Nga Diana Çuli – Ajo nuk ishte thjesht ‘gruaja e Jusuf Vrionit’. Ajo ishte Agi. Agi Beni. Ishte vetvetja edhe në çastet më të vështira, edhe në ato të gëzuarat, edhe në jetën e përditshme. Ishte e ëmbël, tërheqëse, me kulturë të gjerë, e shoqëruar, e dashur. Shpërndante qetësi dhe paqe, megjithëse jeta e saj dhe e Jusufit nuk mund të kishin së brendshmi qetësi dhe paqe. Ata të dy përbënin një çift jo të zakonshëm, në Tiranën e një kohe kur gjithçka nxitej të ishte e zakonshme, e rëndomtë, e njëtrajtshme.
Por, kjo është e pamundur, edhe në regjimet më të ashpra.
Agi ishte bijë e një shkodrani dhe e një austriakeje. Ai kishte studiuar në Vjenë për financë, e dashura e tij ishte vajza e vetme e një austriaku kryeqytetas në gjendje shumë të mirë, e cila e dashuroi shqiptarin e ri dhe i erdhi pas në Shqipëri. Jetoi pak kohë në një nga vilat e zonës së Tiranës, që më pas u quajt me emrin kuptimplotë Bllok, vilë të cilën nuk vonuan t’ia merrnin këtij çifti, tashmë nën etiketën e të deklasuarve. Patën dy fëmijë, Agin dhe Maksin.
Agin e njoha për herë të parë në vitin 1978, kur u hap revista Les Lettres Albanaises, ku do të punoja si redaktore, me krijime të letërsisë shqipe të përkthyera në gjuhën frënge. Kadareja, që ishte kryeredaktor i saj dhe që sugjeroi emrin e Jusuf Vrionit si një nga përkthyesit kryesorë, të jashtëm, të autorëve shqiptarë, besoj se ndikoi që Agi të punësohej aty. Ajo kishte punuar më parë në revistën Ylli dhe në Kinostudion Shqipëria e Re, gjithnjë në pozitën e daktilografistes dhe të përgatitjes së lëndës për shtyp, por me faza, se ndodhte që kur do të ‘shkurtoheshin’ punonjësit, Agin do ta kapte patjetër lapsi.
Agi dinte gjermanisht se e kishte gjuhë nënë, shkruante dhe fliste italisht njësoj si ta kishte gjithashtu gjuhë nënë, e njihte mirë frëngjishten, kurse gjuhën e babait e fliste me një theks të lehtë shkodran, që i jepte muzikalitet dhe tingëllimë të veçantë të folurës së saj.
Ia dëgjoja tingujt e zërit t’i kumbonin si melodi nëpër korridoret e Lidhjes, edhe kur thoshte ‘mirëmëngjes’.
Ishte gjithnjë e hollë dhe me flokë gjithnjë të valëzuar që i rrethonin fytyrën rrezatuese. Ishte e vështirë t’ia kuptoje trishtimin, nëse trishtohej, vuajtjen, nëse vuante; ishte po ashtu e vështirë të kuptoje nëse përshkohej nga ndonjë ndjesi tejet e hareshme. Por, ajo dinte të ishte mike e vërtetë, veçanërisht kur çdokush nga ne ndihej në vështirësi a në situatë të ndërlikuar. Pa e kuptuar, atë e kishe pranë, pa zhurmë, pa bujë, vetëm me një fjalë, me një ëmbëlsirë që e kishte përgatitur për ty, me një vazo lulesh, me një libër italisht ose frëngjisht, nga ata ‘të ndaluarit’, që i sillte nga shtëpia e saj apo që dinte se ku t’i gjente.
Dhe shtëpia e saj ishte gjithnjë mikpritëse. Aty, te kthesa e rrugës së Kavajës, ne e dinim, kur shkonim, pasditeve apo mbrëmjeve, se do të hynim në një sallon me mobilie ‘nga e shkuara’, se do të bisedonim me Jusufin dhe me Agin për letërsinë, për përkthimin, për muzikantë, për piktorë, për ide, duke na u luhatur mbi krye ethja e këtyre bisedave që nuk mund t’i bënim lirshëm atje në zyrë. Futeshim në një botë tjetër, si të lëviznim me makinën e kohës, ktheheshim mbrapsht, ose udhëtonim horizontalisht në Paris, në Vjenë, ose shkonim përpara, në të ardhmen. Agi na hapte me elegancë dyert e këtyre mirazheve, Jusufi na printe si me magji nëpër to.
Tani të dy nuk jetojnë më. Agi sapo ka mbyllur sytë në Romë. Shpesh, mes nesh mikeshave e miqve të saj, jemi pyetur përse vendosi, në një moment të caktuar, të mos jetonte më në Shqipëri. Por, ndoshta, në atë heshtjen e saj elokuente, ajo donte të na thoshte se, në fund, do të jetonte qoftë edhe pak, diku, në Europën së cilës i përkiste dhe që ia ndaluan për dekada me radhë. Ndoshta nuk është ky arsyetimi i Agit, por, me sa duket, ne duam ta përfytyrojmë gjithnjë në një kryeqytet europian.
Ndoshta do të shkruaj më pas më gjatë për Agin, për Jusufin, por sot janë këto pak reshta që miqtë e përbashkët të tyre, të saj, më kërkuan t’i hidhja në letër. Të gjithë ne ngushëllojmë Alanin, djalin e vetëm të Agit e të Jusufit, për humbjen e nënës së tij. Dhe të afërmit e tjerë të Agit, që janë në Tiranë, a kudo që ndodhen nëpër botën e madhe./Gazeta Shqiptare