Nga Bolshoi Teatri ne Tirane
KUJTIME NGA GANIMET VENDRESHA
BALERINA E PARE SHQIPTARE

Fotot dhe kujtimet me te thella te balerines se pare shqiptare jane nga kohet e ngjarjet e ndryshme; Baleti ‘Halili e Hajria’, Studimet në Moskë, shfaqjet në Bolshoi Teatër, homazhet në varrin e Stalinit, pastaj ardhja në Tiranë në rolet e para, interpretimet para udhëheqjes, kërcimi dorë për dore me Enver Hoxhën e Çu En Lain, shfaqjet e censuruara, gratë e Bllokut që pëlqenin baletin… E keshtu me radhe.
. Ganimet Simixhiu, ose Hajrija e parë shqiptare, është një prej historive të suksesit që ka dalë nga dyert e institucionit të Teatrit Kombtar te Operes dhe Baletit TKOB. Pas gjashtë viteve të shkollimit në të famshmin “Bolshoi Teatër” të Moskës, ajo bashkë me të shoqin, Xhemilin, do të sillnin në Shqipëri traditën ruse të baletit. Ata do t’i trokisnin në derë ministrit të kohës, Manush Myftiu, për krijimin e shkollës koreografike shqiptare. Si një nga balerinat më të spikatura të skenës, Ganimeti do të ishte e përzgjedhura e ish-byroistëve komunistë për të qenë pjesëmarrëse në shfaqje të ndryshme përpara tyre, ndërsa në vizitën e parë të Kryeministrit kinez Çu En Lai, së bashku me trupën e baletit ata do të performonin përpara udhëheqjes, madje do të merrnin edhe lëvdatat e Enver Hoxhës. Ndërsa, me këtë të fundit do të kërcente me sa duket të parën e të fundit valle popullore, në një prej evenimenteve të organizuara në Pallatin e Brigadave. Të bërit art nën censurën komuniste nuk ishte një sipërmarrje e lehtë, gërshërët e së cilës do t’i ndjente ditën kur Fiqrete Shehu do të anulonte një shfaqje në provat gjenerale të tyre.Shkepusim disa kujtime e rrefime te balerines se pare shqiptare Ganimete Vnedresha.
– Ishte viti 1950, kur së bashku me njeriun që do të bëhej më pas im shoq, Xhemil Simixhiu, gjithashtu dhe katër kolegë të tjerë, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Agron Aliaj dhe Melushe Bebeziqi, u dërguam për studime në shkollën më të famshme të artit në Rusi, shkollë pranë teatrit “Bolshoi” në Moskë. Aty studiuam për gjashtë vjet, dhe paralelisht me shkollimin edhe interpretuam në skenën e teatrit. Një prej shfaqjeve ka qenë “Liqeni i Mjellmave”, e disa të tjera prurje hungareze, spanjolle etj. Interpretuam me një grup profesorësh, nga më të mëdhenjtë e baletit të atyre kohëve. “Bolshoi Teatër” është vendi ku ka kulmuar arti, ku spektatorë kanë qenë edhe mbretërit dikur, edhe personalitete të politikëbërjes ruse etj. Ishte një skenë gjigande, gati 30 metra e thellë, me pendencë të skenës nga dyshemeja dhe vendet e publikut, ishte e ndërtuar e tillë sepse në skenë janë ngjitur edhe kuaj, edhe karroca, gjithfarë elementesh mbështetës për pjesët e baletit.
Ne Shqiperi u kethyem në vitin 1956. Ishim grupi i parë i balerinëve që krijuam trupat e baletit, shfaqjet e para… I vajtëm në zyrë ministrit të Kulturës në ato vite, Manush Myftiu, ku i kërkuam të krijonim shkollën e koreografisë, si degë e Liceut Artistik. Gjetëm mbështetjen e tij, dhe kështu vendosëm në udhë të mbarë baletin në Shqipëri.
Emocionet më të mëdha i kam pasur në shfaqjen “Halili dhe Hajria”, me koreografi të Panajot Kanaçit. Interpretoja bashkë me Xhemil Simixhiun, bashkëshortin tim dhe të dy u përfshimë shumë në rolet kryesore që na ishin besuar. Shfaqja natyrisht pati edhe vëmendjen e udhëheqësve komunistë, të cilët në ditën e premierës ishin të gjithë të pranishëm në lozhën përballë. U cilësua si baleti i parë shqiptar dhe për hir të së vërtetës pati sukses të jashtëzakonshëm. “Halili dhe Hajria” u ngjit në skenën e TKOB-it në vitin 1963, për nder të Kryeministrit kinez Çu En Lait, i cili vizitoi Tiranën ditët e vendosjes së shfaqjes.
Për mua kjo shfaqje mbetet një nga momentet më bukura në historinë e karrierës artistike. Bashkë me Xhemilin, Zoicën, Petritin e Miltiadh Papën në përfundim të shfaqjes, dalim në korridor, për të shkuar më pas në dhomën e zhveshjes. Ndërkohë, Enver Hoxha na shikon, shkëputet nga grupi i politikanëve bashkë me Çu En Lain dhe vijnë na japin dorën, duke na përgëzuar për shfaqjen. Ndërkohë, Enveri më drejtohet mua duke më thënë se e kishte shijuar shumë baletin, e veçanërisht më tha “më pëlqeu baleti yve”(nuk e harroj këtë yve, ndoshta ishte në të folmen gjirokastrite). Unë u mpiva. Asokohe ishte emocion i madh të të lëvdonte njeriu më i pushtetshëm i vendit.
Me aq sa mbaj mend, kujtoj se një nga zonjat me më shumë interesim për baletin dhe artin në përgjithësi ka qenë Fiqrete Shehu. Gjithashtu edhe Liri Belishova, e cila pas çdo shfaqjeje do të vinte pas skenës dhe më kapte pas belit, më përqafonte duke më përgëzuar për interpretimin.
Teatri ato vite funksiononte çdo mbrëmje, përveç të hënës, e cila ishte pushim. Përpara prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ne vendosëm në skenë edhe shfaqje të huaja, si “Lola”, “Mirandolina” etj. Pastaj u kërkuan vetëm shfaqje nacionale dhe ne artistët nuk mund të dilnim përtej rregullave, nuk e kishim aq pushtet. Nuk e mbaj mend saktësisht emrin e shfaqjes, por ishte një vepër me muzikë të Shtrausit. Në ditën e provave, vjen Fiqrete Shehu, me siguri iu duk e papërshtatshme për moralin komunist dhe u anulua të nesërmen. Ne artistët mbetëm keq, nuk e prisnim, por fatkeqësisht nuk mund të ndryshonim asgjë.
ERMIRA ISUFAJ
(Pjese nga nje interviste me e gjate) – Artikull i vitit 2016
Burimi: Albumi Akordet e Kosoves