Categories
Art Histori Kulture Personalitete

Një rrëfim special i muzikantit dhe profesorit, Spiro Kreci

Në një intervistë që i bëmë Prof. Spiro Krecit, na bëri përshtypje malli për qytetin ku ai jetoi e punoi prej shumë vjetësh, dashuria për ish-kolegët e tij, ish nxënësit e tij, për bashkëqytetarët e nderuar, punëtorë, artdashës, bujarë e mikpritës.

Nga intervista e bërë, përmblodhëm jetën dhe veprimtarinë e dy mësuesve të parë të qytetit Memaliaj, Lavdie dhe Spiro Kreci. Së bashku, kaluan një jetë të tërë, të përkushtuar për punën pranë nxënësve. Ata ishin nga vende të ndryshme, por puna i bashkoi në qytezën e re, Memaliaj. Qyteti ishte i ri, me njerëz të ardhur nga krahina të ndryshme, por të gjithë i bashkonte dashuria për punën, artin dhe sportin.

Tepelenë: Veteranët e ekipit të futbollit “Minatori”.
Ulur nga e majta: Spiro Kreci, Sefi Paza, Gëzim Hysesani, Shpëtim Mellara, Vladimir Shehu. Dalë në vitin 1982, në inaugurimin e stadiumit të Tepelenës “Sabaudin Shehu”. Lart nga e majta: Novruz Çibuku, Dilaver Abazi, Nazmi Shehu, Eqerem Shehu, Sabaudin Shehu, Eqerem Braja, Mitat Gerbi dhe Karafil Asllani Caushi, etj.

Ishte vetëm 14 vjeçe, kur Lavdie Joka, doli mësuese për herë të parë dhe punoi si mësuese në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ajo u lind në Libohovë të Gjirokastrës. Në vitin 1953, punoi si mësuese në Tepelenë dhe në shtator të vitit 1955, si mësuese në shkollën fillore në Memaliaj, derisa doli në pension, në vitin 1985-ë. Ajo kujtohet si mësuesia e klasës së parë, e përkushtuar në arsimimin dhe edukimin e sa e sa brezave. Është vlerësuar me “Medalje pune të klasit të tretë“ dhe “Mirënjohje”, nga qarku i Gjirokastrës.

Ndërsa, Spiro Kreci, kujtohet si mësues, kompozitor, drejtues i Fanfarës së qytetit, aktivist i një sërë aktiviteteve në shkollë dhe jashtë saj, drejtues i rrethit të muzikës në Shtëpinë e Pionierit si dhe lojtar në ekipin “Minatori”.

Tepelenë: Majtas Ferman Haska, Ferat Brati, Karafil Caushi, Spiro Kreci.

Edhe pse u lind në Badëlojë, një fshat shumë afër Përmetit, qysh fëmijë e ka dashur arsimimin, edhe pse në kushte të vështira. Në vitet 1943-1947 -të, kreu arsimin fillor në fshatin e lindjes. Arsimin 7-vjeçar, e kreu në vitet 1947-1950, në Përmet, duke shkuar vajtje-ardhje, çdo ditë me këmbë.

Memaliaj: Instrumentistët Dhimiter Peri dhe Spiro Kreci

Në vitet 1950-1954, vazhdoi shkollën Pedagogjike në Gjirokastër. Aty spikati për talentin e tij për muzikë, ku mësoi vetë fizarmonikën, melodia e së cilës dëgjohej mbrëmjeve të vallëzimit dhe në kampin e veror në Libohovë. Më pas mësoi të luaj me kontrabasin, ku edhe me këtë instrument muzikor, spikati talenti i tij, në fushën e muzikës. Në tetor të vitit 1954, u emërua mësues në shkollën fillore 7-vjeçare në Memaliaj, ku jepte të gjitha lëndët. Shkolla në këtë vit, filloi në tetor, pasi për herë të parë u hap klasa e pestë. Punoi si mësues 7-vjet. Në vitin 1957, krijoi familje me libohoviten, Lavdie Joka. Në vitet 1961-1965, vazhdoi shkollën e lartë, për Bio-Kimi në Fakultetin e Shkencave në Tiranë.

Memaliaj: Trupa e Estradës së qytetit Memaliaj, në një nga shfaqjet e saj, përgjatë shfaqjes “Koncert me zëra të rinj”. Duke luajtur në skenë regjisori Agim Lika dhe aktorja Mariza Muçi. Në kontrabas, është Spiro Kreci. Dalë në vitin 1980.

Humbja e fëmijës së parë të të dy mësuesve të rinj, ishte një fatkeqësi dhe një hidhërim i madh. Lindja e pesë fëmijëve ndër vite, bëri që të dy prindërit, t’i përkushtoheshin rritjes dhe arsimimit të tyre, pa lënë mënjanë pasionin e mësimdhënies.

Në shtator të vitit 1965-ë, Spiro Kreci u emërua mësues në gjimnazin e qytetit Memaliaj, ku punoi si mësues Bio-Kimie, deri në vitin 1991.

Memaliaj: Në skenën e qytetit Memaliaj, aktoria e mirënjohur shqiptare Violeta Manushi dhe regjisori Agim Lika. Aktoria e mirënjohur shqiptare, Violeta Manushi ka qenë e ftuar nga “Pallati i Kulturës” së Memaliajt. Orkestra me instrumentistët, nga e majta: Eqerem Risilia (violinist), Liljana Kreci (flaut), Syrja Osman (me klarinetë), Artur Hoda (kitarë elektrike), Hysni Osmani (dajre), Spiro Kreci (kontrabas) dhe udhëheqësi artistik i orkestrës, Dhimiter Peri me fizarmonikë. Skenografia dhe makijazhi, nga Vangjel Kokoli. Zbatues dekori nga Rakip Zhupa.

Gjatë atyre viteve, Prof. Spiro Kreci ishte një ndër aktivistët që mbajtën gjallë qytetin tonë të dashur. Në vitin 1975, u formua banda e qytetit, e cila u drejtua prej tij, deri në vitin 1991. Bashkë me trazirat e vitit 1991, u shkri edhe Fanfara, e cila i jepte frymëmarrje dhe jetë plot gjallëri, qytetit të vogël të minatorëve, sidomos pasditeve, kur fillonin xhirot e para.

Veçantia e bandës së qytetit ndihej nëpër festat, sidomos në festën e 27 Qershorit, ku banorë të ardhur nga fshatrat përeth, dëgjonin tingujt festiv të bandës dhe më pas shkonin drejtë fushës së sportit, poshtë së cilës ndodheshin rrepet hijerënda, të cila prisnin të ftuarit, këngëtarët dhe valltarët, për të kaluar të gjithë së bashku disa orë festive! Ajo ditë qershori, kujtohet gjithmonë me nostalgji nga mamaliotët artdashës.

Memaliaj: Banda muzikore e qytetit Memaliaj, me drejtues Spiro Krecin, duke dhënë koncert në qendër të qytetit. Dale në vitin 1983.

“Flakë në shtëpi“, ishte pjesa teatrale që luajti trupa e qytetit, ku interpretuan me mjeshtëri, Lavdie dhe Spiro Kreci. Për interpretim të mirë, trupa e qytetit mori vendin e parë në konkurrimin midis trupave teatrore amatore, që u zhvillua në qytetin e Elbasanit. Spiro Kreci, ka interpretuar në nivele të larta edhe tek pjesa teatrale, “Qielli i lumturisë”.”

“S’kishte më bukur në ato vite, kur shikoje se katër nga pesë lagjet e qytetit, kishin trupën e tyre të Estradës, ku secili pjesëtar i saj, i merrte seriozisht përgatitjet. Shumica prej tyre edhe pse ishin në punë, e gjenin kohën për t’ia përkushtuar artit, vlera këto që e mbanin gjallë qytetin tonë artdashës. Tek të gjithë këta aktorë, këngëtarë dhe instrumentistë të talentuar, spikaste shpirti i tyre artistik dhe pasioni për t’u përgatitur edhe pse provat shkonin me orë të gjata!”, dëgjohej të shprehej, Prof. Spiro Kreci.

Për profesor Spiron, si mësuesit, minatorët, gjimnazistët, të rinjtë dhe të rejat, nënat, gratë dhe drejtuesit e trupave të Estradës, ishin frymëmarrja e qytetit, i cili edhe pse shumë i vogël dhe i kufizuar nga lumi Vjosë, diti ta jetonte jetën me punë, dashuri, harmoni dhe respekt për njëri-tjetrin, mikpritjen, bujari e këngë.

Memaliaj: Nxënës së klasës së I-ë fillore, me mësuese kujdestare Lavdie Kreci. Dalë në vitin shkollorë, 1979-80.

Shpesh e shoqëronte bisedën edhe me të qeshurën e tij të këndshme, pasi i kujtoheshin shakatë që bënte me ata djem dhe burra instrumentistë të Fanfarës së qytetit, të cilët qeshnin me profesorin, kur drejtonte Fanfarën, pasi i thumbonte lehtë teksa dëgjonte ndonjë ngatërrim note. “Ishin djem të zotë, djemtë e bandës së qytetit!” – shprehej profesori.

Falenderim í veçantë, i është bërë edhe trupës së qyetit dhe pjesëmarrësve të korit të të rriturve, e cila drejtohej nga Spiro Kreci. Në vitin 1969-ë, Ansambli i korit të të rriturve të qytetit, mori çmimin e tretë në qytetin e Elbasanit, ku për Prof. Spiron dhe pjesëmarrësit, ishte një vlerësim i madh.

Kur e pyeta në lidhje me futbollin e qytetit tonë, që përfaqësonte rrethin e Tepelenës, profesor Spiro, shprehet: “Edhe sporti, sidomos futbolli, ishte kthyer në një pasion i pazëvendësueshëm, për të gjithë sportdashësit memaliotë dhe më gjerë! Tifozeria ishte e larmishme! Gra e burra, thërrisnin fort për skuadrën e zemrës. Unë pata fatin të luaj me skuadrën e “Minatorit”, në vitet 1954-1955. Në vitet 1954-1961, ishta arbitër i kësaj skuadre.

Në pyetjen se: Cilin nga bashkëqytetarët, kolegët, ish-nxënësit do të përshëndeste? Prof. Spirua, me buzëqeshjen që e karakterizon, u shprehë: “Të gjithë i përshëndes, pasi ata janë pjesë e qytetit. Të gjithë i kanë dhënë, një pjesë nga zemra e tyre e madhe, qytetit tonë të vogël.”

-Profesor, po për jetën në Greqi, ç’mund të na thoni? – “Unë jam mësuar me punë dhe në Greqi punova shumë kohë. Natyra ime korrekte dhe ndershmëria në punë, bënë që dhe sot të marr të fala nga shumë familje greke, ku kam punuar dhe jetuar me dinjitet. Puna më ka mbajtur gjallë.”

Çifti Lavdie dhe Spiro Kreci

Përgjatë bisedës, e pyeta për një nga këngët e kompozuar prej tij, “Alo, mami!”, ku u pëlqye shumë në ato vite, e cila u këndua nga vajza e tij, Liljana dhe Mariza Muçi. “Po, jo vetëm kompozimi im, por edhe i kompozitorëve të tjerë të rrethit të Tepelenës, na kanë dhuruar këngë të bukura, të cilat zbulonin talentet e reja. Festivali i fëmijëve, ishte gëzimi dhe festa e tyre.”, – u shprehë profesori.

Bisedën tonë, e shoqëronte një melodi e lehtë, e cila ia shkëpuste ndonjëherë fillin e mendimit, profesor Spiros, i cili humbiste nëpër nota, që i shoqëronte duke lëvizur gishtërinjtë, sipas ritmit muzikor. Kjo pamje më solli ndërmend, frazën që kishte shkrujatur një memaliot tek kujtimet e tij, i cili shprehej: “Profesor Spiro, edhe kur ecte në rrugë, dukej sikur shpërndante nota muzikore.” Prof. Spiro Kreci, është vlerësuar me Medalje Pune dhe me titullin, “Qytetar Nderi” i qytetit Memaliaj.

Kur lexoi mesazhet e shumta të bashkëqytetarëve, ish-nxënësve dhe kolegëve, profesori u përlot për vlerësimin dhe respektin që ata tregonin. “Lulet e dërguara në mesazhe, më sjellin aromën e luleve të 7-Marsit, ku nxënësit na uronin festën. S’kishte gjë më të bukur! Çdo mesazh për mua, është një kujtim i bukur, një nostalgji, rikthim në kohë, ku unë kalova gjysmën e jetës sime, me njerëzit më artdashës dhe arsimdashës.”- shprehej me lot në sy profesori, pa i ndarë sytë nga mesazhet e pafundme.

Memaliaj: Nxënës së klasës së II-të fillore, me mësuese kujdestare Lavdie Kreci. Dalë në vitin shkollorë, 1980-81

Një jetë e mbushur dhe e gjallëruar nga zërat e nxënësve, nga meloditë e këngëve të kënduara në sa e sa festivale, paharruar edhe thirrjet entuziaste në fushën e sportit. Të gjitha mesazhet, janë vetë jeta. Për profesor Spiron, fjala “respekt” është gjithçka.

“Pafundësisht falenderime për të gjithë!” – thotë profesori.

Ku s’kanë shkelur këmbët e tij: fshatrave e qyteteve, me fizarmonikën në krah, për të dhënë koncerte. Një jetë me sport, art dhe mësimdhënie. Një trinom i pandarë, për të cilin, mesazhet nuk pushonin edhe tek video-montazhi, kushtuar profesor Spiros, bëri që të gjithave mesazhet shprehnin respekt dhe mirënjohje. Janë me qindra mesazhe, por po sjellim vetëm disa prej tyre, si më poshtë:

Agim Lika: “Familja Kreci, është një ndër familjet e respektuara në Memaliaj, e cila ka dhënë një kontribut të madh, në jetën artistike të këtij qyteti të vogël, por me histori të madhe! Ashtu si mësuesit, Lavdie dhe Spiro Kreci, edhe fëmijët e tyre, meritojnë respekt dhe mirënjohje të thellë për kontributin e tyre që kanë dhënë në arsim dhe kulturën e qytetit tonë!”

Namik Caushi: “Prof. Spiro Kreci, është themeluesi i muzikës së qytetit tonë, i cili e filloi aktivitetin e tij, që në fillim të viteve 1950-të, dhe punoi deri sa doli në pension. Kontributi i tij, është i jashtëzakonshëm në fushën e muzikës ku ai përfshiu edhe vajzën e tij, Liljanën. Është themeluesi i të vetmes bandë frymore të qytetit tonë, që ndoshta duhen dekada për tu rikrijuar. Respektë për këtë figurë emblemë për Memaliajn dhe për familjen e tij, e cila ka qenë modeli i qytetarisë!”

Bekim Malka: “Për Spiro Krecin, duhet të shkruash libër! Dua të them se Spiro Kreci është i veçantë, ku emri i tij për qytetin tonë, do të thotë: kulturë, art dhe sport!”

Guri Halili: “Respekt për mësuesit dhe kolegët e mi, në mënyrë të veçantë për mësuesen time të klasës së parë, të nderuarën Lavdie!”

Grigor Fociro: “Një shokë dhe mësues i shkëlqyer, por edhe një organizator i zoti! I uroj jetë të gjatë dhe nëse i lexon këto dy rreshta, të kujtojë atë të kaluarën, që kemi qënë bashkë, si kolegë! Dhe një herë, i uroj jetë të gjatë dhë të lumtur!”

Noli Lufta Arapi: “Respekte pafund për mësuesin, Spiro Kreci! Një mësues i duruar, i dashur, fisnik e me një metodë të thjeshtë për tu kuptuar dhe i rrallë në mësimdhënie, që nuk të bënte të ndiheshe keq edhe nëse nuk kishe mësuar.”

Gëzim Mullaraj: “Unë nuk njohë njeri tjetër, që të jetë personazhi më i dashur (dhe i dashuruar), nga i gjithë qyteti. Profesori poliadrik, Spiro Kreci, është dhe do ngelet në kujtesën tonë, si perfeksion, korrektësi, zemërmirësi dhe obelisk i ndërtuar nga ai vet, për t’u adhuruar zemërgjerësisht, nga të gjithë ne. Një përqafim plot mall dhe respekt, duke ju qenë mirënjohës pafundësisht.”

Krisanthi Porodini Veshka: “Prof. Spiro Krecin! Mësuesi i muzikës, të cilin nuk mund të gjejë fjalë për ta përshkruajtur, Një mësues shumë i dashur me nxënësit, i cili na rinte pranë të gjithëve dhe na këshillonte në çdo kohë, sikur të ishte prindi jonë! Ai bëri të mundur të themelonte korin artistik të shkollës, ku kam marrë edhe unë pjesë, e cila kisha zërin e parë. Të gjitha ne, kishim veshur uniformë artistike, si bluzë të bardhë dhe funde ngjyrë blu. Ishte një krenari, që ishim nxënësit e mësuesit të përkushtuar, Spiro Kreci, i cili sot na lexon dhe i urojë pleqëri të mbarë dhe të shëndetshme.”

Thanas Hoda: Të falenderoj i dashur Mondi, për këtë vlerësim, të punës, të këtyre mësuesve të përkushtuar, të palodhur, të papërtuar, që punuan me shpirt e zemër, për vite të tëra, në shkollën e qytetit Memaliaj! Të dy, si një trup i vetëm, si t’i kish bërë një nënë, kanë dhënë maksimumin e mundësive për edukimin e brezave të tërë të fëmijve në Memaliaj. Me Spiron, kemi shkuar si kolegë dhe vëllezër, me marrëdhënie të shkëlqyera e me mirëkuptim të plotë! Lavdia, ishte mësuese e specializuar për klasat e fillore, e cila dinte t’i bënte për vete ata fëmijë dhe t’u ngjallte dëshirën për të ecur në jetë! Ajo bënë pjesë në familje mësuesish, që bashkë me vëllezërit e saj, të paharruarit, Bardhyl e Genci Joka, kanë lënë gjurmë të paharrueshme dhe të pashlyeshme, për zhvillimin e arsimit në Tepelenë dhe rrethin e kësaj kryeqendre! Spirua ka qenë, jo vetëm një mësues me pasion të veçantë për t’i pajisur nxënësit me dije, por edhe një aktivist i palodhur në drejtim të aktiviteteve artistike në shkollë dhe në qytetin e minatorëve! Ishte i vetmi instrumentist në Memaliaj, që me fizarmonikën në krahë, argëtonte dhe gëzonte të gjithë, me ëmbëlsinë e melodive, të cilat dilnin nga fizarmonika ku luante mbi tastierë, me gishtërinjtë e tij të palodhur! Njeri me zemër të madhe dhe i papërtuar, ku ditën mësonte ata nxënës të etur për dije dhe mbrëmjeve shkonte me fizarmonikë në krahë, kolektiv më kolektiv, në qytet e sektorët e largët të punës në minierë, për të dëfryer ata punëtorë të nxirë në fytyrë nga pluhuri i qymyrit, por me zemrat e bardha si bora e malit, që ata të harronin lodhjen e shqetësimet e kohës. Asnjë shpërblim material a moral, nuk kërkoi Spirua! Kënaqësia më e madhe e tij, ishin buzëqeshjet dhe respekti i atyre nxënësve e qytetarëve, që nuk i ka munguar kurrë! Ky është vlerësimi më i çmuar për këdo që jetoi e punoi në qytetin tonë, ku të gjithë e quanin veten si një familje e madhe! Qoftë e paharruar Lavdia dhe vëllezërit e saj! Shokut tim të shkollës dhe kolegut deri sa të dy dolëm në pension, Spiro Krecit, i uroj; të rrojë gjithmonë i rrethuar me dashuri dhe respekt, nga të gjithë!”

Lavdosh Dimraj: “Thanas Hoda, me të njëjtën konsideratë e vlerësim si edhe i juaji, kam edhe unë për të dy, si koleg e bashkëqytetarë, pasi me të cilët na lidhte puna; në Seksionin e Arsimit dhe kabinetin pedagogjik! Në analiza e diskutime në bazë rrethi, emrat e të dyve kanë qenë ndër të parët, si mësues rezultativ në punën mësimore dhe edukative, sidomos”.

Vasil Vasili: “Mësuesit, Spiro dhe Lavdie Kreci, janë një histori mësimdhënie dhe kulture, për qytetin e Memaliajt!”

Fotos Hita: Respekt për profesorin dhe dirigjentin e Fanfarës së qytetit tonë Memaliaj, Prof. Spiro Krecin, i cili ka punuar për shumë vjet në orkestrën e Pallatit të Kulturës, ku kam marrë pjesë edhe unë, si instrumentist në shumë aktivitete. E paharruar bashkëshortja e tij, mësuesja e përkushtuar Lavdie Kreci dhe me anë të këtij mesazhi, uroj edhe për shëndetin e tij, duke gëzuar jetë sa më të gjatë dhe të lumtur në mes fëmijëve, nipërve e mbesave të tij!”

Suzana Xhemali (Mullaymeri): “Nuk gjejë fjalë për të shprehur, sesa mirënjohës u jemi për vlerat edukuese që na kanë transmetuar tek ne. E paharruar qoftë mësuese Lavdia dhe i urojmë shëndet dhe lumturi, mësues Spiros!”

Pajtim Meçe: “Respekt dhe mirënjohje, për të dy mësuesit e përkushtuar dhe shumë të respektueshëm, çiftin, Lavdie dhe Spiro Kreci. Nuk besoj se ka nxënës, prind dhe njeri në Memaliaj, që t’mos ketë konsideratë të lartë për të dy. I uroj profesor Spiros, jetë të gjatë, të lumtur dhe i rrethuar nga fëmijët, nipërit dhe mbesat!”

Tomorr Xhani: “Prof. Spiro, është unikal! Është shumë vështirë dhe njëkohësisht shumë e lehtë, të flasësh për të, sepse jeta e profesorit gjithmonë ishte e mbushur me aktivitete, e në të njëjtën kohë, ishte korrekt, si një orë zviceriane. Orët e mësimit të kimisë dhe punët laboratorike, asnjëherë nuk zhvilloheshin pa i realizuar eksperimentalisht. Ishte model i kombinimit të njohurive teorike me ato praktike. Merrej me sport dhe më vonë sportdashës i ekipit të minatorit. Ishte dirigjent i ansamblit, orkestrës dhe Fanfarës së qytetit. Mbulonte jo vetëm aktivitetet kulturore të shkollës e të qytetit, por edhe të rrethit. Kujtohet për qetësin e tij, i dashur, i respektuar dhe një xhentëlmen i vërtetë, me një paraqitje të hijshme në çdo rast dhe rrethanë! Një gojë ëmbël si gjithë përmetarët nga ku kish vendlindjen, por edhe një memaliot i vërtetë, për sakrifica dhe solidaritet! Për të, mund të flasësh në një libër dhe nuk mjafton. Humori dhe batuat me vend, e karakterizojnë në çdo moment. Lavdie dhe Spiro Kreci, një çift i mrekullueshëm! Me të ndjerën, mësuesen e klasës së parë, mësuesen e abetares, siç i thoshnin ndryshe në qytet, përbënin një binom të shkëlqyer. I urojmë profesor Spiros, jetë të gjatë, të shëndetshme dhe qoftë i rrethuar me nipër dhe mbesa, e me të gjithë të dashurit e tij!”

Çifti Lavdie dhe Spiro Kreci

Rako Laska: “Për Spiro Krecin, nuk gjen fjalë për të përshkruar këtë njeri të mrekullueshëm, mësues të palodhur, instrumentist nga të parët me fizarmonikën, e më vonë me kontrabasin, ku merrte pjesë në të gjitha shfaqjet që bënim për dhjetëra vite me radhë. Për shumë vite, dha kontributin e tij, si drejtues i bandës muzikore të qytetit tonë dhe një njeri shumë korrekt! I uroj jetë të gjatë e plot shëndet!”

Vladimir S. Shehu: “Një video që përmbledh jetën e një personaliteti, që i kushtoi jetën e tij, artit të qytetit të Memaliajt. Kjo video të jep kënaqësi dhe të zgjon nostalgjinë për këtë mësues dhe artist, i cili meriton çdo lëvdata pa kursim. Prof. Spiro Kreci, është një ndër ikonat e artit në Memaliaj. Është jo vetëm një artist i vërtet në gjithë dimensionin e kësaj fjale, por edhe një metodist i shkëlqyer në mësimdhënie. Është fat i madh për të gjithë memaliotët që kanë pasur në gjirin e tyre, këta njerëz të mrekullueshëm, që dhanë gjithçka që mundën, me punën, djersën, mundin, mendjen, shpirtin dhe dashurin e tyre për këtë qytet. Por më shumë, është fat i madh për brezin tonë që jetuam me këtë njeri të mrekullueshëm. i cili na mësonte, edukonte dhe na nxiste në veprimtarit tona, duke u bërë dhe tifoz i “çmendur” i futbollit, por dhe na këshillonte e kritikonte me atë mënyrën e tij të butë, që karakterizonte qenien e tij, e si artist i vërtet. Këto figura, duhen promovuar, si për të gjallëruar sadopak jetën e këtij qyteti, por edhe për të frymëzuar brezat e rinj.”

Myzafer Abedini: “Respekt për mësuesin, artistin, njeriun korrekt, të përkushtuar e të mrekullueshëm, Spiro Krecin, i cili jo vetëm ngriti bandën frymore të qytetit tonë, por ka dhënë kontributin e tij, edhe në pjesën më të madhe të aktiviteteve kulturore që organizoheshin në Pallatin e Kulturës! I uroj shëndet dhe jetë!”

Remzi Kalemi: “Respekt pakufi, për këta mësues të përkushtuar dhe të talentuar!”

Flora Tushaj (Cakalli): “E përshëndes profesor Spiron, me urimet më të mira! Të dy kanë qenë një çift i mrekullueshëm, por edhe mësues ndër më të mirët për ne nxënësit e tyre! Prof. Spirua, dallohej për humorin edhe pse kimia nuk ishte e lëndë lehtë. Ai krijonte një atmosferë pedagogjike, që të gjithë ne, të ndiheshim shumë mirë me mënyrën e mësimdhënies prej tij!”

Mine Guca: “Janë pak fjalët, që mund të shprehin respektin dhe mirënjohjen për çiftin, Lavdie dhe Spiro Kreci. Lavdia, është mësuesja e parë që më mësoi të shkruaj dhe më futi dashurinë për të mësuar me durim dhe këmbëngulje. E paharruar do të jetë, mësuesja ime e dashur! Mësues Spiron, e kisha në gjimnaz dhe më jepte lëndën e kimisë, por më vonë edhe një koleg i devotshëm në Shtëpinë e Pionierit, ku me pasion dhe përkushtim, u mësonte fëmijëve, si të luanin në fizarmonikë. Me pjesëmarrjen e tij në festivalet e këngës për fëmijë, ka marrë edhe çmime të ndryshme! Mirënjohje për këtë personalitet, që ia kushtoi gjithë jetën, kulturës dhe aktiviteteve artistike të qytetit tonë të dashur, Memaliaj! I uroj nga zemra, shëndet dhe pleqëri të bardhë, pranë fëmijëve, nipërve dhe mbesave!”

Vojsava Sinallkaj (Liçi): “Një kujtesë shumë e bukur, për të dy personazhet shumë të dashur për shumë breza nxënësish të qytetit tonë. Unë kam patur fatin t’i kem njohur edhe si komshinj të mirë. Xhaxhi Spirua, ishte edhe si prind, pasi ai këtë e tregonte edhe me kujdesjen për pjesëmarrësit në aktivitet kulturore, njësoj si për fëmijët e vetë. Nuk besoj se ka nxënës që të ketë të marrë notën katër, në lëndën e kimisë, ku ai shpjegonte, sepse me zemërgjerësinë e tij, kishte parasysh vështirësitë e lëndës dhe i stimulonte përgjigjet e duhura!”

Memaliaj: Kolektivi mësueseve të shkollës 8-vjeçare, Memaliaj. (1962). E teta, majtas në rreshtin e dytë, është mësuese Lavdie Kreci

Mësuesia, Lavdie Joka (Kreci), u lind në Libohovë të Gjirokastrës, më 24 Dhjetor të vitit 1935, me prindër Zeqireje dhe Remzi Joka. Familja Joka, është arsimdashëse. Dy vëllezërit e saj, Genci dhe Bardhyl Joka, I morëm mësimet e para në vendlindje dhe më pas mbaruan shkollën Normale në qytetin e Elbasanit. Edhe motra e saj, Fiqirete ishte edukatore kopshti. Bardhyl dhe Genc Joka, ishin ndër mësuesit e parë të rrethit të Tepelenës. Një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit Memaliaj, mban emrin e mësuesit të nderuar, Bardhyl Joka. Mësuese Ladia, kujtohet me mirënjohje nga të thellë nga gjithë memaliotët, si një ndër mësimdhënësit e parë të qytetit Memaliaj dhe që ka edukuar me përkushtim, breza të tërë. Ajo u nda nga kjo jetë, më 24 Shkurt të vitit 2018.

Mësuesi, Spiro Kreci, u lind më 8 Korrik të vitit 1935, në Badëlonjë të Përmetit, me prindër të thjeshtë dhe pounëtorë, Dhoksi dhe Jani Kreci. Ai rrjedh nga një familje e thjeshtë, e cila edhe pse me vështirësi ekonomike, i mundësoi të birit arsimimin dhe e edukoi me ndjenjën e thjeshtësisë, korrektësisë, dashurisë për punën dhe njerëzit. Arsimin fillor dhe atë shtatëvjeçar, e kreu në vendlindje. Ndërsa të mesmen e kreu në vitin 1956, në “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Studimet e larta i kreu në vitin 1963, në Tiranë. Ka kryer gjithashtu edhe disa kurse profesionale, për tu specializuar në instrumentin e fizarmonikës.

Memaliaj: Kolektivi mësueseve të shkollës 8-vjeçare, Memaliaj. (1962). Në këtë kolektiv është edhe mësuesi, Spiro Kreci.

Familja Kreci ka edhe pesë fëmijë, emrat e të cilëve janë: Liljana, Ermira, Majlinda, Yllka dhe Floriani. të cilët edhe ata, me arsimimin e tyre kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e jetës ekonomike, kulturore, artisike dhe atë sportive të qytetit tonë.

Biseda e ngrohtë dhe mesazhet e përzemërta, të bëjnë të ndiesh krenar për këta heronj të heshtur, që punuan me ndershmëri duke marrë medaljen më të madhe, duartrokitjen e bashkëqytetarëve.

Çifti Lavdie dhe Spiro Kreci

Bisedën e mbylli, me një përshëndetje të përzemërt, të shoqëruar me lot në sy dhe me një timbër prekës: “Unë erdha në këtë qytet, nga fshatrat e Përmetit, por një pjesë të jetës e kalova në Memaliajn e vogël, ku kisha nderin të punoja e të jetoja me njerëz të mrekullueshëm dhe me shpirt fisnik!”

Nga Edmond Ismailati

Dhjetor 2021/Americaneye/

error: Content is protected !!