Categories
Histori Personalitete

Më 24 janar 2017, u nda nga jeta Willy “Vili” Kamsi (1926 – 2017), arsimtar, bibliograf, publicist, albanolog dhe diplomat shqiptar

Willy Kamsi (Bari, 17 dhjetor 1926- Shkodër, 24 janar 2017) ka qenë arsimtar, bibliograf, publicist, albanolog dhe diplomat shqiptar.

Djali i vetëm i Gjonit të Palokë Kamsit dhe Rozës së Pjetër Daragjatit. Leu në Bari gjatë mërgimit politik të të atit, i cili qe i shtyrë prejse ishte pjesëtar aktiv i Lëvizjes së Qershorit. U pagëzua në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, ku jetonin gjyshat e tij amësor. Ndoqi shkollimin fillor dhe atë të mesëm në qytetin e lindjes, pranë Institutit “Di Cagno Abbrescia” të drejtuar nga etërit jezuitë.

Shtëpia e tij në Bari ishte një votër e ngrohtë për patriotë dhe politikanë shqiptarë, aty u përshkuan: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, mons. Bumçi, dom Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Bahri Omari, Sotir Gjika, Xhevat Kortsha e shumë të tjerë.

Willy u rrit në mërgim, prej nga erdhi në Shqipëri në kulmin e Luftës së Dytë Botnore, në qershor të vitit 1943. Prej 1943 gjer më 1946 nuk ndoqi shkollim në Shqipëri dhe vetëm më 1946 u regjistrua, për të marrë diplomën e pjekurisë më 1946.

Më 1944 u angazhua në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, drejtor i të cilës qe Filip Fishta që e ndihmoi të përvijonte një formim albanologjik megjithëse fort i ri.

Vendosja në kryeqytet dhe mbarimi i luftës do të sillnin ndryshime të papara në jetën e familjes Kamsi. Edhe pse i ati, Gjoni, nuk ishte marrë gjatë luftës me politikë, familja e tij në qershor të vitit 1953 dëbohet prej Tiranës dhe detyrohen të shkojnë në Shkodër.

Punoi si bibliotekar pranë Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër më 1954. Vitin tjetër punësohet në zyrën teknike të Komitetit të Shkodrës, punë në të cilën qe për afro 9 vjet, deri më 1963, kur u emërua përgjegjës i bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik.

Prej 1963 e deri më 1990 drejtoi këtë bibliotekë duke e pajisur me rreth 120 mijë vëllime, libra dhe të përkohshme. Ndër punët e vyera formoi prej së pari sektorin e albanologjisë me botime të blera kryesisht prej familjeve shkodrane. Sektor i cili mbahet si njëri prej më të mirëve në Shqipëri, pas Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Ndërkohë ndoqi studimet e larta duke u diplomuar më 1975 për Histori dhe Gjeografi[3].

Një prej miqve të tij më të mëdhenj, Át Viktor Volaj; ish-sekretar personal i Át Anton Harapit dhe komentues i Fishtës – çmonte tek Kamsi mendjen e tij logjike dhe kujtesën mirandoliane që i jepnin vlerë kërkimeve të tija të censhme në lëmin e historisë mesjetare.

U muar part time me rindërtimin e bibliotekës “Át Zef Valentini S.J.” të Institutit të Lartë Filozofik dhe Teologjik në Shkodër. Mori pjesë ndër konferenca, simpoziume, takime shkencore që u zhvilluan në Shqipëri dhe veçanërisht në Shkodër.

Ndërroi jetë më 24 janar 2017 në shtëpinë e tij në Shkodër, duke pasë pranë të motrën Milën./Naishtedikur.com/

error: Content is protected !!