Lindi në Shkodër, në vitin 1864(sipas librit të pagëzimit).
Pas përfundimit të studimeve në Kolegjin Papnor, shugurohet meshtar në vitin 1888, duke shërbyer në disa famulli. Përtej shërbesës fetare veprimtaria ishte shumë e gjerë.
Ditën e parë që shugurohet prift doli botimi i tij i parë nën titullin “Ndodhitë e së Shenjtës Kishë”, botuar nga shtypshkronja e “Propogandës Fide” në Romë, duke vazhduar më tej me romanin, që është cilësuar si i pari në gjuhën shqipe. Në fushën e historisë spikati me librin shumë të çmuar në atë kohë “Histori e Shqypnisë”, shtypur në Bruksel, në vitin 1902.
Gjithëashtu, bashkëpunoi ngushtë me Faik Konicën duke botuar që në numrat e parë të revistës “Albania” shkrimet e tij, dhe më tej me Imzot Preng Doçi, duke qenë një nga anëtarët themelues të Shoqërisë ” Bashkimi”. Shquhet më tej në fushen e botimeve, pasi në vitin 1909 themelon shtypshkronjën “Nikaj”, e para në Shkodër.
Botimi i parë në këtë shtypshkronjë ishte i tij, fletorja politike ndër të parat në Shqipëri nën titullin “Koha”, janar 1910, duke vazhduar pastaj me gazetën “Besa Shqyptare” dhe mjaft botime të tjera në vepra letrare dhe tekste shkollore.
Mbajti vazhdimisht lidhje me gjithë shoqëritë shqiptare të krijuara nëper qendra të Europës. Arrestohet në vitin 1946, në moshën 82 vjeçare. Vdes në burgun e Burrelit, më 16 janar 1951.
Foto: AQSH.