 Fishta emërohet akademik i Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Fishta në shtratin e vdekjes
Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën rregulltare dhe atë letrare. Sëmuret me 10 dhjetor ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital për një sëmundje zemre dhe polmoni. Më 22 dhjetor, borën e skllotën që kishte mbuluar qytetin, Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bie në kllapi.
Më 30 dhjetor 1940 Fishta ndërroi jetë.