Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Lui de Fine, humori i aktorit francez që theu dyert e kinemave shqiptare

alorës i “Légion d’honneur” i Francës u nda nga jeta më 27 janar 1983

Nga Leonard Veizi

Është i famshëm sa më nuk ka. Për Francën po se po. Ndërsa në Shqipëri erdhi si “Zoti Krysho”. Tronditës për nga humori aq sa vështirë të gjeje një biletë në kohën kur u trasmetua një nga seritë ku ai ishte protagonist. Në shqip ai kujtohet nën titullin slogan “Ndodhitë e zotit Krysho”, por që në origjinal quhej “Xhandari dhe Xhandarkat”. Grushtohej e thyheshin dyert e kinemave për një biletë hyrëse që do të mundëshonte parjen e historisë së paparë prej shqiptarëve të viteve ’80 të shekullit të kaluar, së një polici me disa femra joshëse, gjithashtu me uniformë, që çuditërisht dilnin me “brekë në sy të burrave” e nuk u luanin as qepallat.

Më pas u informuam se gjithsesi “Krysho” ishte personazh i një seriali humoristik francez me policë, ku aktori kryesor edhe pse i lindur në Francë ishte me origjnë spanjolle. Quhej Fui de Fyne. Ishte fort i famshëm në Evropën Perëndimore. Madje më tepër se kaq.

Megjithatë ai nuk ishte i panjohuur për shqiptarët. Ishte shfaqur në ekranin e televizionit me filmin “As parë as njohur|” që shkaktoi të qeshura pa fund. Por ishte parë gjithashtu edhe në filmin “Kapiteni” në krah të të mirënjohurit Zhan Mare. “Kopraci” kjo komedi e Molierit, gjithashtu i dha shumë famë prej famës së tij. Por më pas erdhi “Fontamasi” i jashtëzakonshëm dhe ndjekja e tij e papërsëritshme.

Me siguri për këto arsye, – ndoshta edhe për shkak të filmit “Tatuazhi”, i cili gjithashtu u trasmetua nga Televizioni Shqiptar, ku flitej për tratativat e një agjent pikurash të vjetra, – kur në posterat e kinemave u shfaq fytyra e tij si një xhandar i një lokaliteti francez, – siç ishte Saint-Tropez, – biletat në kinematë e Tiranës u shitën në kohë rekord…

…Falë plastikës së tij të jashtëzakonshme ai u bë gjithashtu një aktor i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Duhet të jenë të paktë ata që nuk e njohin aktorin francez me origjinë spanjolle Lui de Fine (Louis de Funès). Filmat e tij plot humor janë transmetuar në vazhdimësi nga televizionet e gjithë botës. Sipas disa sondazheve të bëra që nga viti 1968, ai është aktori i preferuar i Francës, pasi ka luajtur mbi 150 role në film dhe mbi 100 role të tjera në skenën teatrit.

Një rekord i vërtetë.

Stili i tij i aktrimit mbahet mend për performancën plot energji si dhe gamën e gjerë të shprehjeve të fytyrës e teknikave.

Fama aktoriale

Lui de Fine është një nga aktorët më të famshëm francezë të të gjitha kohërave, për më tepër kur bëhet fjalë për famën e tij ndërkombëtare. Veç famës së tij ekstreme në botën frëngjishtfolëse ai gjithashtu mbetet ende një emër familjar në vende si Italia, Gjermania, Spanja, Turqia, Irani, Greqia, Izraeli, Shqipëria, Sllovenia, Rusia, Polonia, Çekia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria. Përkundër kësaj ai mbetet pothuajse i panjohur në botën anglishtfolëse. Por u ekspozua një audiencë më të gjerë vetëm një herë në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1974, me filmin e “The Crazy Adventures of Rabbi Jacob”, i cili u nominua për një çmim Golden Globe.

Jeta familjare

Louis de Funès lindi në 31 korrik 1914 në Courbevoie, Hauts-de-Seine nga prindër që origjinën e kishin spanjolle. Meqenëse familjet e çiftit kundërshtuan martesën e tyre, ata u larguan në Francë në vitin 1904. Babai i tij ishte një fisnik, ndërsa nëna ishte me origjinë Baske. I njohur për shokët e miqtë si “Fufu”, de Fine fliste në frëngjisht, spanjisht dhe anglisht. Gjatë rinisë së tij kishte pasion për të vizatuar dhe interpretuar piano. Gjatë pushtimit të Parisit në Luftën e Dytë Botërore, vazhdoi studimet e tij për piano në një shkollë muzikore, ku ra në dashuri me një sekretare, Jeanne Barthelémy de Maupassant. Ajo ishte dashuruar me “të riun që luante xhaz”. Ata u martuan në vitin 1943 dhe jetuan së bashku për dyzet vjet deri në vdekjen e de Fine në 1983. Patën dy djem: Patrikun, i cili u bë mjek dhe Olivier i cili u bë pilot për Air France Europe i cili gjithashtu ndoqi babanë e tij në profesionin e aktrimit.

Teatri dhe filmi

Louis de Funès filloi karrierën e tij në teatër, ku ai kapi një sukses të moderuar dhe gjithashtu luajti role të vogla në filma. Pasi arriti statusin e një ylli të filmit, vazhdoi të luante role teatrore. Karriera e tij skenike arriti kulmin me një shfaqje të mrekullueshme në lojën “Oskar”, rol të cilin do ta riprodhonte disa vite më pas duke e adaptuar për një film. Në vitin 1945, falë kontaktit të tij me Daniel Gélin, de Fine bëri debutimin e tij të filmit në moshën 31 vjeç. Ai u shfaq në ekran për më pak se 40 sekonda. Megjithatë, gjatë 20 viteve të ardhshme, vazhdoi të interpretojë në mbi njëqind role filmike, duke luajtur personazhe të vegjël në 80 filmat e parë, përparë se të merrte një rol kryesor. Gjatë kësaj periudhe, de Fine zhvilloi një rutinë të përditshme të veprimtarive profesionale: në mëngjes ai bënte dublime për artistë të njohur si Totò, një komik italian i kohës; gjatë pasdites punonte në film; dhe në mbrëmje, interpretonte si një aktor teatri. Nga 1945 deri në vitin 1955, portreti i tij u shfaq në 50 filma. Ai e arriti yllin në 1963 me filmin e Zhan Zhiros, “Pouic-Pouic”. Ky film i suksesshëm garantoi faturimin më të mirë të de Fine në të gjithë filmat e tij pasues. Në moshën 49 vjeçare, de Fine papritur u bë një yll kryesor i filmit me famë ndërkombëtare “Le gendarme de Saint-Tropez”. Pas bashkëpunimit të tyre të parë të suksesshëm, regjisori Zhan Zhiro e perceptoi de Fune si aktorin ideal për të luajtur pjesën e xhandarit skematik dhe oportunist. Filmi i parë u shoqërua dhe me gjashtë seri të tjera. Përfundimisht, ai u bë aktori kryesor komik i Francës.

Kalorësi i Francës

Në vitet e fundit të jetës së tij, de Fine arriti një sukses të madh. Në 1973 ai u bë kalorës i “Légion d’honneur” i Francës. Ai banoi në Château de Clermont, një kështjellë e shekullit të 17-të, e vendosur në komunën e Le Cellier, e cila ndodhet 27 kilometra nga Nantes në perëndim të Francës.

Lui de Fine vdiq nga një sulm në zemër më 27 janar 1983, disa muaj pasi bëri filmin e tij të fundit. Banesa e tij e fundit është në “Cimetière du Cellier”. Pas vdekjes ai u portretizua në një pullë postare të lëshuar më 3 tetor 1998 nga zyra postare franceze. Në vitin 2013, u krijua një muze kushtuar këtij aktori famoz në Château de Clermont.

Më 31 korrik 2019, po për nder të tij u hap një tjetër muze në St. Raphael./Fjala.al/

error: Content is protected !!