Me dhimbje dhe keqardhje mësuam për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur të TK, z.Anastas Kristofori. Ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij!
Anastas Kristofori lindi më 28 nëntor 1943 në fshatin Vuno. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970, fillon punën me trupën profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971.
Të shumtë do të jenë interpretimet e tij në skenën e këtij teatri, ku mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit; roli i sekretarit të Prefektit në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës; rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës; rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” të Adelina Balashit e shumë të tjera.
Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë ai i Stavrit në vitin 1976, e më pas ai i Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure” më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si: ai i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” më 1982; z.Antonio, kuestori i Tiranës në filmin “Vendimi” më 1984; z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” më 1988 etj.
Roli i tij më i fundit do të jetë roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998 një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit. Për meritat e tij artistike, Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.