Piktori i njohur Mustafa Arapi ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare.
Mësohet se ka ndërruar jetë në spitalin Shefqet Ndroqi, ku ndodhej i shtruar prej ditësh.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur vajza e tij Dorina e Arapi, përmes një postimi në Facebook.
“Sot në mesnatë, babi im u largua nga jeta. Drita, dielli, bota, shtylla e familjes sonë u shua. Ba!
Dua të të kujtoj kështu të qeshur gjithmonë. Të dua përjetësisht!”, shkruan vajza.
Arapi ka lindur më 23 korrik 1950 në Tiranë. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1979 për pikturë. Pas studimeve ai filloi të punonte si restaurues i veprave të artit bizantin në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë.
Ka punuar si profesor në Akademinë e Arteve nga viti 1985 deri më 1991.
Pastaj, gjatë viteve 1993-2006 ishte shef i Departamentit të Punëve të Artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës./Shekulli